Gjykata e Kukësit do të caktojë nesër masën e sigurisë për 23 të ndaluarit pas protestës së dhunshme kundër pagesës për Rrugën e Kombit.
Masa e sigurisë pritet të caktohet ditën e mërkurë në orën 9:00.
23 të ndaluarit, të cilët qëndrojnë që prej së dielës në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në disa komisariate të kryeqytet do të dërgohen drejt qytetit verior për t’u njohur me masën e sigurisë.
Mësohet se Prokuroria e Kukësit ka dërguar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kukës, kërkesat për caktimin e masave të sigurisë për këta të ndaluar.
Nga burime jo zyrtare mësohet se për disa prej të ndaluarve, organi i akuzës ka kërkuar masa më të zbutura sigurie, ndërsa për disa të tjerë masën “arrest në burg”.
Gjykata e Kukësit sqaroi të martën se salla ka hapësira të mjaftueshme për seancë. Sipas kësaj gjykata, të ndaluarit akuzohen për shkatërrim prone dhe dhunë ndaj policisë.
Masa do jepet njëkohësisht për të gjithë të ndaluarit.
Deklarata e plotë e Gjykatës së Kukësit:
Gjykata e gatshme ka vendosur që seanca të zhvillohet nesër në Gjykatën e Rrethit Kukës.
Infrastruktura e Gjykatës nuk lejon që të 23 të vijnë në sallë, por do të shikojmë mundësitë që seanca të zhvillohet për të gjithë njëherësh për të 23. Akuza është 236/2, kundërshtim i forcave të policisë dhe shkatërrim i pronës publike.
Nga momenti i paraqitjes së kërkesës e deri pasnesër janë 48 orë kur Gjykata ka të drejtë të shqyrtojë kërkesat nga organi i akuzës.
Ndërkohë, qytetarë të Tiranës dhe të afërm të të ndaluarve kanë vazhduar edhe të martën protestën e tyre para Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku kërkojnë lirimin e menjëhershëm të të gjithë të ndaluarve.
Ata kanë bllokuar rrugën sërish.