Tiranë Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë në vitin 2009, tashmë i ka kaluar mbi 200 seanca të shtyra duke futur çështjen në udhëkryq. Asnjë prej avokatëve mbrojtës që janë në listat e mbrojtësve kryesisht nuk ka pranuar të përfaqësojë Dajtin në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe kreu i avokatëve penalistë, Saimir Visha, nuk është paraqitur në seancën e djeshme, duke detyruar gjykatën të shtyjë sërish seancën. Këtë radhë trupi gjykues vendosi të kërkojë dy drejtuesit e avokatëve, kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhiaj, dhe kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për Tiranën, Fatmir Braka. Dy avokatët, që respektivisht drejtojnë dy strukturat organizative më të rëndësishme, sipas gjykatës, duhet të mbrojnë të pandehurin në proces gjyqësor. “Gjykata duke pasur parasysh se i pandehuri Dritan Dajti ka ngelur pa mbrojtës, pasi mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata dhe të zgjedhurit nuk kanë marrë përsipër të realizojnë mbrojtjen, ka caktuar dy mbrojtës të cilët janë avokatet Maks Haxhia dhe Fatmir Braka, për faktin se me gjithë kërkesat që gjykata i ka drejtuar dhomës së avokatisë ajo nuk ka caktuar mbrojtës për të pandehurin”- thuhet në një njoftim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ky vendim vjen pasi trupi gjykues i ka konsumuar të gjithë avokatët kryesisht, ndërsa drejtuesit e tyre janë njoftuar për ngërçin e krijuar në procesin “Dajti”. Tashmë pritet qëndrimi i dy avokatëve të zgjedhur nga gjykata. Prej disa muajsh gjykata nuk ka zhvilluar asnjë seancë gjyqësore ndaj të pandehurit Dritan Dajti, pasi asnjë prej avokatëve të thirrur nga gjykata nuk është paraqitur në seancë gjyqësore. Mungesa e mbrojtësve ka bërë që të dështojnë mbi 200 seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Dritan Dajti, duke sjellë kështu zvarritje të tejzgjatur të procesit. Tashmë pritet qëndrimi i dy avokatëve Haxhia e Braka lidhur me vendimin e gjykatës që i cakton ata në mbrojtje të Dajtit. I pandehuri Dritan Dajti akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda për vrasjen e katër oficerëve të policisë në gusht të vitit 2009 gjatë operacionit për arrestimin e tij në plazhin e Durrësit.