Përfaqësuesi i qeverisë në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, tha se bisedimet për strukturimin e KQZ nuk ishin të frytshme sot, pasi sipas tij, pretendimet e Opozitës për këtë institucion cojnë në politizimin e tij, dhe në kthimin e një KQZ-je, siç e kemi sot.
Gjiknuri po ashtu, shtoi se PD dhe LSI kërkojnë elemente garancie, si votim të cilësuar në KQZ për vendimet, dhe kjo sipas tij, sërish të dërgon tek institucioni që kemi sot.
I pyetur nga gazetarët, nëse qeveria dhe PS duan anulimin e koalicioneve parazgjedhore, Gjiknuri tha se mazhoranca do të shprehet e fundit për sistemin, por ai e pranoi se kjo është një kërkesë e opozitës parlamentare, dhe theksoi se tashmë politika, është tripolare.
Oerd Bylykbashi i PD, u shpreh se opozita i qendron deri në fund marrëveshjes politike të arritur për reformën zgjedhore. Bylykbashi tha se ata kanë bërë një propozim për një formulë për ristrukturimin e KQZ, për ndarjen e saj në 3 trupa, sipas modelit të organeve të sistemit të drejtësisë.
Përfaqësuesi i PD theksoi se mazhoranca e kundërshtoi këtë, pa asnjë argument. Sipas Bylykbashit, Rama e bën këtë për të kapur KQZ.