Analisti i njohur dhe njëherazi pedagog, Agron Gjekmarkaj analizoi situatën e fundit politike në vend, pas dështimit për të hapur negociatat. Ai u shpreh në emisionin “Kjo Javë” se është thjesht propagandë se fajin e ka Europa, pasi faji është i gjithi i kryeministrit Rama për shkak të keqqeverisjes.
“Ai (Rama) po bën një propagandë poshtëruese dhe fyese duke na thënë se ‘çdo dështim është një sukses’. Europa nuk ka bërë asnjë mëkat ndaj nesh, ndaj diskursi anti-Europë tregon qartë pafytyrësinë e tij”.
Ndërkohë i pyetur për opozitën dhe mënyrën se si ajo mund të vijë në pushtet, Gjekmarkaj u shpreh “me anë të protestave, opozita riktheu vetveten në qendër të vemendjes. Mendoj se ajo nuk ka dështuar me Ramën, por me ndërkombëtarët. Mendoj se nuk e menaxhoi mirë ‘djegien e mandateve’. Para se të kryente këtë veprim duhej të kishte informuar ndërkombëtarët se pse po shkon drejt aktit ekstrem. Duhet që ata të kishin një panoramë të qartë të situatës që kalonte vendi. Opozita mund të vijë në pushtet kur ti japë përgjigje pyetjes: Pse ndërkombëtarët e mbajnë Edi Ramën. Pasi ta ketë të qartë këtë, them se mund ti afrohet pushtetit”.
Ndërkohë i pyetur nëse ndërkombëtarët kanë lëviz në drejtim të përafrimit të palëve, ai tha se “dokumenti i Bundestagut gjerman flet qartë për krizën. Ai dokument duhet të udhëheqë debatin dhe dialogun që është i domosdoshëm. Por jo në gjuhën e forcën, por të argumentit”.
Ndërsa pyetjes: A mendon se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme? – Ai u përgjigj: Rama duhet të kishte dhënë vetë dorëheqjen pa ia kërkuar njeri pas dështimit për të hapur negociatat, dhe vendi duhet të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Ashtu siç bëri Zaev në Maqedoninë e Veriut.
“Sa i përket opozitës, them se ajo nuk ka pse tregon ngut. Duhet të ketë pikësëpari gati alternativën e qartë të qeverisjes. Pra që Shqipëria të mos hyjë në zinxhirin e krizave të vazhdueshme, por të ecë në shinat e demokracisë dhe funksionimit të institucioneve. Lulzim Basha duhet të vendosë kontakte me grupet shoqërore, me intelektualët në vend. Ti dëgjojë ata para se të paraqesë alternativën e tij për të drejtuar vendin”, u shpreh Gjekmarkaj.
/Mapo.al