Gjykata Kushtetuese nuk e pezulloi ligjin për ndarjen territoriale, ashtu siç ishte kërkuar nga Partia Demokratike.
Megjithatë, kjo gjykatë vendosi ta vlerësojë në tërësi kërkesën e PD.
Deputetët dhe përfaqësuesit demokratë kërkuan kohë për të argumentuar se pse reforma madhore e mazhorancës është bërë në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit.
Demokratët kërkuan fillimisht pezullimin e ligjit për ndarjen administrative-territoriale më pas rrëzimin e tij.
Nga ana tjetër, përfaqësues të parlamentit dhe të qeverisë do të japin argumentat pro ligjit.
Nëse ligji nuk rrëzohet, atëhere zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në bazë të hartës së re, që e ndan vendin në 61 njësi vendore.
Ndërkohë edhe Shoqatat e Komunave dhe Bashkive e kanë kundërshtuar reformën dhe kanë nisur në KQZ kërkesat për referendume lokale.
Edhe presidenti Nishani nuk e vendosi ligjin e ri për ndarjen territoriale, duke e konsideruar si antikushtetues dhe të pakonsultuar me grupet e interesit.