fbpx

Aktualitet

Gjergj Erebara: Pse gjendja ekonomike në Shqipëri është dëshpëruese





               Publikuar në : 10:30 - 13/07/19 |
mapo.al

Gazetari i BIRN, Gjergj Erebara në një intervistë për gazetën Mapo, skanoi problemet që po kalon ekonomia shqiptare. Ai shprehet se “problemet afatgjata të shkaktuara nga akumulimi në kohë i keqqeverisjes kanë çuar në papërgjegjshmëri absolute të ekonomisë”.


“Në një vend që nuk ka rritje ekonomike prej një dekade, që ka paga pak a shumë në stanjacion dhe taksa në rritje, ajo që humbet është shpresa. Mungesa e shpresës largon ata që kanë fuqi për të ikur, të rinjtë, profesionistët, të aftit, të fortët”, theksoi ai.



Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?


Gjergj Erebara: Në këndvështrim afatshkurtër, problemi kryesor duket se lidhet me menaxhimin kaotik të buxhetit të shtetit, me punë që duket se paguhen, por nuk kuptohet mirë nëse kryhen apo jo. Që prej pesë vjetësh tashmë, qeveria përqendron shpenzimet buxhetore në fund të vitit dhe lë pa shpenzime buxhetore për investime pjesën më të madhe të vitit. P.sh. në tremujorin e parë, shpenzimet kapitale të qeverisë kanë qenë sa 10% e totalit të planifikuar për këtë vit, ndërkohë që situata normale duhej të ishte 25%. Në terma parash, kjo do të thotë se gjatë këtij tremujori, investimet publike duhej të ishin 23 miliardë lekë dhe jo 9 miliardë lekë. Kjo është një shumë e konsiderueshme parash. Shpenzimet e munguara në investimet publike prej 14 miliardë lekësh ose mbi 110 milionë euro, janë të barabarta me afro 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetor ose 3% të PBB-së tremujore. Me pak fjalë, nëse qeveria do të kishte një sjellje normale në ekonomi, rritja ekonomike e tremujorit të parë do të ishte 5% dhe jo 2%.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë. Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?

Gjergj Erebara: E rëndësishme është tendenca afatgjatë e PBB-së e kombinuar me ecurinë e inflacionit si tregues i konsumit. Në terma afatgjatë, PBB e Shqipërisë shpresohet të rritet në terma realë me rreth 4% në vit, kuotë që nuk e ka njohur që nga viti 2010. Kjo normalisht duhet të shoqërohet me një normë inflacioni mesatar prej 3% në vit, gjë që gjithashtu nuk është parë që prej një dekade. Kjo do të thotë se gjendja është keq dhe jo në përmirësim. Indeksi i Çmimeve të Konsumit, jo vetëm që nuk është 3%, (në maj ishte 1.5%), por është me dy kohë. Ky 1.3% rritje çmimesh në maj ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve të zarzavateve prej afro 13%, ndërsa të gjitha mallrat dhe shërbimet e tjera kanë një luhatje minimale rreth zeros. Stanjacioni në çmime, i shoqëruar me rritje anemike ekonomike apo me stanjacion në kredi e depozita, e bën situatën dëshpëruese.

Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve. Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?

Gjergj Erebara: Në vitet e shkuara, qeveria ka realizuar pjesën dërrmuese të investimeve publike në muajt nëntor e dhjetor. Kjo ngre dyshime të ligjshme nëse këto investime publike janë reale apo janë imagjinare. Është e vështirë të kuptohet se si ndodh që brenda një muaji, të kryhen punime publike në rendin e 100 apo 200 milionë eurove. Kjo me pak fjalë përbën një shpërdorim të madh ekonomik.

Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni. A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?

Gjergj Erebara: Raporti i Departamentit të Shtetit mbi Klimën e Investimeve për vitin 2019 është pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2018, me të njëjtat probleme të lidhura me keqqeverisjen. Por ka një dallim mes dy raporteve; DASH në vitin e kaluar theksonte shumë më tepër pritshmëritë nga Reforma në Drejtësi, të cilat, këtë vit nuk janë aq të theksuara. Kjo na rikujton ne që jetojmë në Shqipëri se tashmë nuk janë më pak muaj që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionojnë dhe se Reforma në Drejtësi, ndonëse ka hequr një numër të lartë gjyqtarësh e prokurorësh me pasuri të dyshimta, nuk ka sjellë ende ndonjë përmirësim.

Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë. Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?

Gjergj Erebara: Këtu mbërrijmë te problemet afatgjata të shkaktuara nga akumulimi në kohë i keqqeverisjes deri në papërgjegjshmëri absolute të ekonomisë. Në një vend që nuk ka rritje ekonomike prej një dekade, që ka paga pak a shumë në stanjacion dhe taksa në rritje, ajo që humbet është shpresa. Mungesa e shpresës largon ata që kanë fuqi për të ikur, të rinjtë, profesionistët, të aftit, të fortët. Kjo natyrisht që përkthehet në konsum më të ulët, në të ardhura buxhetore më të dobëta dhe në nxitje për më shumë rritje taksash, nga ato që kanë qenë të shumta gjatë muajve të fundit.

/Mapo.al


Etiketa: , ,

Pas