Nëse për diçka shqiptarët e Kosovës duhet t’i thonë faleminderit emisarit amerikan Richard Grenell, atëherë për meritën e tij për t’i zgjuar nga gjumi europianët, e sidomos gjermanët, të cilët që një dekadë flenë, shikojnë me indiferencë zhvillimet në Ballkan, mbajnë qëndrim gjithnjë e më neutral ndaj politikave agresive të Serbisë në rajon, bllokojnë liberalizimin e vizave.
Se çfarë do të sjellë e ardhmja nga “fushata ndërmjetësuese” e Grenellit mbetet të shihet, por për rolin e gjumëprishësit të europianëve ai ka merita.
Kanë qenë zyrtarët e papërgjegjshëm të BE-së që nuk i kanë stopuar bisedimet për prishjen e kufijve të Kosovës, përkundrazi: Federica Mogherini ka qenë mbështetëse e “korrigjimit të kufijve të Kosovës“, zyrtarja cinike e BE-së, Angelina Eichhorst, ka lënë të kuptohet qartë se “edhe Serbia duhet të fitojë diçka”, komisioneri austriak i BE-së Johannes Hahn ka folur po ashtu për “shkëmbimin e mundshëm të territoreve” (“Washington Post”, 14 prill 2019), kancelari austriak Sebastian Kurz dhe diplomatë francezë kanë dërguar sinjale se mund të përkrahin idetë e tilla, edhe Josep Borelli, shefi i ri i diplomacisë së BE-së ka deklaruar: nëse duan t’i prekin kufijtë, kush jemi ne që t’i pengojmë.
Që John Boltoni, këshilltari kryesor i Donald Trumpit mes prillit 2018 dhe shtatorit 2019, është angazhuar në drejtim të “shkëmbimeve territoriale” nuk është befasi.
Si kundërshtar i madh i pavarësisë së Kosovës, Bolton do të ishte i gatshëm të bënte shumëçka për të rrëzuar “projektin e demokratëve” për pavarësinë e Kosovës. Richard Grenelli tani tërë fajin për planet për ndryshimin e kufijve ia lë Boltonit. Por ka një të mirë në deklaratën e Grenellit: ai e pranoi se ka pasur plan për ndarje të Kosovës, ndonëse para pak javësh thoshte se s’ka dëgjuar për këso planesh.
A do të gjendej Kosova në këtë qorrsokak po të mos flinte BE? Tani fjalimet me ton dramatik të deputetëve gjermanë se gjoja u hyri Amerika tinëz në kopsht dhe po tenton të gjejë një zgjidhje për Kosovën duke anashkaluar europianët, vetëm shpalosin paaftësinë gjeostrategjike të BE-së dhe të kryeqyteteve me ndikim. Viteve të fundit ka pasur mjaft raportime serioze mbi rolin destruktiv të Rusisë në Ballkan: tentimi për grusht shteti në Mal të Zi nuk është shpikje e regjimit të Millo Gjukanoviçit, fjalimet e ultrancionalistëve rusë në Beograd dhe Shkup kanë ndodhur, shtetas rusë janë arrestuar edhe në Kosovë, gjatë sulmit të fanatikëve maqedonas ndaj parlamentit në Shkup, me ç’rast u rrahën brutalisht disa deputetë, i pranishëm ka qenë edhe një agjent i shërbimit sekret serb.
Këto zhvillime dramatike nuk e kanë alarmuar sa duhet Gjermaninë, as Francën, as shtetet e tjera të fuqishme europiane. Kjo i ka krijuar siguri Vladimir Putinit që të shtrijë aksionet e tij destruktive edhe më gjerë në Europë. Këtë javë prokuroria gjermane ngriti aktakuzë kundër një shtetasi rus, i cili më 23 gusht 2019 vrau në qendër të Berlinit një çeçen. Drejtësia gjermane është e bindur se urdhrin për vrasjen e ish-luftëtarit çeçen e ka dhënë qeveria në Moskë. Sa i përket idesë së “korrigjimit të kufijve të Kosovës”: qëndrim jo aq të qartë ka mbajtur sidomos Franca.
Ndërsa Gjermania i ka kundërshtuar eksperimentet kufitare, por pa ndërmarrë ndonjë nismë për zgjidhje alternative. Kjo indiferencë e europianëve ia ka lehtësuar punën presidentit të Kosovës për të propaganduar idenë e tij për tkurrjen territoriale të Kosovës që herë e quante “kthim të dhuratave të Rankoviçit”, herë “shkëmbim territoresh”, herë “korrigjim kufijsh”.
Së fundi tha: “Nuk ka agjendë të fshehtë për Kosovën, s’ka plane sekrete për marrëveshjen me Serbinë, nuk kam biseduar për ndryshim të kufijve, as për shkëmbim territoresh, as për korrigjim, pres marrëveshje në një të ardhme të afërt, duhet të lëvizim shpejt në këtë drejtim”.
Pastaj tha: Kosova le të bëhet gati për nisjen e një procesi “shumë të rëndë” në Washington. (Këtu fjalori i tij përputhet me atë të presidentit serb, i cili po ashtu me ton vajtimtar paralajmëron ditë të vështira për Serbinë). Nëse nuk ka agjendë të fshehtë, si është e mundur të dihet paraprakisht se po nis një proces “shumë i rëndë”? Dikur (më 16.9.2018) mjegullshitësi presidencial kosovar thoshte:
“Për ta arritur këtë qëllim (zgjidhjen e konfliktit), unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë”.
Nëse do të ketë një tërheqje nga ideja për t’ia falur Serbisë veriun, atëherë kjo do të bëhet si pasojë e presionit publik dhe jo për shkak se ideatorët e vizatimit të kufijve janë penduar. Siç e kemi parë në dy vitet e fundit, propaganduesit e planeve presidenciale kanë qenë orë e çast aktivë për “normalizimin” e idesë për “korrigjime kufitare” dhe këtë e kanë bërë me editoriale në media digjitale ndërkombëtare, me cicërima, me angazhim të lobistëve.
Mosgatishmëria e BE-së për të hequr së paku vizat për qytetarët e Kosovës dhe për t’u angazhuar më seriozisht në zgjidhjen e problemeve akute mes Kosovës dhe Serbisë, ka shtuar numrin e ithtarëve për një “pazar të shpejtë” në stilin: dy liderë të dy vendeve sovrane vendosin për “shkëmbime territoriale” – ku është problemi? Serbia ka arritur ta bëjë “normale” kërkesën se për ta pranuar Kosovën duhet të fitojë diçka.
E ajo “diçka” është së paku veriu, plus hyrja në BE. Nga prizmi kosovar gjithsesi mund të shtrohen një sërë pyetjesh në adresë të BE-së: me çfarë argumenti, për shembull, i hiqen vizat Ukrainës dhe Gjeorgjisë? Vërtet në ato shtete sundon ligji më mirë se në Kosovë? Kush beson në këso përrallash? Të shikojmë pak në rajon: qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza në zonën e Schengenit që nga viti 2009. Nga viti 2012 vetëm në Beograd janë kryer 52 vrasje – shumica në lidhje me betejën e përgjakshme mes dy bandave malazeze të drogës të njohura si klani Kavaç dhe Shkalari. Këto dy grupe e kanë selinë në Kotor.
Atje, sipas një raporti të Global Initiative Against Transnational Organized Crime (Gitoc), pjesëtarët e grupeve Kavaç dhe Shkalari kanë instaluar kamera për të mbikëqyrur policinë. Këtë javë në Kosovë qëndroi i dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak. Tha se erdhi për të dëgjuar qëndrimet e palës kosovare. Nuk ofroi asgjë.
Mbrëmë kryetari i LDK-së tha se Lajçaku paskësh lënë të kuptohet se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet deri në fund të vitit. Nga burime të tjera mësohet se Lajçak ka njoftuar se ka mandat 3-vjeçar për ta mbyllur çështjen e Kosovës dhe ka bërë thirrje për “kompromise të dhimbshme“.
Në muajt e ardhshëm do të jemi dëshmitarë të një komedie diplomatike.