Aktualitet

Gjendja në rajonet e Matit dhe Dibrës në shkurt–gusht 1944








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:30 - 11/11/20 |
mapo.al

Kapitullimi i Italisë fashiste dhe vendosja e pushtimit gjerman i ndryshuan shumë rrethanat, si kudo në Shqipëri edhe në Qarkun e Dibrës. Në periudhën mars–prill 1944, konstatohet një intensifikim i takimeve të qarqeve nacionaliste të Dibrës dhe Lumës për të koordinuar veprimet e tyre. Një ndikim pozitiv për këtë kishin dhe misionet angleze që vepronin në këto krahina.


Nga burime konfidenciale, titullari i Prefekturës së Dibrës [së Madhe], Abdi Golia, ishte informuar se në shtëpinë e Halil Alisë, në katundin Fush Alija, Prefektura e Peshkopisë, ishte bërë një mbledhje me qëllim politik, në të cilën kishin marrë pjesë Muharrem Bajraktari, Selim Kaloshi, Halil Alija, një kapiten anglez e të tjerë.


Qëllimi i mbledhjes ende nuk dihej. Prefekti Golia kishte dërguar një person të posaçëm dhe të besueshëm për të hetuar çështjen me saktësi. Ndërkohë, më 2 mars 1944, me shkresë Rezervat Personal, prefekti i Dibrës Abdi Golia informoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me këtë takim dhe masat që kishte marrë.



Edhe autoritetet qeveritare të Tiranës kishin shtuar aktivitetin e tyre për të ndikuar në elementin nacionalist. Më 10 prill 1944, Prefekti i Kukësit, Rrok Perolli informoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme se në Dibër, katundin Sllovë, ishte zhvilluar një mbledhje e shumë dibranëve, ku kishin marrë pjesë Muharrem Bajraktari, Cen Elezi, Fiqri Dine etj. Sipas informatave, këtë mbledhje e kishte organizuar Fiqri Dine i ngarkuar nga ana e qeverisë.


Në lidhje me këtë takim, vëllai i Muharrem Bajraktarit, Bajrami, shkruan në Promemorien e tij:
Fiqri Dine e thirri Muharrem Bajraktarin për takim në Sllatinë së bashku me Cen Elezin. U takuem me Cenin në Sllovë dhe me çetën e tij familjare. Së bashku u nisëm për Sllatinë, ku mbërritëm para Fiqri Dines, i cili erdhi më vonë me 50 veta. Takimi me Fiqriun u bë në shtëpinë e Shemsi Plakut (Sllatinë). Kanë biseduar Fiqriu, Muharremi dhe Ceni vetëm në një dhomë dy orë.


Në dhomën tjetër ishim: Bajram Bajraktari, Dostan Rexhepi, Myftar Ahmeti, Isuf Dine, Sef Xheladini, Mehdi Ndreu, Islam Ndreu dhe Xhelal Ndreu. Nuk thirrën asnjë prej nesh në takim. Kur u ndamë, ne erdhëm për në Lumë, dibranët për në Peshkopi. Muharremi dukej qartësisht i pakënaqur dhe i penduar për takimin. Zemërimi i tij drejtohej më shumë kundra Cenit. Muharremi na tha mue, Dostanit e dy–tre të tjerëve se Fiqriu i kishte bërë dy propozime:

Të shkonte në Tiranë për t’u bërë Këshillë i Regjencës me Mehdi Frashërin (kryeministër Fiqriu) edhe Ceni t’u dorëzonte. Ky Bllok sigurisht do të asgjësonte komunistat dhe do të fitonte patjetër përkrahjen e anglo–amerikanëve.

Nëse nuk e pranonte këtë, të formonin një Bllok tjetër indipendent dhe ilegal të kryesuar nga Muharremi, Fiqri Dinja, Mustafa Kruja, Gjon Marka Gjoni dhe ta zgjerojshin me elementa që mund të shkëputeshin nga organizatat e tjera.

Muharremi kishte refuzuar në këtë mënyrë: Të luftosh Lëvizjen [Nacionalçlirimtare] në bashkëpunim me gjermanët do të thoshte të bëhesh faktor vendimtar për triumfin e saj. Lufta kundra saj gjatë okupacionit ishte absolutisht gabim trashanik. E vetmja rrugë me komunista ishte tërhiq e mos këput deri në çlirim.

Me Gjon Markun e sidomos me Mustafa Krujën, Muharremi nuk do të punonte kurrë, sepse ishin përgjegjësit kryesorë të okupacionit italian.

Muharremi kishte ftue Fiqriun t’u hidhte në ilegalitet dhe të ndërmerrshin formimin e një grupi nacional tjetër (Muharremi, Fiqriu, Gani Kryeziu, Hysni Dema, Riza Dani e ndonjë element tjetër i pakompromentuem, o më pak i kompromentuem).

Domethënë ripërsëritjen e grupit të vjetër antizogist me disa zëvendësime (grupi antizogist i vitit 1934: Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dine, Hysni Dema, Maliq Bushati, Gjon Marku, Riza Dani, Sul Shehu, Faik Çuku etj.) Fiqriu nuk kishte pranue. Ceni kishte vendosë me u dorëzue, me gjithë presionin e Muharremit.

Sipas Bajram Bajraktarit, gjatë periudhës prill-gusht 1944, Muharrem Bajraktari ka patur marrëveshje me letra me Fiqriun e me Hysni Demën (më tepër me këtë të fundit). Mbi këtë korrespondencë, Muharremi asnjëherë nuk i kishte treguar Bajramit, me përjashtim të një letre të Hysniut.

Gjendja në Nënprefekturën e Matit, në shkurt 1944

Në vijim të raportimeve periodike, më 1 mars 1944, Nënprefektura e Matit informoi Zyrën Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi situatën e 15 ditëve të fundit të muajit shkurt 1944. Sipas këtij raporti, gjendja paraqitej si vijon:

Administrata e Brendshme: Riformimi i Qeverisë së drejtuar nga Rexhep Mitrovica ishte pritur me kënaqësi prej popullit, i cili, i mërzitur tepër prej anarkisë së vazhdueshme shtatë muaj rresht, dëshironte qetësi.

Biles, në mungesën e të gjithë autoriteteve lokale e sidomos të xhandarmërisë, vetëm këshillat, megjithëse shumë të kufizuara, të zëvendësisht titullarit të Nënprefekturës së Matit kishin bërë efektin e mirë ku, që nga data e fillimit në punë 16 shkurt 1944 e deri më 1 mars, nuk ishte bërë asnjë vrasje ose grabitje.

Nga kjo shpresohej se, posa të plotësohej personeli komunal dhe fuqia e postëkomandave të xhandarmërisë, duke marrë dhe masat e mira administrative me zell e kujdesi, për një kohë të shkurtër kishte “me ju mrritë qëllimit të dëshiruem për një bashkim vllaznuer e qetësi shembullore”.

Një çetë e vogël nacionalçlirimtare që ishte në rajonin e Matit ishte “shpërnda e zhduk fare vetëm me këshillat që iu dhanë popullit, i cili tue i neveritun nuk u dha bukë e strehë banimi”.
Ekonomia: Ekonomia ishte mjaft e vështirë, sa që populli nuk ishte në gjendje me përballue jetesën shumë të shtrenjtë, me që nuk kishte asnjë burim fitimi.

Bujqësia dhe bagëtia: Bujqësia e vendit kishte qenë shumë e mirë, por në operacionin që kishte bërë ushtria italiane dogji dhe shkatërroi krejt qytetin e Burrelit bashkë me 13 fshatra të luginës së Matit, duke filluar prej fshatrave Laç-Kulla (kufi me Mirditën) deri në Klos, një distancë 50 km gjatësi dhe 30 km gjerësi, duke djegur e dëmtuar dhe prodhimin dhe, nga ky shkak, vazhdonte kriza e bukës. Për rrjedhojë, në rast se nuk do të destinoheshin për këtë rajon deri në 2 000-3 000 kuintal misër, mbas një muaji do të bëhej zi e madhe.

Drejtësia: Mbasi ende nuk kishte ardhur personeli i saj në krye të detyrës, nuk u paraqitën komente.

Botore: Për shtatë muaj nuk ishte bërë asnjë meremetim, për rrjedhojë shumë pjesë rruge ishin bërë të vështira dhe 2-3 ura të vogla ishin në shkatërrim e sipër.

Arsimi: Përgjithësisht shkollat në këtë rajon ndodheshin të mbyllura.

Shëndetësia: Ndonëse nuk rezultonte as mjek, as zyrë shëndetësie, përveç një gripi të lehtë, nuk ishte konstatuar tjetër gjë me rëndësi.

Gjendja në Qarkun e Dibrës, në korrik 1944

Mosmarrëveshjet ndërmjet nacionalistëve për mënyrën e organizimit dhe veprimit, krijuan avantazhe të dukshme për Frontin Nacionalçlirimtar. Veprimet intensive të formacioneve partizane të Divizionit të Parë e detyruan Komandantin e Përgjithshëm të Operacionit, kolonel Hysni Demën, të zhvendosej në Dibër, nga ku, më 24 korrik 1944, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme për gjendjen.

Sipas këtij raporti të hollësishëm rezervat personal, rezulton se nga veprimet e deriatëhershme të forcave vullnetare e gjermane fuqitë partizane ishin detyruar të tërhiqen, duke lënë shumë të vdekur e të plagosur dhe disa të bjerun, për t’u përqendruar në këto zona: “Mehmet Shehu e Haxhi Lleshi, mbasi iu dha një grusht i fortë në kodrat e Shembatit, në Peshkopi e në Zimor, u tërhoqën në drejtim të Grames-Tanush-Boljetin-Galeshnik-Gajre dhe, mâ në fund, kanë mbërritë Kara-Ormanin me 700 veta.

Ndërsa Dali Ndreu me forcat e tjera, që pat zânë vendet e Grykës së Vogël, nga ndeshjet e ashpra që pat me forcat Vullnetare Nacionale, u shtrëngue me u tërhjekë në Bulqizë me 800 vetë. Kurse Grykat e Selishtës bân qëndresë dhe mundën me mbrojt Lukanin, Selishten dhe Kacnin; në këtë kohë e sipër u mbrrinë në ndihmë grupet gjermane, të cilët pastaj atakuen Macukullin e Lisin dhe, në këtë rast, komunistat u tërhoqën në drejtim të Malit Balgaj-Qafë Bull e Bulqizë.”

Në këto kushte, përgjithësisht fuqitë komuniste u përqendruan në zonën e Kara-Ormanit, ku ishin më shumë se 1 200 partizanë bullgarë – serbë – malazezë e 700 partizanë shqiptarë me Mehmet Shehun, kurse në zonën Bulqizë-Martanesh-Mali Kaptinës e Vorret e Vrame u përqendruan partizanë shqiptarë nën drejtimin e Dali Ndreut, numri i të cilëve me siguri mbërrinte më se 2 500 vetë.

Armatimi i tyre në të dy zonat ishte fare i mirë dhe municion të bollshëm për çdo kalibër. Në përgjithësi numri i fuqive partizane arrinte rreth 4 000 deri 5 000 vetë, përveç atyre çetave që ndodheshin ndër krahinat e tjera të Shqipnisë. Në Kara-Orman gati çdo natë aeroplanat anglezë u hidhnin me parashuta materiale lufte e veshëmbathje.

Simbas informatave të kontrollueshme që dispononte Komanda e Përgjithshme e Operacionit, qëllimi i përqendrimit të fuqive komuniste në dy zonat e naltpërmendura ishte që të riorganizoheshin dhe përsëri të mësynin krahinat e Dibrës dhe të Peshkopisë, sa më shpejt.
Ndërkaq, me shumë mundime e lutje të bëra krenve nacinalistë, kolonel Hysni Dema kishte mundur me rregullue:

1. Dibra e Poshtme e Dibra e Sipërme ishin pastruar gati krejtësisht nga komunistët.

2. Fuqitë Vullnetare të Dibrës e të Matit ishin në lëvizje e sipër në këto drejtime: Më 24 korrik, në mëngjes herët, kishin fillue lëvizjet si prej Matit edhe prej Grykave të Selishtës.

Rustem Kurti me forcat e tij (400-500 vetë), bashkë me një grup gjerman, ishin nisë prej Burreli e Burgajetit në drejtim të Gurit të Bardhë e Martaneshit.

Bilal Kola, Ali Kadiu e kapiten Kurti me 500 vetë, në mbrëmjen e 23 korrikut, kishin qenë në Vinjol e herët në mëngjesin e datës 24 kishin marshuar në drejtim të Qafë-Buallit, duke i përshkruar malet e Ollomanit e të Çelës. Një grup gjerman, po më datë 24 korrik në mëngjes, ishte nisë prej Lisit në drejtimin Kurdari-Patin e Klos.

Prej Qafë Murrës në drejtim të Malit Balgaj e Vajkal të Bulqizës ishte nisë Ramadan Hoxha dhe Dervish Lusha, e prej Selishte Llan Kaziu në drejtim të Dragumit të Bulqizës.

Aziz Kaloshi dhe Halil Alija me forcat e tyre, mbrëmjen e 23 korrikut kishin qenë në Luzni të Epër e në mëngjesin e datës 24 do të niseshin në drejtim Brot – Kamaves e Dushaj të Bulqizës.

Forcat e Cen Elezit, Ali Maliqit, Sabri Beut, Demir Demës, të Jusuf Xhilagës e Hilmi Karahasanat dhe Hashim Shehit ndodheshin në Grykë të Madhe e në Grykë të Vogël.

Më 23 korrik 1944, kolonel Hysni Dema kishte qenë në Mat e prej Burgajetit kishte lajmëruar Llesh Kapitenin, të birin e Gjon Marka Gjonit, që edhe ai të nisej në drejtim të Klosit, mirëpo nuk kishte siguri a do të nisej.

Çështja e rregullimit të ushqimit dhe e municionit ishte tepër e vështirë, sepse për ushqimin (bukën) nuk kishin mjete transporti, por do të kryheshin lëvizjet e forcave vullnetare, duke marrë bukë nëpër katunde. Kurse çështjen e municionit kolonel Dema e konsideronte fatale dhe armët e rënda mungonin kryekëput. Komandat gjermane përgjithësisht “nuk u jepnin fare municion, disave një pakicë, vetëm disave u japin si Halil Alisë e shokëve të tij me bollëk”.

Megjithëse sqaronte se ndoshta mund të gabohej, simbas mendimit personal të kolonel Hysni Demës, “gjermanët nuk kanë koncepsion të kjart me i luftue çetat komuniste; përveç kësaj duket se u besojnë tepër personave informator të tyre, të cilët edhe i mashtrojnë për së tepërmi, sepse informatorët e tyre, e sidomos disa nga përkthyesat, bâjnë lojna dypalëshe, d.m.th. nga një anë bâjnë përkthyesin e nga ana tjetër japin informata të hollësishme komunistave mbi gjendjen e gjermanëve e tonën, aq sa komunistët të kenë mundësinë të dinë qëllimet tona.”.

Me gjithë përdorimin e vullnetit më të mirë të Komandantit të Përgjithshëm të Operacionit për me mund me pasë një bashkëpunim me gjermanët dhe me u furnizue me municion në luftën kundër fuqive komuniste, por këtij qëllimi nuk ia kishte arritur për shkak se, siç kuptohet, “besimi ishte tepër i paktë dhe [gjermanëve] u dukej se vullnetarët shprazin pushkë kot dhe ikin”.

Pra forca vullnetare kishte të mjafta, por municion aspak e armë të rënda e mitroloza të rëndë e të lehtë dhe murtaja nuk kishin asnjë.

Gjithsesi, kolonel Hysni Dema e shihte të mundshme shpartallimin komplet të komunistëve, por konsideronte konditë kryesore dhe duhej medoemos me u përmirësue me këto baza:

“a) Me pasë besim reciprok.

b) Me furnizue vullnetarët shqiptarë me municion Italie dhe Serbie, që t’i kenë më të mjaftueshme.

c) Trupat shqiptare me i shoqërue me armë të rënda të gjermanëve, si mortaja e mitroloza të rëndë, në rast luftimi.

d) Me vu në dispozicion të forcave shqiptare mjete transporti e karburante minimume të domosdoshme.

e) E, më në fund, ishte më tepër se e domosdoshme që ajo komandë gjermane që zhvillon veprimet të mos rrinë larg operacionit qindra kilometra, kështu që humbet kohë sa të arrijnë lajmet e gjendjes dhe të studiojnë mbi hartë e mâ pastaj të disponojnë, kurse, të gjindesh afër, kohën kishte me e shkurtue shumë dhe kishte me pa me sy të vet zhvillimin e veprimeve edhe aty për aty kishte me marrë vendime të preme për lëvizje trupash.

f) Âsht e domosdoshme që të ketë një mirëkuptim shumë të kjart në mes të gjermanëve e të shqiptarëve për të luftue komunizmin njëherë e përgjithmonë.”

Duke përfunduar, për përkatësi rregullimi e përgjegjësi, por dhe si njohës i mirë i situatës dhe terrenit ku zhvilloheshin veprimet, kolonel Hysni Dema nënvizonte se “në rast se nuk mirren parasysh këto pika e që të zhduken këto pengesa, jam i bindur se veprimet operative të kësodore nuk kanë me pasë sukses dhe gjendja kombëtare ka me shkue në katastrofë”.

Katër ditë më pas, më 28 korrik 1944, kolonel Hysni Dema, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë, informoi ministrin e Brendshëm Fiqri Dine, se Llan Kaziu dhe Dervish Lusha kishin pësuar dëme të mëdhaja në luftim me komunistët në Balgaj dhe se Gryka e Selishtës ishte zaptuar prej të kuqve. Municioni mungonte.

Po më 28 korrik, kolonel Hysni Dema, me telegramin drejtuar ministrit të Brendshëm, përcjellë me anën e Felkomandaturës Gjermane në Dibër, me ndërmjetësimin e Legatës Gjermane në Tiranë, informonte: “Mbas luftimeve të rrepta, Selishta e Sinie janë zaptue dhe djegë prej komunistëve.

Komunistët dje mbrëmë ndodheshin në Sinie e në mes të Reçit e Sllatinës. Nacionalistat pa municion. Nevoja e domosdoshme për të holla e municion me iu dërgue nacionalistave, përndryshe keqësim i gjendjes”.

Luftimet e ashpra të forcave qeveritare e proqeveritare me njësitë partizane zgjatën afro dy javë në korrik, për t’u rikthyer në gjysmën e dytë të gushtit 1944 me fitoren e forcave partizane. Me marrjen nën kontroll të krahinës së Dibrës, formacionet partizane avancuan në drejtim të trevave shqiptare drejt Lindjes dhe Veriut, zhvillime të cilat do të jenë objekt i punimeve në vijim.


Etiketa: , ,

Pas