Protesta e së shtunës dhe vendimi i opozitës për djegien e mandateve janë komentuar nga disa prej analistëve më të njohur në vend.
Agron Gjekmarkaj, në një opinion për Panoramën, shkruan se ky është akti më i guximshëm dhe më i dobishëm në 28 vite.
“Të dielën, Lulzim Basha ka dalë me një propozim të pazakontë, pikërisht me atë që dukej më i pamunduri, më i largëti, më i vështiri, më radikali, më i pandodhuri e si i tillë historik, djegien e mandateve të opozitës! Basha e hodhi këtë ide si një propozim për organet e partisë së tij! Më logjike pas konsumimit të historisë tanimë të njohur dhe pas një proteste, që qëllim final ka rrëzimin e Edi Ramës me argumentet se gjashtë vitet e Edi Ramës janë vitet e kapjes totale të shtetit nëpërmjet pushtetit, të korrupsionit kapilar, të kanabisit si projekt politik, të klientelizmit nëpërmjet koncesioneve që pasurojnë një grusht dhe varfërojnë një shoqëri, të ikjeve masive nga vendi, të kohës pa Gjykata themelore, të ekonomisë që prodhon shifra të rreme e varfëri të vërtetë, të tenderëve fantastikë, proceseve zgjedhore ku vota blihet nga të fortët dhe trafikantët, opozita nuk mund të ulet më në atë sallë parlamentare!” shkruan Gjekmarkaj.
“Sot, Edi Rama formalisht është Kryeministër, sepse de fakto është një sundimtar i rrethuar me lakej, që dinë çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje! Gaztoret janë shpura dhe ministrat e tij. Kabineti është themeluar mbi shakanë dhe groteskun, zgjedhje kjo që fyen dialektikën politike dhe etiken publike. Nga një i zgjedhur me votë është shndërruar në despot që e trafikon votën! Nga sqimatar e hokatar kundër banalitetit, është shndërruar në emblemën e tij! Kur thua banalitet, menjëherë të vjen ndër mend Edi Rama, qeveria e tij, ministrat, zv.ministrat, deputetët, drejtorët, hierarkia, gjuha që përdor, fjalimet prej deliranti provincial, ku përsërit pa fund vetveten, sulmet që bën, sharjet, fyerjet dhe zgërdhirjet pa kurrfarë sharmi. Edi Rama nuk reflekton kurrë për të mirën publike.
…Lulzim Bashën e kemi akuzuar të gjithë si një lider të dobët, por nëse vërtet ai djeg mandatet dhe braktis Ramën në aventurat e tij elektorale, le t’ia njohim meritën që po ndërmerr aktin me të guximshëm dhe më të dobishëm nga pikëpamja shoqërore në politiken shqiptare në këto 28 vite. Fati ndihmon guximtarët. Blofi do të ishte fatal për të, opozitën dhe rendin demokratik në vend!”
Edhe analisti Artur Zheji sheh shenja pozitive tek veprimet e opozitës. Ai mendon se në vend po ngjallet një shpresë e re.
“Protesta e 16 Shkurtit, pati si të veçantë, përveç masivitetit të pazakontë, një gjë shumë të rëndësishme, kolaudimin përfundimtar, të dukshëm dhe të ndjeshëm, të Frontit Opozitar, kësaj rradhe më të sinqertë se asnjëherë. Deklarata solemne e Kryemadhit se nëse nuk largojnë dot Ramën si Opozitë, ajo dhe Basha duhet të largohen nga kryesimi i partive të tyre, ka shumë domethënie, ndonëse personalisht Kryemadhi, nuk ka humbur asnjë betejë elektorale si kryetare e LSI-së.
…Ngase burojnë pra këto protesta? Të njëpasnjëshme, me klithëm uluritëse dhe me frikën e vrarë të hakmarrjes së pushtetit të çoroditur?
Sigurisht nga ngjallja e një shprese të re, që nuk lidhet detyrimisht me emrat e drejtuesve të Protestës, por me bindjen që ka hedhur rrënjë, se kasta e oligarkëve përreth këtij kryeministri dhe ministrave të tij, kanë tejkaluar çdo cak arrogance si të pandëshkueshëm, të paprekshëm dhe të pa kapshëm në shpenzimet e tyre marramendëse…,” shkruan Zheji në portalin 360grade.al
Ky Zheji dhe Gjekmarkaj njerzit me te djallzuar qe presin qe deti te behet kos dhe keta me luget ne brez ti turen detit me mu…
Bota u përket njerëzve guximtarë dhe me vizion për ditët që vinë. Sharlatanët, drogaxhinjtë, kriminelët, mafia, servilët, çyrykët dhe ata që u shkojnë pas lakuriqëve pa moral, i kanë ditët e numruara mbrapsht. Shpresa dhe guximi i dhanë shenjat e para. Pranvera po vjen. Bëhuni gati ta presim me gëzim. Bravo Gjekmarkaj dhe Zheji! Jeni më të mirët! Vazhdoni të jepni kontributin tuaj për demokraci…Armiqtë e demokracisë në kazanët e plehrave! Amin!