fbpx

Kryesore

Gjesti i një ambasadori që solli revoltë





               Publikuar në : 09:32 - 15/10/19 |
mapo.al

Një ditë pasi ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Bochardt fyeu protestuesit e “Astir” duke u treguar me nervozizëm dy herë gishtin e mesit, politikanë të opozitës dhe analistë reagojnë ashpër. Borchardt “pendohet” për gjestin: “Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer”. Banorët që u fyen nënshkruajnë peticion për shkarkimin e ambasadorit. Bochardt shkeli parimet e misionit të OSBE-së; barazinë gjinore dhe të drejtave të njeriut.


U desh një moment “sinqeriteti” i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt, që të na tregonte jo vetëm gishtin e mesit, por gjithë pikëpamjen e tij për këdo që proteston dhe kë ai mbron. Ndërsa banorët e “Astirit” protestonin para Drejtorisë së Policisë së Tiranës kundër arrestimit të të afërmve të tyre, ambasadori Borchard, u tregon protestuesve gishtin e mesit, në një gjest të rëndë, fyes dhe në kufijtë e një hiliganizmi të theksuar përçmues. Pas orësh të tëra debati në rrjetet sociale dhe në pak media që ende japin të vërtetën, nëse ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt kishte bërë apo jo një gjest të pahijshëm ndaj protestuesve të “Astirit”, vetë ai ka reaguar ftohtë në dy rreshta në Twitter, duke kërkuar ndjesë për gjestin e tij, ndërsa shton se mbështet të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht.



“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”- shkruan ambasadori Bernd Borchardt. Vetë Borchardt qëndroi i qetë në heshtje disa orë që edhe këtë ndjesë të vakët që nuk shpreh ndonjë “pendim të thellë”, ta bënte në profilin e tij në Twitter. Duket se kjo nuk ka uluar aspak revoltën e protestuesve të cilët u fyen prej tij. Banorët e “Astirit”, që u përballën me gjestin fyes të ambasadorit të OSBE-së, Borchard firmosën dje një peticion ku kërkojnë shkarkimin e tij.


Ambasadori kaloi indiferent pranë protestuesve mbrëmjen e së hënës dhe disa prej tyre iu drejtuan me fjalët “Shame on you” dhe “Rama ik”. Ky moment bën që Borchardt të humbasë qetësinë dhe në largim e sipër nxjerr gishtin e mesit të dorës së djathtë dy herë, madje në revoltë të theksuar ndaj protestuesve, të cilët në të shumtën ishin gra dhe nëna që britnin para policisë për lirimin e të arrestuarve. Nuk është risi qëndrimi i ambasadorit që duket se ka “alergji” ndaj çdo proteste me parullat “Rama ik”. Për gjestin e diplomatit, i cili vetëm me diplomaci nuk u soll, ditën e djeshme pati reagime nga përfaqësues të opozitës, por edhe nga shoqëria civile, të cilët dënuan gjestin e numrit një të OSBE-së në Tiranë.

Politika opozitare reagon

Ka kaluar me reagime në facebook dhe jo nga zyrat qëndrore të partive opozitare veprimi i rëndë i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili mbajti qëndrim të ashpër në facebook, duke kërkuar edhe largimin e Bochardt. “Jashtë nga Shqipëria Borchard! Ky halabak që guxon dhe u tregon gishtin e mesit shqiptarëve. Ky që qepi gojën për votimet puniste të 30 qershorit. Ky që mbylli gojën për raportin e OSBE-ODIHR për 30 qershorin. Ky që paturpësisht ndryshoi fjalën brenda natës për drogën që mbuloi Shqipërinë. Ky që në 2008-ën i bëri duart flakë kur duartrokiste shkatërrimin e Kushtetutës dhe zgjedhjeve. Ky nuk është OSBE, ky nuk është Europa, ky është thjesht një individ i akaparuar.

Presim tani që Edi Rama t’ia marrë përqafë gishtin që ngriti Borchard dhe t’i kërkojë atij ndjese, hë jepi Edi ç’pret?” shkruan Vasili. Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shkruan se gishti i Borchard tregon dështimin e OSBE në Shqipëri. “Gjeji vend atij gishti zoti Ambasador! Këtë fyerje nuk ta kishim borxh. As ndonjë kusur nuk të kërkoi njeri! Të qenit diplomat nuk të jep të drejtë të fyesh askënd në shtetin ku shërben! Ai gisht i ngritur, në fakt shpreh nivelin ordiner të një njeriu me nerva të lodhura, që nuk mund ta mbrojë por duhet ta ndëshkojë Konventa e Vienës”-thotë Manjani. Ky gjest u kritikua edhe nga Flamur Noka i PD-së në një reagim për mediat.

Një tjetër qasje mbi rolin e ambasadorëve të huaj dhe veçanërisht të sjelljes pa diplomaci dhe me njëanshmëri të tyre, mbajti edhe publicisti i njohur Kim Mehmeti. “Në të vërtetë gishtin e mesëm ai na e ngriti gjithë neve shqiptarëve, neve që assesi ta kuptojmë se shumë nga diplomatët e huaj që me aq zell na shesin demokraci, janë specialistë të rrugaçërisë. Dhe shtetet perëndimore i dërgojnë nëpër ‘Shqipëritë’ tona sepse i kanë tepricë teknologjike, që nuk u hyjnë në punë për asgjë. E ne, të tillë siç jemi, e siç na ka dhënë Zoti – përbuzës të vetvetes dhe lëpirës të të huajve – i përkulemi çdo të ardhuri nga bota e ‘civilizuar’ perëndimorë, duke e pëlqyer edhe gishtin e tyre të ngritur të mesit”-thotë Mahmeti.

Por ndërsa rrjetet sociale ziejnë, ambasadori është i qetë gjithsesi, mediat më të mëdha në vend u përkujdesën që pamjet që Bochardt që tregon gishtin e mesit protestuesve të mos transmetohej. Por ndodh edhe çudia. Ditën e djeshme bëhet lajm ndjesa që Borchardt, ku lexuesi dhe shikuesi nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë kishte ndodhur. Ato pamje ku kreu i OSBE-së në Tiranë fyen protestuesit do mbesë në historinë politike të Shqipërisë, ku ndodh që një ambasador të heqë petkun e diplomatit dhe fyejë qytetarët e një vendi ku ai shërben.

Kur Borchardt përdhos misionin

Në faqen zyrtare të OSBE-së në Tiranë thuhet se: “Veprimtaritë e Prezencës variojnë nga kontrolli i armëve dhe lufta kundër trafikimit e deri te reforma zgjedhore; nismat kundër korrupsionit; projektet për integrimin gjinor dhe mjedisor; mbrojtja e të drejtave të njeriut; reformat legjislative, gjyqësore dhe të medias; dhe ngritja e kapaciteteve të oficerëve të zbatimit të ligjit”.

Që të gjithë janë “objektiv” i punës së tyre, por kreu i OSBE-së shkeli së pari: “Integrimin gjinor”. Protestuesit shumica ishin gra dhe gishti i mesit nuk është vetëm fyes, por edhe diskriminues. Protestuesit u përmbajtën, nuk reaguan, u revoltuan por nuk bënë gjeste të ngjashme. Shumë prej tyre shtangën gati nuk po u besonin syve, por pamjet e fiksuara nga kamerat ishin më se të qarta. Në pikën tjetër që Borchardt dhe vartësit e tij kanë për “mision” (të paktën në letra) është: “Mbrojtja e të drejtave të njeriut”. Njëra prej tyre, madje themelore është e drejta për të protestuar.

Njëra prej tyre ishte ajo e së hënës në darkë para policisë së kryeqytetit. Banorët e “Astirit” ishin aty për të reaguar kundër arrestimit të bijve të tyre, të cilët në ditën e 350 të protestës po reagojnë në mbrojtje të banesave që të mos shkatërrohen nga një projekt i qeverisë, i cili në fazën e parë rezultoi korruptiv dhe në shkelje të ligjit.

Ishte protestë paqësore, vetëm me thirrjet “Rama ik” dhe në fund pasi panë Borchardt u drejtuan edhe “Shame on you”. Ambasadori edhe në këtë pikë me gjestin e gishtit të mesit shkeli parimin tjetër të misionit ku ai pretendon se po e zbaton në Shqipëri: “Mbrojtja e të drejtave të njeriut”. Arrestimet e paligjshme, dhuna policore dhe pengimi për të protestuar, qoftë edhe para zyrave të policisë është mohim i të drejtave të njeriut. Një ndjesë (ndoshta e detyruar dhe jo e ndjerë) e Borchardt është fare pak para gjestit të rëndë.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas