Editorial

Gjethet e fikut të mesit të shtatorit







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:34 - 19/09/20 |
Mapo.al

Brenda 48 orëve kishte një kordinim energjik të rilindjes për të mbuluar disa probleme e dështime të qeverisë.


Teksa edhe sot ndodhi një vrasje, dhe pak ditë më parë kur pati atentate e shpërthim tritoli në mes të kryeqytetit, e Ministri Lleshaj u shpreh me cinizëm se nuk qenë këto ngjarje kataklizma e Shqipërisë, u gjet një mënyrë për të mbuluar një të tillë deklaratë aspak simpatike.


Dolën lajmet për ndryshimet në kupolën e Ministrisë së Brendshme, dhe u fol gjërë e gjatë për Sekretaren e re të Përgjithshme atje. U fol për moshën, të shkuarën në industrinë e show-bizit, për karrierën e shpejtë.



Pra u gjet një mënyrë për të hequr vemendjen nga bilanci i rëndë i përplasjeve kriminale në vend.


Kriza e madhe ekonomike, papunësia dhe varfëria në rritje, janë një gjë me të cilën qeveria jo vetëm nuk ballafaqohet, jo vetëm nuk e zgjidh, përkundrazi e thellon.


Përpjekja e saj mbetet sërish në propagandë. Në prodhimin e një realiteti tjetër, për të harruar therësin, ekzistuesin. Lypset pra një tjetër gjethe fiku.

Ja ku shfaqet Elisa Spiropali në një intervistë tek “Zonë e Lirë”, ku deklaron se kriza në thelb është gjë e mirë. Sepse i bëka shqiptarët më të zhdërvjellët, më symprehtë, më vigjilentë. E të tillë, ata nuk do i japin vetëm mandatin e tretë rilindjes, po shumë sosh. Deri në përjetësi do votohen këta.

E prej mbrëmë, më pak flitet për krizën, e më shumë për Elisën.

Një prej dhimbjeve akute të qeverisë dhe Ramës, është dështimi në Berlin për të takuar kancelaren Merkel. Ai vetë e rriti kaq shumë pritshmërinë, sa media pranë tij e dha me tone pompoze se kryeministri do të pritej nga njeriu më i pushtetshëm i Europës.

Doli se Merkel nuk pati kohë. Madje e injoruan edhe dy drejtuesit e grupit parlamentar CDU-CSU. Refuzuan Ramën që përdori atje edhe kostumin e Kryesuesit të OSBE-së.

Cila gjethe fiku mund ta mbulonte këtë plagë.

U gjet sakaq. Çalltisi Taulant Balla nga Bavaria, i cili i solli vatanit lajmin e mirë se ka gjetur formulën e duhur për reformën zgjedhore. Ai nuk është më pak entuziast se Elisa. Shpalli se kjo mazhorancë do të marrë në zgjedhjet që po vijnë edhe më shumë mandate.

Shkenca dhe NASA ende nuk e kanë zbuluar, po këta jetojnë në një botë e planet tjetër me siguri. Dhe si ka mundësi që nuk kuptojnë një gjë elementare. Sa më tepër e theksojnë se meritojnë më shumë pushtet, aq më shumë rrisin revoltën, dhe aq më shumë do të ndëshkohen të dielën e fundit të Prillit që po vjen.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas