Aktualitet

Gjermania i dhuron Policisë shqiptare 14 automjete me vlerë 305 mijë euro














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:51 - 22/09/21 |
mapo.al

Policia Federale gjermane dhuron 14 automjete dhe 3 sete Smartdec, për strukturat e Policisë së Shtetit.






Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf i dorëzon donacionin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.


Ambasadori Zingraf është shprehur se “Lufta kundër krimit të organizuar është një ndër pikat më të forta të bashkëpunimit mes vendeve tona”.







“Dhurimi i këtyre pajisjeve për Policinë Kufitare të shtetit shqiptar, gjithashtu dhe për Policinë Kriminale është një shenjë e fortë bashkëpunimi për të luftuar mbi të gjitha migracionin e paligjshëm, por dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Këto automjete që po dhurohen do të ndihmojnë më tej për të përballuar sfidat që ka Policia Kufitare dhe gjithashtu për të përforcuar akoma më tej flotën e automjeteve të Policisë së Shtetit”.



Veliu ka theksuar: “Mbështetja e vazhdueshme e Policisë Federale gjermane, për Policinë e Shtetit ka rritur efikasitetin dhe rezultatet e punës së Policisë Kriminale dhe asaj Kufitare. Donacioni do shërbejë në rritjen e performancës në drejtim të kontrollit të kufijve, parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare”.



Fjala e plotë e Ardi Veliut

Është e disata herë që zhvillojmë ceremoni për donacione, ndaj me lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time për mbështetjen që qeveria gjermane, nëpërmjet ambasadës në Tiranë, Policisë Federale dhe agjencive ligjzbatuese gjermane, i ka dhënë dhe po i japin Policisë së Shtetit.

Donacionet e dhëna më parë dhe ky i sotmi janë shumë të rëndësishëm për ne, janë vlerë e shtuar në punën tonë, pasi shërbejnë në rritjen e efikasitetit të punës dhe rezultateve të Policisë Kriminale dhe asaj Kufitare.

14 automjete dhe tre sete Smartdec, me vlerë totale 305 mijë euro janë një ndihmë e konsiderueshme për punonjësit e Policisë Kufitare, pasi shërbejnë në rritjen e performancës në drejtim të kontrollit të kufijve, parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare.

Rinovimi i flotës së Policisë së Shtetit, me automjete të reja dhe cilësore, siguron një lëvizshmëri të shpejtë, efikase dhe njëherazi përmirëson kushtet e punës dhe të shërbimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese gjermane është shtrirë në fusha të ndryshme si trajnime, asistencë teknike, mjete transporti, pajisje e materiale të ndryshme për Policinë Kriminale dhe forcat speciale etj.

Lexo edhe :  Shpejtësi skëterrë në rrugë, Policia ndëshkon pilotin e “Range” me 194 km/h

Me këtë rast vlen të rendis disa fakte:

Për periudhën 2017-2021 janë bërë donacione të ndryshme që e kalojnë vlerën e 350 milionë lekëve të reja, të destinuara në:

-Dhurimin e 102 automjeteve, nga të cilat 21 mjete për strukturat e Drejtorisë Qendrore Hetimore dhe 81 automjete për strukturat e Policisë Kufitare;

-Kompletimin e strukturave të Drejtorisë Hetimore Qendrore dhe strukturave të Policisë Kufitare, me pajisje për kryerjen e operacioneve speciale dhe kontrollin e kufirit;

-Pajisje për Njësinë e Antieksplozivit,

-Njësinë e Snajperëve

-Njësinë e Vëzhgimit

dhe për Repartin Special “RENEA”;

-Dhurimin e një mini-laboratori modern, Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, për ekzaminimin e dokumenteve të udhëtimit.

-Trajnime të ndryshme me tematikë taktike dhe operacionale si: zgjidhje situatash pengmarrje, ndjekjen/survejimin e alternuar dhe arrestimin në zona rurale dhe interurbane të personave në kërkim etj.

-Policia Federale gjermane është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në Operacionin Western Balkanas 2019-2020, të FRONTEX në vendin tonë;

Aktualisht, ekspertë gjermanë, të atashuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë me ekspertet e Policisë shqiptare dhe janë në fazën e fillimit të trajnimit të forcave speciale.

Bashkëpunimi me Policinë Federale gjermane ka qenë shumë i suksesshëm edhe në shkëmbimin e informacionit për verifikimet e identitetit të shtetasve të ndryshëm dhe ripranimin e menjëhershëm të shtetasve shqiptarë, që kapen nga autoritetet gjermane, duke përdorur dokumente udhëtimi të falsifikuara.

Kontributi dhe angazhimi i Oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale gjermane për forcimin e marrëdhënieve mes dy policive dhe në sigurimin e mbështetjes logjistike që i është ofruar Policisë Kufitare, ka qenë mjaft i madh.

Të gjitha këto që përmenda më lart tregojnë më së miri për mbështetjen e madhe që Policia e Shtetit ka nga partnerët strategjik, siç është Policia gjermane.

Mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin e fituar nga partnerët, Policia e Shtetit e ka shfrytëzuar dhe përdorur në interes të rritjes së cilësisë së shërbimit dhe të rezultateve në luftën kundër paligjshmërisë në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Duke përfunduar, siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është më profesionale, qartësisht e orientuar, e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin dhe çdo paligjshmëri, duke krijuar një ambient sa më të sigurt për ta, si dhe të garantoj partnerët tanë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për vendosmërinë tonë në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.

43


Etiketa: , , ,

Pas