Gjykata e Lartë ka njoftuar dje pushimin e çështjes së depozituar nga deputeti socialist Dashamir Peza dhe bashkëshortja e tij Entela ndaj kryeministrit Berisha, i cili akuzohej për shpifje. Kolegji Penal u shpreh se fjalimi i kryeministrit Berisha në seancën e Kuvendit, në nëntor të vitit 2009, nuk përbën vepër penale. Deputeti Dashamir Peza dhe bashkëshortja e tij paditën disa muaj pas deklaratës së tij në Kuvend Kryeministrin, por kjo padi është pushuar dje nga Gjykata e Lartë. Duke i pretenduar këto thënie si të pavërteta, bashkëshortët Peza kërkuan më 25 nëntor 2011 gjykimin e kryeministrit Berisha për akuzën e “shpifjes” së kryer botërisht. Padia u referohet disa deklaratave të bëra nga Kryeministri në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa Gjykata e Lartë prej vitesh ka pushuar çështje të cilat kanë lidhje me deklaratat e bëra nga deputetët në sallën e Kuvendit për shkak të statusit që u jep ligji, pasi deputeti “nuk mban përgjegjësi për deklaratat që jep”.