Të shquash një kryevepër letrare në morinë e botimeve shqiptare ndër vite është atribut i emrave me integritet në kulturën shqiptare. I tillë ishte edhe forumi i mbrëmjes së 20 marsit mbi botimin e plotë të librit “Letra grues seme të vdekun” të Gjovalin Gjadrit, përkthyer nga Prof. Ardian Ndreca në ambientin e “Sallës Gjermane të Leximit” të Bibliotekës së Kombëtare, e cila shpeshherë shndërrohet në një tryezë të debatit letrar
Kur e pyeta tim atë, inxhinier në shumë hidrocentrale, nëse e njihte Ing. Gjovalin Gjadrin, me shume respekt tha “Posi jo. Ka qenë shume i zoti. E mbanim për shumë të zotë ne por edhe të huajt.” Dhe tani që kam në duar të vetmen vepër letrare të këtij gjeniu të ndërtimtarisë shqiptare mund të them të njëjtat fjalë dhe unë si im atë për shkrimtarin Gjovalin Gjadri. Vepra e tij më ka dhënë atë befasi të këndshme që më kanë transmetuar sonetet e studiuesit gjenial të gjuhësisë, profesor Eqerem Çabejt. Të dy këta personalitete kanë patur si primare në jetën e tyre veprimtaritë shkencore në fusha të ndryshme, ata kanë shkëlqyer në to, dhe njëkohësisht na dhurojnë nga një vepër letrare të cilat e nderojnë letërsinë shqiptare.
Të dy botëkuptimin e tyre kulturor e kanë formatuar në Vjenën e kulturës së jashtëzakonshme gjermane. Mjafton të lexojmë “Botën e djeshme” të Stefan Cvajgut sjellë në shqip mjeshtërisht nga Aristidh Ristani, për të kuptuar se çfarë përfaqësonte Vjena e asaj kohe aq më tepër ndikimin që mund të kishte ajo mbi studentët e rinj shqiptarë. Adhurimi për Vjenën arrin deri në ekstreme të tilla ku në letrën e katërt Gjadri i quan austriakët kështu: “Ata (mjekët austriake) s’do të ishin ba kurrë fajtorë për nji gabim mekanik në operacion, siç ishte rasti yt, pse asht nji privilegj i racave ma të forta që në çastet vendimtare, me qenë tejet serioz dhe të zotë.”
Ndaj pikërisht në këtë brumosje kulturore do ta kërkoja ngjizjen e kësaj vepre, e cila nuk e ka një të ngjashme si pararendëse në letërsinë tonë. Madje mendoj se vazhdon të jetë e vetmja në llojin e saj si dhe një novacion për kohën kur u shkrua edhe pse në optikën time duke filluar nga vitet 30 deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore letërsia shqipe pati kurbën e saj më të lartë (si Kuteli, Migjeni, Poradeci, Koliqi). Në rrugëtimin e letërsisë botërore veprat që i kushtohen vdekjes dhe fatit tragjik të njeriut janë dallueshëm të shenjuara duke filluar me Epin e Gilgameshit (Poemë epike nga Mesapotamia, vepra e parë e madhe e letërsisë), përkthim brilant i Anton Berishës. Të gjallë që në një formë letrare na sjellin të vdekurit kemi që nga Homeri, Dante (Komedia Hyjnore), Shekspiri (Hamleti) etj. Në baladat shqiptare më lejoni t’ju kujtoj Kostantinin e Garentinën e arbëreshëve të Italisë, apo Kengën e Dhoqinës me strofën e mirënjohur “keni par a s’keni parë / shkon një zogëz bishtbardhë / I vdekuri me të gjallë”. Por ky libër ka diçka më shumë që është tejet e vlefshme – ai ka zhdukur konvencionin artistik, këtë e konstatojmë duke cituar: “Penda e nji Pushkini o e nji Byron-i s’kishte mjaftue simbas meje për këtë gja, por edhe pse s’jam poet, un kam nji gja ma shumë se ata, nuk kam sajue asgja.” A mund të konsiderohet kjo vepër si një letërsi autobiografike duke kujtuar se autobiografizmi si praktikë krijuese dhe si teori letrare ka marrë formë dhe popullaritet vetëm në romanin e shekullit të XX? Sipas Filip Lezhënit (Philipp Lejeune, teoricien francez i letërsisë) “Autobiografia është një rrëfim retrospektiv në prozë që një person i njëmendtë bën pikërisht për ekzistencën e tij duke e vënë theksin te jeta vetjake, e në veçanti te historitë e personalitetit të tij.” Dhe ky përkufizim ka gëzuar konsensus nga qarqet universitare që prej vitit 1970. Unë mendoj se përderisa kritika franceze quan të tillë “Kohën e një psherëtime” të Ani Filip, gruas së aktorit të famshëm francez Zherar Filip, vepër e cila është e ngjashme në subjekt, por jo në formë me “Letrat…” e Gjadrit tonë, nuk ka pse të mos e konsiderojmë të tillë edhe këtë të fundit. Kjo vepër është botuar në Francë pikërisht 20 vjet pas librit tonë dhe në shqip është përkthyer nga Nasho Jorgaqi. Nëse do të bënim një krahasim letrar “Paradoksi i autobiografizmit – sipas Lezhën – është thelbi i lojës së tij të dyfishtë, i cili kërkon që të jetë provë e së vërtetës dhe vepër arti njëkohësisht.” Pikërisht në “Letrat…” e Gjadrit ky paradoks nuk ndjehet. Autori ka bërë një letërsi gërryese në brendësinë e autorit. Pikënisja e tij nuk ka qenë vepra e artit, por prova e së vërtetës, të cilën mund ta konkretizojmë duke cituar autorin: “Në këtë pikë m’asht dashtë me e shkye letrën dy herë, pse fjalët e mija nuk i përgjigjen aspak gjendjes teme të dëshpërueme shpirtnore. ….. Kur un shkruej, fjalët e mija duhet të jenë të natyrshme, nuk mund të merrem me përsiatje si në pjesën e letrave që kam shkye, sikur rrëfimi jem të bante fjalë jo për mue e për ty po për njerëz të huej. Jo, e dashun! Ç’ka un rrëfej ka të bajnë me ne të dy, unë vetë e kam përjetue, ashtu si mbi urë kur më mbërtheu ligshtia”. Nëse Gjadri zgjodhi ta shkruante dhe botonte këtë vepër në gjermanisht, përkthimi i saj nuk mund të vinte më bukur, sesa në dialektin geg, pikërisht në nëndialektin verior të gegërishtes, varianti perëndimor. Ngjan se kjo vepër ka bërë rrugën e kundërt. Nga gjuha e huaj është kthyer në gjuhën amtare. Përkthyesi ka bërë një punë të lavdërueshme. Vepra rrjedh siç rrjedhin mendimet e autorit. Përkthimi ruan ritmin e duhur të situatës duke na ngarkuar emocionalisht.
Gegnishtja i jep muzikalitet tërë veprës, madje mund të pohohet se e ka shndërruar në një prozë poetike, e cila mund të përballojë ngarkesa të tilla emocionale si në aspektin e strukturës së fjalisë ashtu edhe në atë të leksikut. Konstatohet një leksik shumë i pasur, të cilin vetëm ky dialekt e zotëron, ashtu siç dëshmojnë edhe fillesat e shkrimtarisë shqipe (me Mesharin e Gjon Buzukut, Formula e Pagëzimit etj.). Është shumë e lehtë që kjo formë letrare, së cilës i mungon veprimi i jashtëm të bjerë në një letërsi gjendjeje, në patetizëm. Por pikërisht mjeshtria e autorit, e sjellë në mënyrë perfekte nga përkthyesi, e ka shmangur plotësisht këtë rrezik. Hera-herës brenda rreshtave, nëse do t’i vendosnim gjymtyrët e fjalisë në mënyrë vertikale, përkthyesi ka arritur të na japë poezi të shkurtra fantastike që e hijeshojnë narracionin. P.sh: Në një fjali të faqes 115
Ç’ka kisha afër
E shihja tepër të zmadhueme,
Ç’ka kisha larg meje
Shikimi jem e kapte shumë të zvogëlueme.
Apo në një fjali të faqes 118
Sytë e tu të bukur
Nuk kanë me pa ma
Duert tueja të bardha
S’kanë me lëviz ma.
Të tilla mund të shquash edhe në faqe të tjera të librit, të cilat dëshmojnë për një zotërim të përsosur të gegnishtes letrare nga ana e përkthyesit. Edhe lexuesi që nuk ka afrimitet me këtë dialekt, ky përkthim kaq profesional nuk i krijon asnjë lloj barriere për kuptueshmërinë dhe shijimin e tekstit letrar. Përkundrazi i përcjell kënaqësi estetike dhe gjuhësore. Objekti lidhës i gjithë veprës është letra. Letra si mjet komunikimi midis dy njerëzve, letra përpara se të martoheshin dhe letra pasi i vdiq e shoqja autorit. Letrat e para të fillimit të dashurisë nga ato të dytat pas vdekjes i ndan një hark kohor prej shtatë vjetësh, por autori në rastin e letrave pas vdekjes si një gjetje letrare ka letrën brenda letrës duke na sjellë kështu një instalacion artistik. Me mjete shumë të thjeshta arrin të krijojë një vepër artistike që përmban qëllim dhe emocion. A nuk është kjo mënyra sesi krijohet një instalacion artistik në artin modern?!
Përveç dakordësisë që kam ndaj gjithçkaje që u tha lidhur me këtë vepër do të doja të shtoja se kjo vepër është edhe një himn që i bëhet letrës si mjet komunikimi, e cila tanimë është zëvendësuar nga ftohtësia e teknologjisë bashkëkohore. Për një lexues të selitur sjell në kujtesë poezinë e famshme “Letra” të poetit spanjoll Migel Hernandes (Miguel Hernadez), përkthyer mjeshtërisht nga prof. Plasari në “Antologjinë e poezisë spanjolle”. Është një vepër që pa diskutim i jep vlerë letërsisë shqiptare dhe një himn për familjen. Është një vepër, e cila nuk ka kohë, sepse emocioni që mbart është i pakohë. Tri rreshtat përmbyllës të letrave të Ing. Gjadrit: “Due me të nderue tue mbajt zi. Due me të qa me zemër të pastër, pse lotët e mij kanë me u terë vetëm kur të shtrihem në vorr afër teje”.