Gjendet vendi ku mendohet të ketë rënë të shtunën avioni me 62 persona në bord, pak pas ngritjes nga kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta.
Zhytësit profesionistë kanë gjetur rrënoja të Boeing 737-500 në një thellësi prej 23 metrash në detin Java, që shtrihet midis ishujve indonezianë Borneu në veri, Java në jug, Sumatra në perëndim dhe Sulawesi në lindje.
“Ne jemi të sigurt se kjo është pika ku avioni u rrëzua”, – tha marshalli Hadi Tjahanto në një deklaratë për mediat.
Ai cilësoi se në detin Java nuk u gjendën vetëm copëza metali të avionit, por edhe 2 çanta e rroba.
“Shpresojmë se deri në këtë pasdite, kushtet aktuale dhe pamja nën det të jenë akoma të mira në mënyrë që të mund të vazhdojmë kërkimin”, – shtoi marshalli Tjahanto.
Avioni i Sriwijaya Air u zhduk nga radarët, katër minuta pas u ngrit nga pista për në Pontianak, në provincën Kalimantan. Mes 62 personave në bord, ndodheshin 7 fëmijë dhe 3 foshnje.
Nuk ka ende shenjë të të mbijetuarve. Dhe është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin. Por më shumë se 10 anije janë mobilizuar në operacionet e kërkimit.