Bisedë me Ardian Ndrecën, studiues, botues i “Shejzat”, profesor në Universitetin Urbaniana në Romë, (Itali)
Bashkëbisedoi Mark Simoni
Si e keni përjetar epideminë?
Epidemia e koronavirusit ka qenë për mue nji shkak për me u përmbledhë në vetvete dhe me pasë ma shumë kohë për me punue. Ndoshta kjo asht epidemia e shekullit dhe ajo që po përjetojmë sot na ka tronditë thellësisht si shoqni, por un shpresoj që të trondisin ma shumë ata që do të vijnë mbas nesh. E shohim të gjithë sesi asht zgjue tek të gjithë ne ndjenja e pasigurisë, sidomos pasiguria që buron prej idesë se as shkenca dhe as teknika nuk janë të mjaftueshme. Asht paradoksale por zgjidhja e vetme që na u ofrue ishte ajo ma e vjetra: karantina. Shpresoj të nxjerrim ndonji mësim në lidhje me randësinë e ekosistemit, për të drejtën që njerzit kanë me jetue në nji botë ma të mirë. Kjo asht nji çështje madhore që s’mund ta përballojë e vetme nji adoloshente me shikim të egër që detyrohet me lanë edhe shkollën për me sensibilizue botën mbarë. Ajo që pyes veten asht se çka do të mendojë politikani tutkun i rradhës kur në Tiranë të jenë betonizue edhe ato pak hapsina të blerta që kanë teprue, kur ajri të jetë aq i ndotun sa edhe zogjve t’u merret zani! Shihni shtretnit e lumenjve tek ne, tymin e makinave, shkatrrimin e pyjeve, betonizimin dhe çoroditjen e hapsinës urbane! Mendojini këto në shkallë globale dhe mandej nxirrni konkluzionet tueja. Viruset janë rezultat edhe i shkatrrimit të ekuilibrit ekologjik që sjell shkapërcimet dhe përshtatjes së tyne nga speciet të cilave u përkasin tek njerzit.
Çmendoni rreth përkthimeve në gjuhën shqipe?
Kur mendoj për përkthimet në gjuhën shqipe un kthehem mbrapa në kohë. Nuk lexoj letërsinë e huej që përkthehet sot. Më ka ra rasti me pa ndonji përkthim të ndonji libri filozofik dhe më ka kapë mnera. E kam të qartë se sot qasja ndaj tekstit dhe ndaj gjuhës asht tepër sipërfaqsore. Përkthyesat që kam un ndër mend janë Frano Alkaj, Pashko Gjeçi, Mark Dema, Gjon Shllaku, Guljelm Deda për me përmendë veç shkollën shkodrane. Jam i bindun se gjuha shqipe ka forcë me pranue kryevepra, por ka shumë randësi kultivimi i saj dhe dashunia për rranjët e saja. Çka duhen fjalët, sado të zgjedhuna, kur sintaksa që përdorë kur përkthen asht mjerane dhe kumtet e tua s’kanë asnji logjikë dhe ndjesi! Duhen formue mësuesat e gjuhës shqipe, mandej duhet mësue gjuha shqipe si landë kryesore në shkollë e mbas nja 20-vjetësh mund t’i korrim frytet e para!
Diçka rreth “Shejzat”…
Revista “Shejzat” ka rilindë me qëllimin me përbashkue studiuesat e huej dhe shqiptarë në lamijen e shkencave albanologjike, historike, letrare etj. Tashma u banë katër vjet që del rregullisht me nga katër numra në vit dhe cilësia ka ardhë gjithnji e ma shumë në rritje. Synimi asht që të mbajmë këtë ritëm dhe mundësisht të vijojmë traditën e organizimit të nji kuvendi ndërkombëtar krye dy vjetësh. Në tetorin e kaluem kuvendi i rradhës u mbajt në Zara të Kroacisë dhe pati shumë sukses, sidomos tema e tij: Simbioza në brigjet e Adriatikut. Takime dhe dialogje mes kulturave. Profili i revistës nuk asht ma ai me të cilin ajo pat lindë në fundin e viteve ’50, pse as ne nuk jemi ma në ato kushte dhe sot na duhet me u përballue me sfida tjera. Megjithaë vijon i njejti shpirt por në kushte dhe me mjetet e sotme dhe sidomos me qasjet e sotme metodologjike.
Dua mendimin tuaj rreth fondit të dialekteve…
Dialektet në çdo kontekst përbajnë nji pasuni, prizmi i tyne krijon si të thuejsh ylberin e gjuhës. Kuptohet e mira asht që prej tyne të ecet gradualisht rreth nji koineje. Rasti jonë asht pak i veçantë pse përpara kemi krijue koinenë e mandej jemi kujtue se ka diçka që nuk shkon në lidhje me pasuninë që kemi lanë mbas shpine. Un mendoj se jemi në gjendje edhe në kushtet e sotme kur gjuha rrezikohet prej mungesës së studimit të saj por edhe prej ndikimit të fuqishëm të gjuhëve të hueja, me ia riformulue sine ira et studio kërkesën për ndihmë dialekteve.
Me çka po merreni?
Kohët e fundit jam marrë me filozofinë urbane, me çështje që lidhen me hapsinën që bashkëndajmë, mënyrën sesi e konceptojmë atë dhe me problemet që lindin në gjinin e saj. Nji hapsinë e vërtetë urbane mbërrin me urbanizue ata që hyjnë me ba pjesë tek ajo, ndryshe ka diçka që nuk shkon në dinamikat dhe në shpirtin e saj. Nëse nji person që jeton i integruem për dy dekada në nji hapsinë urbane nuk urbanizohet, do të thotë se aty ka probleme të thella. Koha që jetojmë ne ka nji karakter tjetër prej asaj që i përkiste atyne që na kanë parapri. Pyetja asht a do t’i rezistojë identiteti ynë ndryshimeve drejt të cilave po shtegtojmë? Ne kemi nji traditë urbane të vonë por asht me randësi që tashti që kemi rastin dhe mundësinë t’i përshtasim realitetit tonë modelet ma të mira dhe jo ato ma të dobtat. Kam parasysh nji hapsinë urbane që asht ndërtue apo modifikue sidomos në dy dekadat e para të demokracisë, ka zona në shumë qytete tonat që ngjajnë ma fort me Rrypin e Gazës sesa me qendra të banueme europiane, pse e atillë ka qenë mendësia që i ka pjellë. Duhet të heqim dorë përfundimisht prej nënshtrimit të hapsinës urbane ndaj politikanëve të korruptuem dhe ndërtuesve të paskrupuj që tek ne janë me shumicë. Transformimi i qytetit duhet të bahet me pjesmarrjen e sa ma shumë aktorëve dhe grupeve të interesit, mundësisht tue e rishkrue gramatikën tonë urbane.