Agjentët e Komisariatit nr.6 në Tiranë kanë gjetur dhe sekuestruar dje një automjet tip “Mercedes Benz” me ngjyrë të zezë, i cili duket i ngjashëm me automjetin që ka kryer atentatin tragjik të enjten te “Komuna e Parisit”. Mercedesi është gjetur gjysmë i djegur, ndërsa policia ka nisur verifikimet për të vërtetuar nëse është automjeti që është përdorur nga atentatori i Aleksandër Gocajt dhe ku mbeti aksidentalisht e vrarë 25-vjeçarja Megi Jokiçi. “Automjeti është gjetur në zonën e Kombinatit, në një terren të pabanuar. Djegia është bërë pak orë më parë dhe rezulton se pronari ndodhet jashtë vendit. Ne do të kryqëzojmë të dhënat dhe shumë shpejt do kontaktojmë dhe me pronarin, për të parë se çfarë ka ndodhur me këtë automjet dhe a mund të jetë ky mjeti që ka kryer vrasjen”, – thanë dje për MAPO-n burime nga Komisariati nr.6 në Tiranë. Policia e Tiranës premton zbardhjen brenda pak orësh të atentatit që i mori jetën 25-vjeçares Megi Jokiçi. Burime nga grupi hetimor thanë se ndodhen fare pranë dokumentimit të plotë të krimit, edhe pse shënjestra e atentatit, Aleksandër Gocaj nuk ka pranuar të identifikojë autorin gjatë dëshmisë së tij. Nga ana e vet, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në bizneset pranë vendit të krimit te zona “Komuna e Parisit”. Hetuesit e policisë së Tiranës besojnë se atentati i së enjtes në kryeqytet është në vazhdën e një seriali të gjatë hakmarrjesh me zanafillë qytetin e Burrelit. Ndonëse në deklarimet e dhëna për hetuesit Gocaj është shprehur se “nuk e kishte idenë se kush ishte i interesuar për ta eliminuar”, drejtuesit e hetimit dyshojnë se ai e ka të qartë se cilët janë të interesuar në eliminimin e tij. Megjithatë, agjentët janë duke gjurmuar edhe në lidhje me aktivitetin e kohëve të fundit të Gocajt dhe miqve të tij, për të parë nëse ky atentat lidhet me ndonjë histori përplasjesh apo mosmarrëveshjesh të kohëve të fundit.