Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.
Megjithatë, sipas saj, ka ende disa procedura që duhet të përmbushen nga ana e Kosovës.
“Gjermania e mbështet shumë qartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Mirëpo, kjo rrugë duhet të ecet dhe mund të ketë edhe pengesa, mirëpo ne e mbështesim Kosovën në këtë rrugë. Kjo nënkupton se edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, ne po mundohemi në kuadër të Procesit të Berlinit, t’i japim një dinamikë këtij procesi, në mënyrë që pengesat të hiqen dhe parakushtet të krijohen”, tha ministrja.
Ajo shtoi se Gjermania do t’i qëndrojë në krah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake.