Mapo Letrare

Gjakova dhe poezia, binom i pandashëm














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:30 - 19/06/21 |
mapo.al

Qendra kombëtare e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve Gjakova, ka për synim nxjerrjen në sfond të punës talenteve individuale dhe të komunitetit në letërsi, kulturë, art dhe veprimtari krijuese, për botimin e librave dhe revistave, organizimin e manifestimeve letrare e kulturore. Kjo qendër për dymbëdhjetë vite me radhë ka organizuar disa dhjetëra manifestime letrare, ekspozita, botime, tryeza si dhe aktivitete letrare e poetike me nxënës të shkollave fillore.






Në aktivitetet e kësaj qendre kanë kaluar dhjetëra shkrimtarë e poetë, qindra nxënës e studentë, numër i konsiderueshëm i publikut dhe mbështetës në forma të ndryshme. Puna e QKPSHA është prezantuar rregullisht përmes mediave dhe publiku është njohur për çdo aktivitet që kemi realizuar.


Sivjet mbahet edicioni i parë i ”Festivalit Mbarëkombëtar të Poezisë”.







Festivali i poezisë mbahet më 19 qershor 2021, në kuadër të kalendarit të aktiviteteve me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Gjakovës. Në këtë aktivitet letrar kulturor marrin pjesë poetë nga trojet etnike. Si qëllim kryesor i festivalit është ruajtja dhe kultivimi i vlerave poetike, këmbimi i përvojave letrare e kulturore dhe ndërtimi i urave lidhëse mes poetëve.



“Festival Mbarëkombëtar i Poezisë” bashkon dhe prezanton vlerat poetike, me poetë nga mbarë trojet etnike. Konkurrenca e mirëfilltë e krijuesve, realizimi i përzgjedhës së poezive përmes konkursit dhe shpërblimi i autorëve me tri vendet e para (I, II, III), ndarja e fletë falënderimeve, mirënjohjeve, mirënjohjeve, për vepër jetësore, nderimin post mortum, për poetë e artistë, me një karrierë të pasur letrare e kulturore.



Festivali është mbështetur pjesërisht nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë.

Kryetare e QKPSHA GJAKOVA, Mevlyde Mezini Saraçi

Mevlyde Mezini Saraçi

FENIKS

Jam shtrirë në shtrat e pa shpresë
Nuk bëj gjumë fare nga trishtimi
Ju larg atje në rrugët e humbura
Dremisni pyjeve me ëndrra mashtruese
Nuk keni forcë të qani e as të çmendeni
Trishtuar qëllimeve të kota bredhjesh
Pritjesh të reja nga armiqtë e vjetër
Sa e dhimbshme kjo stinë e bardhë
Edhe unë kam njëmijë e një arsye
Të ikë njëherë e përgjithmonë nga lugetërit
Që ma hëngrën edhe kockën e fundit
Ma vodhën lotin e gjakut e të shpresës
Por kurrë nuk do ti stolis barbarët
Të shkelë në rrugët e ndërtuara mbi eshtra
Aty ku janë groposur shqiptarët
Edhe pa bukë e ujë pa shpresën e fundit
Dua të shuhem në tokën time të bekuar
Si feniks të ngrihem shekujve
E ti shikoj si vdesin hajdutët e barkanjozët
Që ushqyen fantazmat e tyre
Me qumështin e foshnjave tona
Kurrë s’u ngopën me gjakun e të rënëve
Duke ia ngrënë edhe themelet Kosovës
Dua të shuhem në tokën time
Feniks të ngrihem shekujve

(1946-2017)
Halil Haxhosaj
TRIPTIK PËR NËNËN
1.
Sa herë më kaplonin sëmundjet
Nëna ofshante dhe mërmëriste

Pastaj një kokërr kripë
Ma sillte rreth kokës
Të mbërthyer në grusht

E hidhte në zjarr
Duke pëshpëritur
Plastë si kokrra e kripës

Si kokrra e kripës
Hedhur në zjarrin e vatrës
Paste syri i keq
Shërohej sëmundja ime

2.

U përbirove
Nëpër hallkat e një shekulli
Edhe në tjetrin
E nusërove një mot

As Lija e Madhe as Mortja
Nuk të lanë vërragë në fytyrë
Edhe pse të kaluan pragun e shtëpisë

Trokëllimat e shtrëngatave
T’i çakorduan
Fijet e endura shekujve

Nëna ime
Kurrë nuk njohe sulltanë as krajla
Edhe pse zërin ua dëgjove

3.
Mbrëmë derisa po flija
Më erdhi nëna në ëndërr
Me një këmishë të arnuar
Në dorë

Merre më tha
Mbështille lëkurën e prerë
Në sallën e operacionit
Sepse nuk lëngon më

I përmalluar dhe i gëzuar
Desha ta përqafoj e ta përkëdheli
Ajo iku e shndërruar në aromë

Në mëngjes
Një buqetë me lule të freskëta
E kisha të vendosur te koka

Kur u mora erë
Diçka lëvizi në dhomë

Pranvera ia çeli
Petalet natyrës

Skënder R. Hoxha
UNË DASHNORI YT I PARË

Në çdo fillimprilli
TI më kujton datën 3
Të shenjtë të asaj nate mitike
Më kujton këtë datë me mall
Të atij viti të largët
Gati njëgjysmëshekulli n’bungajë
Kur bashkë e shkrimë akullin a parë!…
Tash më vijnë nga TI
SMS-at e kujtimit…
Më kujton kohën e ikur të zjarrtë
I rreshkur n’Dushkajë
Pranverash me brymë e shi.
Muza dhe kujtimet më mbajtën të fortë
Edhe tash n’dhomën time i rrethuar librash –
Unë dashnori yt i parë
Që s’më trembi terri!…
(3 prill 2020)

Fakete Rexha
YLL – NËNA IME NË QIELL

Natës më shndrit. I butë, i kadifenjtë.
Si erë, puhizë e lehtë.
Retë që i shpon të mia kokës.
Shkëndi verbuese në qiell varesh.
Guxim e shpresë vazhdimisht më jep.
Herët m’i zgjon mëngjeset nga gjumi.
Qetë më përshëndet. Butësisht sytë m’i hapë.
Mirëmëngjes më thua. Më merr krahëlehtë.
Përpara më nis. Majave kah drita.
Si një fishekzjarre. Zjarr që s’shuhesh kurrë.
Syve të mi thellë.
Netëve dritë më bën. Ylli im i bukur.
Ylli im i mirë. Rojë. Besnik i gjithmonshëm.
Çdo çast të jetës sime fat më sjell.
Unë ty të besoj. Ylli im i vogël.
Fanari im i festës.
Llambë e bardhë mbi kokë që m’shndritë.
Më sheh. Ruan. Përcjellë. Sa herë kokën ngris.
Lartë të kërkoj. Të gjejë. Vetëm. O mes tjerë.

Ti m’je aty. Varur lartë.
Ylli im i vogël.
Nëna ime – n’qiell.

Tahir Bezhani
USHTIMË ZJARRI
Toka ime e shtrenjtë
Të kam gjak shpirti,
Copë e ngjeshur ashti
Me Ty dertoj çdo përplasje jete
Më thuaj pash besën tënde
A do m’i ruash gjatë eshtrat e lodhur
Aty brenda palcës tënde plot zjarr
Je ADN-a flakëruese e qenies sime
Në flak u rrita
Rrugës së zjarrit udhëtoj
Jam i ngrirë si akull
Dua të shkrihem në diell
Të ngrohem e mos të përvëlohem
Në dashurinë time të bërë tym….
Fol, fol
Pash gjakun e trupit e zemrën e plasur
Jorgani im arnuar durimeve
A do më mbash në gjirin tendë
Se vuajtjet dertojnë rrugëtimet e gjata,
Zharavë e pasosur kurrë pesëqind vjet
E zemra do të pushoi e qetë
Bujtinave të magjepsura si në Olimp
Aty ku ngrohen shputat e mia të thërrmuara
Zbathur kërcej të mbetur si eshtra të tretur
Rrahishtave e zjarrishtave
Gurishtave të derdhura si erozion i shkriftë
Si stenda zemre kurorë kohe
Ku dëgjohen ushtimë hidhërimesh
Nëpër mote mashtruese….
Fol pash besën toka ime e shtrenjtë
Dhe që rrotullohesh si hi gacash nëpër shekuj
Gaz vajeve të mundimshme
Lot buzëqeshjeve të dhunshme
Jehonë e tretur largësive
Përvilmë damarëve deri në thellësi….

Tixhe Rexha Gërqari
DËNESA NGA DHEMBJA

Përbetohem se dënesa nga dhembja
që zemra mos t’më pëlcet
Për ftohtësinë e dashurisë
Për shkelmimin e traditës.
Përbetohem se nga kjo ftohtësi kohe
mu ftoh edhe mua zemra
S’gjej ngrohtësi as pranë zjarrit
Se edhe aji s’bënë prush si dikur
Dënesa me zemër që e pata si det
që ti puth e me brigje të kuvendoj
por sytë e ditës zhgënjimi i mbuloj
qetësinë e këtij deti vala e dërmoj.
Në të qarat e zemrës sime
trishtimi hedh vallen duke më shtrydhë
vrerin që jetën më idhtëson e ndrydhë.
për ëndrrën e luleve të paçelura

Pal Sokoli

KUMT PAS KUMTI
(Gjergji për Shëngjergj)

Oh sa më dhëmb sot
Në zemër e shpirt
kur vritemi në pritë
për lakmi
mendim të zi
e mëri.

Po po, në shpirt më dhëmb
kur shqipet në Flamur
I gjuajmë më gur
e ndjellim ogur
më të huaj në duar.

Shpirti më dhëmb se ai jeton
E Korpin falë Atdheut ja pat
Ta mishëroni
Në daçi Përmendore
Në daqi kështjellë
Në daqi shpatë.

Vetëm ngjyrë të zezë
Mos e bëni
Se nuk ju duket
fytyra e vërtete
Tha Gjergji/* pak pa
ndërru jetë.

/*Pas një përdhunimi të bronxtë

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas