Mapo Letrare

Gjethet i doja me sy ëndrre







               Publikuar në : 16:33 - 10/08/19 |
mapo.al

Poezi nga Thomaidha Tanuçi


Maligun

Fëmijëria ime një oborr me baltë,
vizatoja me shkop një mal
dhe emrin ia thosha “maligun”;
doja të gjithë të flisnin gjuhën time.
Pastaj vizatoja një shtëpi
me muret që pikonin trungje;
doja ta bëja pikturë,
gjethet i doja me sy ëndrre,
ëndrrës nuk i gjeta fjalën, ta thoshnin të gjithë.
Doja të shtoja grinë, të bardhën, blunë,
portokallinë, ujin, diellin, borën;
por tek rrekesha të gjeja fjalën,
binte shi dhe ajo rrëzuar mbetej,
dimërdritaret me ngrinin në duar.
Një ditë shtëpia u bë e bardhë,
prej shkumësit mbi asfalt;
për të gjetur syëndrrën,
i shtova dy krahë…
Trungjet ishin bërë pemë,
as ishin tharë, as prerë nuk ishin,
çuditërisht gjeta:
të bardhën, portokallinë, blunë.
“Syëndrra, syëndrra!”, – zgjat duar në prekje,
shoh veten mbuluar me fustan,
unë dhe fustani zhytur në baltë;
aty, ashtu,
nisa prapë të ndërtoj shtëpinë.

Pellgje shiu k’ta sy sot

Si pellgje shiu këta sy sot,
padukshëm nëpër mall këndellen
në një gotë vere…

E pambrojtur nga dehja
si liria tretem në këtë lëng
dhe të pushtoj;
të pushtoj…
si më ka pushtur kjo dehje…

Ngatërrohet vetja nëpër ty
dhe… heshtje!
Heshtje!

Oh, kjo jetë me lëngje sysh,
si pasqyrë shihet
në lëng të kuq…

Shiko,
shiko si jam lidhur pas teje.
Ti nuk më flet,
Unë gjej fjalët,
flas për mua dhe ty;
normalët hyjnë në monolog;
të marrët flasin me zë lartë
për dy.

Duhet të fle;
por në gojë m’ fle nata.
Dita zgjohet e rrënohet mbi dritë;
e unë jam e fortë vetëm kur eci me ty;
zbathur, nëpër lëndinat e dashurisë.

Më shijon ky lëng.
ndjej gjuhën e athët dhe të mpirë;
nuk dua të zgjohem
nga kjo humbësi…

Ngjyra e heshtjes

Ndonjëherë skuqem prej vetes
skuqem prej vetes ndonjëherë;
kam përtypur gjithë mëngjeset e akullta,
kam thirrur ” oh”
dhe kam pritur…

Shtrirë mbi pendesat e ngjyrave,
filloj të humbas ngjyrën e syve
dhe belbëzoj harresat e fjalëve.

Brenda pëllëmbës sime,
duart e plagës kapin pishtarin,
pishtar i skuqes sime,
më thotë:

“Është ngjyra e heshtjes
për të cilën ti po hesht,
ngjyra e heshtjes ose…

Zoti po mbjell lulëkuqe
në lëkurën tënde të grunjtë.”

Kur çasti më bëhet

Kur çasti më bëhet
dhembje,
mungesë,
harresë,
e tashmja më duket kujtim.

Zgjedh udhëtimin me anijen e vjetër,
bashkudhëtarë të çuditshëm të fjetur.

Piskama e sirenës na zgjon,
ndajmë në heshtje vaktin mbetur,
në pjesë e ndajmë vetminë,
humbja ishte ndarë në vaktin tjetër.

Kur çasti më bëhet
dhembje,
mungesë,
harresë,
në anijen e çuditshme
me udhëtarë të fjetur,
zhvesh rrobën e natës
në agim
dhe vishem me mjegull…

U bana erë

U bana erë,
t’kam ledhatue
e s’e ke dit’
se kam ken’ un’.

U bana erë
e t’kam puth,
si un’ kam dit’
e s’e ke dit.

U bana erë
e t’kam flladit’
si flladis un’
e s’e ke dit’.

U bana erë
e shkova n’qiell,
tokë e xehtë,
me epsh e zjarr;

të gjeta shi
e lang nektar;

e në pafund,
ti s’e ke dit,
ty t’jam fal.

A ma ndive zanin kur t’thirra?

A ma ndive zanin kur t’thirra
n’ zheg t’korrikut,
nën hije t’sallgamit
n’ djegogur të zhegut?

Pranë shkambinjve ku andërronim
të ndiznim trupat tanë
e bluja të na freskonte zjarrmin.

E degjove thirrjen e shpirtit t’vram’
dhimbën që qan.
E ndive dhe shkove si i humbun – humbove
errësinës qorre kërkove
falje.

A e pe dritën e lotit n’humnerën
e sterrë?
Ku ngrehen leqet e bahen hiena
e gjaku rrëken’ përroit;
e dhimbja bahet udhë…

A e ndjeve zanin – ushtimë?

Ushëtimë e të vdekunit mbetun gjallë,
n’zori; q’ofshante dhimbje,
m’at nat’ Tetori.

Stinë pritjesh, kohë dhimbjesh.

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas