Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri u bëri thirrje organeve të drejtësisë të godasin edhe nga radhët e opozitës. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjiknuri theksoi se janë bërë krime që i dinë të gjithë dhe sot mbeten pa ndëshkim, duke kërkuar nga prokurorët të mos tremben para presioneve politike të opozitës. Gjiknuri theksoi se shqiptarët kanë nevojë për drejtësi të pavarur.
“Kundërshtarët tanë kanë qenë gjithmonë kundër reformës në drejtësi dhe e kanë shprehur me vepra, po e shprehin dhe me fjalë”, tha ai.
Opozita që drejtohej nga Berisha, sipas tij, “kishte investuar fort për këtë drejtësi me njerëz që filloi nga viti 1992 me reformën e famshme të plepave për të kapur sistemin dhe mbrojtur veten e tyre”.
“Kjo ndodhi me drejtësinë e Saliut dhe kjo diktoi dhe nevojën e reformës në drejtësi. Patjetër që drejtësia e re do të marrë vitet e saj. Në fakt, sistemi i vetingut goditi shumë njerëz. Kjo tregon dhe shkallën sesa keq ishte gjendja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në atë sistem. Problemi është sesi do ta bëjmë më mirë”, theksoi Gjiknuri.
Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të fitojnë më shumë pavarësi, duhet të vetërregullohen. “Nuk duhet të bien pre e presioneve të politikës. Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi nga të gjitha anët”, shtoi ai.
“Unë them se atyre që u duket se kanë shpëtuar nga drejtësia nuk e kanë më të drejtën morale të flasin këtu kur shikojnë që drejtësia sot godet nga mazhoranca. Nga ana tjetër, që të vendosësh drejtësi nuk duhet që të godasësh vetëm nga njëra anë. Nuk e kam për kompensim politik këtë, por janë krime që i dinë të gjithë, janë vepra që kanë ndodhur në sy të të tjerëve, janë dëme që i janë bërë Shqipërisë. Nuk paska drejtësi për këta?! Ndonjëherë drejtësia këtu bën kompromisin e statistikave, kjo është vërteta. Njërëz me influencë kriminale dhe politike edhe të së shkuarës i shpëtojnë drejtësisë”, tha Gjiknuri.
“Për këtë duhet të jemi vigjilentë si parlamentarë dhe pikërisht këtë i kërkojmë organeve të drejtësisë”.
“Ju të opozitës keni format tuaja të presionit që i aplikoni përditë duke goditur drejtësinë duke e vënë atë në presion. Nuk bëhet presioni ndaj drejtësisë me gjyqe popullore, as me foltore partish politike. Drejtësia duhet mbështetur, drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj. Prandaj ka një shumicë shqiptarësh që shikojnë dhe besojnë se kanë një qeveri që nuk e pengon drejtësinë edhe me kosto të sajën. Kjo është për tu vlerësuar”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri.
Mes debatesh është zhvilluar seanca plenare në Kuvend, kjo pasi Sali Berisha u bë sërish protagonist duke kërkuar më shumë kohë për të folur. Në mbrojtje të tij, dolën edhe besnikët Flamur Noka, Oerd Bylykbashi e Luçiano Boçi që kërkuan që Berisha të marrë fjalën, pasi deputetja Elda Hoti i kishte lënë radhën e saj.
Në fjalën e tij, Sali Berisha e vuri theksin te reforma në drejtësi, duke thënë se përse SPAK nuk heton ‘sarajet’ e Edi Ramës, apo Erion Veliajn dhe Arben Ahmetajt për aferën e Inceneratorëve. Përgjigja i erdhi nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili tha se Berisha sa herë është në hall sulmon organet e drejtësisë.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka ironizuar Sali Berishën duke i thënë të gëzohet se do bashkohet me Ilir Metën, por sërish do të marrin më pak vota.
Sakaq, kreu i SPAK, Arben Kraja ka raportuar sot në Kuvend për punën e Prokurorisë së Posaçme për vitin 2021. Ai tha se gjatë viti që lamë pas, janë regjistruar 15 procedime penale dhe janë hetuar 25 persona, ku kanë përfunduar dhe kanë shkuar në gjykatë 3 procedime për 7 të pandehur.
Kraja shtoi gjithashtu se janë dënuar 13 persona dhe janë sekuestruar 70 milionë euro pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme.