Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Fabian Vukajn i cili vrau motrën e tij Dianën, pak ditë më parë.
Prokurori Ermir Lelçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fabianin dhe gjyqtarja Irida Kacerja ka pranuar kërkesën e akuzës duke dhënë të njëjtën masë sigurie.
Avokati mbrojtës Bruno Pepa i caktuar kryesisht në këtë çështje pasi i dyshuari si autor i vrasjes nuk kishte marrë një avokat e la në dore të gjykatës masën e sigurisë dhe vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit.
Si ndodhi krimi i rëndë në Shkodër
Fabian Vuka, më 4 qershor vrau të motrën, Dianën. Tre ditë e mbajti të vdekur në banesë. Dy ditë më parë, autori u arrestua nga policia. Diana Vuka kishte pak ditë që ishte kthyer nga Gjermania për pushime, ndërsa mësohet se ajo kishte porositur disa orendi për banesën, gjë të cilën i vëllai e ka kundërshtuar, duke kërkuar t’ia jepte atij lekët.
Kështu, mësohet se ka nisur një konflikt e më pas përfundoi deri në vrasje. Viktima u gjet e pajetë brenda në dhomën ku flinte. Në banesë policia vendore e Shkodrës ka gjetur 6 shishe birre 1.5 kg secila të boshatisura, gjë e cila tregon se autori i dyshuar ka qenë totalisht nën efektin e alkoolit kur ka kryer krimin tragjik brenda familjes.
Sipas burimeve nga vendngjarja autori i dyshuar Fabian Vuka ishte një person i alkoolizuar gjatë gjithë kohës, ndërsa thuhet se ka luajtur edhe bixhoz shpesh. 55-vjeçari jetonte i vetëm pasi nuk ishte i martuar dhe ishte i papunë. Ka qenë pikërisht motra e tij të cilën e qëlloi për vdekje e cila është nënshtetase gjermane dhe për çdo muaj i ka dërguar të vëllait 300 euro për ta ndihmuar.