Tifozët shqiptarë duhet të bëhen gati për të parë në “Elbasan Arena” në fillimin e shtatorit lojtarin që është kthyer në një makth për përfaqësuesen kuqezi, Eran Zahavin. Sulmuesi ishte protagonisti kryesor i asaj humbje të dy viteve më parë kundër Izraelit në kualifikueset e Botërorit, duke shënuar dhe duke sjellë ndëshkimin e Etrit Berishës me karton të kuq, aq sa edhe trajneri i përfaqësueses asokohe, Xhani De Biazi, nuk ngurroi ta etiketonte një “bir k…” që ia kishte dalë të provokonte portierin kuqezi.
Zahavi i kishte dhënë lamtumirën përfaqësueses së Izraelit në fund të eliminatoreve të kaluara, pasi në një ndeshje kishte hedhur në tokë shiritin e kapitenit dhe kishte akuzuar se në kombëtare mungonte profesionalizmi e luhej pa zemër. Ai ishte përjashtuar nga kombëtarja e vendit të tij për këto fjalë, por me sa duket palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë nënshkruar “armëpushimin”.
Federata Izraelite ka bërë të ditur se Zahavi do të jetë pjesë e përfaqësueses për ndeshjen kundër Shqipërisë, në të cilën fillon rrugëtimin në Ligën e Kombeve. Lojtari pritet të dalë në konferencë dhe të kërkojë falje publike për gjestin e tij, pjesë e marrëveshjes për kthimin në ekipin i cili ka shumë nevojë për një sulmues me peshë dhe eksperiencë si Zahavi.