Mapo Letrare

Gjuhë gjestesh të krijuara mbas puthjesh (Cikël poetik)





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:06 - 11/07/20 |
Nga Neviana Shehi

KU TAKOHEN ERËRAT


Në udhëkryqin ku takohen erërat
e mëngjesit,
një pemë shkrimtare
më dha “këshilla prej peme”
-mbahu si vetja më tha
dhe’, kujtohu për rrënjët e tua
dhe lumturohu me portretin tënd
të gjelbër prej bari.
Shijoje qiellin, tokën, detin
vishu me muzgje,
për ta bërë xheloze mërzinë,
zhvishu nga myshqet e ditës,
ajrin zëre të dashur,
puthu me trupin e erës,
më pas, vizato linjat perfekte të lulebuzëve
dhe nënqesh me format naive të territ.


ÇAST


Pasi e lexova dhe ktheva faqen e fundit,
tregimi m’u shndrrua në mace,
hapi derën e dhomës
dhe u hodh mbi çati
me një elegance prej balerini.
E kishin dehur ngjyrat e agut
dhe një hënë e re mbështetur
mbi xhamat e mbrëmjes.
Më pas, hyri hyjnesha
me një tufe trëndafilash të egër në duar.
Gjithçka frynte atë çast,
shtegu i mendimeve të mia,
autoportreti i porsambaruar
i pyllit dhe, unë.
Të gjitha tregimet e bukura
s’janë gjë tjetër,
veçse gjuhë gjestesh
të krijuara mbas puthjesh,
zhurmë burimesh të kristalta,
ku krihen nimfa mesditash
e psherëtima pemësh të pavdekshme.
Këto gjuhë ju pëshpërisin bletët- luleve
duke u përgatitur të shtegtojnë nëpër kohë.


NGA NJË BOTË NË TJETRËN

Në pamundësi,
që të vij tek ti,
nis e krijoj nga hiçi
mbretërinë e fjalëve të mija;
mbretëresha sigurisht që jam unë.
Të gjithave iu vë mbi buzë nga një puthje
dhe thërras diellin t’i bekojë!
Çuditêrisht,
të gjitha fjalët që bëhem gati të t’i nis,
lindin vetëm në mëngjes,
ndoshta e dijnë,
se për të mbërritur tek ti
mund t’iu duhen ditë të gjata dhe javë,
për të përfunduar udhëtimin e tyre
nga një botë në tjetrën
gjersa
të gjejnë peshën dhe
domethënien e duhur.

NUK KEMI FRIKË

Libri,
është çrregullimi i pyjeve,
i foleve plot zogj,
i gjetheve në erë,
i dhomës së fëmijëve.
Rrëmuja e vendeve
ku nuk kemi frikë nga vdekja
dhe nuk kemi shkuar asnjëherë aty.
Jam e sigurt se në shpellën
ku lindi Jezusi kishte një “rrëmujë të shenjtë”.
të ngjashme me të

ISCHIA (Ti, unë dhe Elena jonë)

Dega e fundit u drodh
pa u marrë leje erërave,
më pas e kuqerremta e pafajshme
e zambakëve të ujit.

Po vinte mesdita dhe
unë fshiva pak mjegull nga sytë
(Sa shumë kisha ëndërruar dhe përsëri
isha kaq e etur për t’u ngopur me pamje)

Një ëndërr që zgjati sa një psherëtimë dashurije
Ku ish nisur vështrimi im atë cast ?
-Nje ishull po shfaqej nga barku i mjegullave dhe korit të sirenave të bardha.

Në të njejtën orë dhe minutë që ishte shfaqur edhe para njëqind vjetësh
dhe në të njejtën sekondë që i ishte shfaqur dhe zotit në ëndër, përpara një mileniumi.

Më pas erdhi krijimi,
gjithmonë i isha betuar vetes
të mos shikoj ëndrra mesdite
por ndodhi kjo gjë dhe betimi nuk bindet.

Marinaret na tundnin kapelet e zbardhura
ndërsa zambakët nisën të hynin brënda nesh pa u ndjerë.
Ishim berë të zambaktë,
ti, unë dhe Elena jonë.

Elena kish forcë edhe të buzëqeshte
ndërsa unë kisha forcë vetëm për t’u lumturuar.
Ështe kaq e etur kjo bukuri për ardhjen tonë
dhe brigjet ëndërronin për buzëqeshjet e tua,
Buzëqesh atëherë..

Kjo vjeshtë s’mund të ikte pa të marrë leje ty.
Miku im i padukshëm më thotë:
se jam e lindur për t’u mrekulluar.

99 VJET

Pak nga pak,
erdhi mëngjesi dhe,
shikimi im u bë det
ku mbyten gjithë anijet dhe
varkat e bardha të mbetura nga nata.
Unë isha zemra ku ti ankorove shpresën dhe
pse asnjëherë nuk të thashë…
Gjithmonë më është dashur
të fsheh dëshirat e vetvetes
në hambare anijesh.
E fundit që u largua bashkë
me të,
ishte pamundësija ime,
për të qënë pranë teje.
99 vjet e një muaj
ishte një protestë kalendarësh
që nuk më lejoi.
Më puth zemër,
ma puth shikimin,
99 vjet kaluan
tashmë kërkoj amshimin.

Grua

Ti pret me padurim të qarën e parë
dhe në ëndrra të bukura padashur përhumb mesazhin e jetës,çarçafët e bardhë
gugatjet e tij si pëllumb.

Çdo çast barku yt po merr pamjen e globit
më i bukur ,por dhe me rrumbullak
githë natën në ëndrra me foshnjën fjalosesh dhe gjumë bën gjithnjë e më pak.

Je kaq shumë fisnike dhe njëherësh kaq
e bukur,
si çdo nënë që pret një fëmijë
nga buzëgazi yt gjithë vdekjet rrijnë strukur
dhe globi më shumë zë të ndrijë.

Gjithmonë më je dukur shëmbëlltyrë perëndije
për këtë nuk dyshoj asnjë herë
kur botës i shton një filiz dashurije
një foshnjë me sy si pranverë.

Me qiellin ndërron ëndrra dhe fjalë kaq intime
dhe dhimbjes gjithë dyert ja mbyll
portreti i parajsës je ti mikja ime
dhe flladi i mëngjesit në pyll.

Cicërima e zogut të dehur në degë
aromë që nga lulja buis,
puhizë mbrëmësore që çdo varkë
puth në breg dhe lumë i gjërë i mirësisë.
E bukura e dheut ti,
Grua!

PYLLI PRANË SHTËPISË SIME

Gjer këtu ja ndiej frymëmarrjen,
klorofilin që lëviz nëpër tërë trupin tim.
Shtëpia ku unë jetoj dhe ai
kanë të njëjtën mushkëri dhe
të njëjtat rrënjë…
Drurë prej ere,
degë prej fëshfërime
dhe ketra që rrisin veten
duke ecur drejt majës.
Rreze të dashuruara mbas syve të mij dhe fëshfërimave të mbasdites…
Kaq kohë që nis ta bëj portretin e tij
dhe se kam përfunduar asnjëherë.
Kjo ndodh,sepse dashuritë e mëdha
gjithmonë më trondisin.
Ende pa mbërritur ti,
unë të shkrova mirëseardhjen
mbi krahët e bletëve dhe
një cicërime zogu,
sepse ardhje të tilla kthehen në feste për çdo pyll.
Thuhet se në rrugën ku fluturojnë ato, ndonjëherë bie një shi mjalti !
Degjohet një gurgullimë përroi
me gurë prej myshku dhe shkume…
Mjafton të duash ta shikosh
dhe ai të del përpara siç duhet të ishte në ëndrrat e tua.
Preke, e ke kaq afër,
pesë hapa përtej dëshirës tënde
dhe një kërcim brirësh dreri,
drurë prej ere,
përjetësi prej uji…
Një grua e bukur dhe një pemë në pyll
kanë të njejtin mbiemër.

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas