Aktualitet

Gjergj Erebara: Anti-informaliteti po ‘ndodh’ në ERTV, propagandë






               Publikuar në : 11:20 - 24/08/19 |
mapo.al

Aksioni anti-informalitet nga ana e qeverisë nisi me bizneset e vogla, për të vijuar edhe me mallrat e akcizës, ku janë proceduar edhe kompani të naftës. Përse është marrë ky aksion, për shkak të mungesës së të ardhurave apo biznesi po i shmangej gjithnjë e më shumë detyrimeve?


Qëndrimi i qeverisë është i përgjithshëm, lufta kundër informalitetit. Por mes rreshtave të fjalimeve apo mesazheve të kryeministrit në rrjetet sociale, sugjerohen disa arsye të tjera: supozimi se Rama “bën shtet”, supozimi se ai ka “dorë të fortë kundër kaosit”, si dhe dëshira për t’iu përgjigjur kritikave nga opozita dhe qytetarët se ai po u shërben oligarkëve dhe se po ndërton një oligarki në Shqipëri. Haptazi nuk më ngjan se ecuria jo shumë e mirë e të ardhurave buxhetore ka qenë ndonjëherë shqetësim i veçantë për qeverinë dhe nuk më ngjan se është arsye për të ndërmarrë fushata të tilla. Shqipëria është një vend ku propaganda është mjeti kryesor qeverisës, kështu që edhe e ashtuquajtura fushatë anti-informalitet, mendoj se duhet parë si asgjë më shumë se sa një mjet tjetër propagandistik. Një lloj dhune, e cila nuk ka kurrfarë lidhje me një shtet funksional të sundimit të ligjit, që synon t’ia hedhë fajin popullit për problemet që ka pjellë qeveria. Ekonomia nuk ecën, atëherë çfarë mund të bëjmë? Ia hedhim fajin informalitetit, d.m.th., popullit, dhe justifikojmë një fushatë dhune, e cila shërben si çorientim për problemin real, (ecuri e dobët ekonomike për shkak të kapjes së ekonomisë nga interesa oligarkikë) dhe njëkohësisht dhuna shërben si një mjet për t’i rikujtuar popullit se kush është padroni i vendit dhe ku qëndron me të vërtetë pushteti. Një shtet normal nuk ka nevojë të ketë “fushatë anti-informalitet”, ai duhet të ketë punonjës tatimesh dhe studiues që vlerësojnë detyrimet fiskale të popullatës dhe bizneseve dhe i krahasojnë ato me të ardhurat reale për të parë se sa mund të jetë detyrimi i papaguar. Pastaj në bazë të disa rregullave të thjeshtë përcaktohet se ku ka më shumë probabilitet për të pasur evazion fiskal dhe dërgohen inspektime. Për një proces të tillë duhet të mjaftojnë punonjësit profesionistë, të punësuar për shkak të aftësive dhe jo për shkak të lidhjeve politike. Në mungesë të kësaj, ne bëjmë fushata anti-informalitet, me goditje propagandistike të llojit “fabrika e kafesë” apo “rafineria e naftës”. Kjo është ekzaktësisht e kundërta e shtetit të sundimit të ligjit.

Vitin e kaluar qeveria futi në skemën e TVSH-së bizneset e vogla, duke ia ulur pragun nga 5 në 2 milionë lekë, a mendoni se kjo ishte një nismë e gabuar, pasi të dhënat tregojnë se në mbledhjen e TVSH-së ka pasur rreth 13 % ulje krahasuar me një vit më parë.

Kjo është një nga ato lloj politikash në të cilat Rama duket se ia ka mbushur mendjen vetes se është më i aftë se çfarëdolloj eksperti në planetin tokë sa i përket politikave fiskale, përfshirë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Përderisa FMN, institucioni me ekspertizën e nivelit më të lartë në çështje taksash e tatimesh, e ka këshilluar qeverinë në mënyrë të përsëritur të mos e bëjë, por qeveria sërish e ka bërë, nuk e di se çfarë mbetet për të diskutuar.

A ka sjellë efektet e duhura aksioni anti-informalitet dhe si është përkthyer kjo në rritjen e të ardhurave, të paktën për muajin korrik ku edhe nisi? Në gjykimin tuaj është një fushatë pak javore që synon më shumë sensibilizim dhe “shfaqje mediatike”, apo një nismë serioze që synon formalizimin e biznesit?

Në muajin korrik deficiti i të ardhurave në krahasim me planin është më i thellë se sa në gjashtëmujorin e parë. Buxheti i shtetit është shumë kompleks dhe nuk mundet që ky deficit të lidhet ose jo drejtpërsëdrejti me fushatën anti-informalitet. Në Shqipëri ka rreth 1600 punonjës tatimesh dhe 100 mijë biznese. Këto shifra të sugjerojnë që aksioni anti-informalitet ndodh më së shumti në ERTV dhe në Facebook, por jo në terren.

Për shtatëmujorin e parë ekonomia u rrit me vetëm 2.2 % krahasuar me 4.3 % që ishin parashikimet. Përse kjo ulje. Ku është përqendruar ekonomia shqiptare dhe a po investohen paratë publike në sektorë që mund të sjellin ndikim pozitiv në ekonomi?

Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e parë u rrit me 2.2% ndërsa potenciali i rritjes ekonomike është 4%. Këto janë shifra krejt të parëndësishme përballë problemeve reale të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare sot, të cilat, në opinionin tim, fillojnë nga pushtimi i ekonomisë nga paratë e pista të krimit të organizuar apo të paorganizuar dhe vijojnë me politizimin e tejskajshëm të të gjithë infrastrukturës shtetërore, shoqëruar me transformimin e politikës në tërësi dhe Partisë Socialiste në veçanti në organizatën kriminale më të madhe në vend, me një rrjet të gjerë zyrtarësh që shantazhojnë popullsinë për çdo gjë, nga e drejta e pronës tek e drejta e legalizimit, tek e drejta për të shitur në rrugë apo e drejta për të riparuar shtëpinë. Janë këto lloj problemesh ato që po përzënë mijëra shqiptarë nga Shqipëria duke lënë pas vetëm të moshuarit, të paaftët apo të korruptuarit e politikës, duke shkaktuar një rënie dramatike të popullsisë, gjë që në fund fare sjell edhe ecuri të keqe të ekonomisë.


Etiketa: ,

Pas