Kryesore

Gjiknuri email opozitës: Nesër kthejmë përgjigje për hapje ose jo 100% të listave dhe koalicionet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:45 - 27/07/20 |
mapo.al

Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, iu ka nisur një tjetër e-mail përfaqësuesve të të gjitha palëve politike në këtë këshill, ku i informon se paketa e dytë e nismave ligjore të dala si produkt i tryezës së Këshillit Politik është depozituar sot në Kuvend me firmat e deputetëve të mazhorancës.


Në e-mail, Gjiknuri sqaron se “masat e marra adresojnë jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve te OSBE/ODIHR por edhe shqetësimet e shprehura nga opozita jashtëparlamentare”.


Më tej, Gjiknuri iu kërkon palëve politike një tjetër mbledhje të Këshillit Politik ditën e nesërme, në orën 11:00.


Emaili i plotë i Gjiknurit:


Të nderuar kolegë,

Ju vë në dijeni se paketa e dytë e nismave ligjore të dala si produkt i tryezës së Këshillit Politik u depozitua sot në Kuvend me firmat e deputetëve të mazhorancës. Kuvendi tashmë fillon procedurat parlamentare për shqyrtimin e amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik për: 1) Kodin e Procedurës Penale; 2) Kodin Penal; 3) Ligjin për Policinë e Shtetit; 4) Ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve; 5) Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; 6) Ligjin për Funksionimin e Prokurorisë dhe 7) Ligjin për Partitë Politike.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin në përmbylljen e kësaj pakete të dytë amendamentesh, shpreh besimin se masat e marra adresojnë jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve te OSBE/ODIHR por edhe shqetësimet e shprehura nga opozita jashtëparlamentare.

Duke qenë se tanimë mbetet për tu përmbyllur edhe paketa e tretë që ka të bëjë me ligjin e ri zgjedhor i cili do të hyjë në fuqi pas dy proceseve të ardhshme zgjedhore e që sanksionon edhe depolitizimin e administratës zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoj:

Mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, me rend dite:

a) Prezantim nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.

b) Kthimi i përgjigjeve nga ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.

Në pritje të konfirmimit tuaj,

Damian Gjiknuri


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas