Florenc Çapja është liruar nga burgu. Vendimi për lirimin e Çapjas është dhënë nga Gjykata e Elbasanit.
Florenc Çapja ishte arrestuar me akuzën e “Vrasjes me paramendim” e mbetur në tentativë në dëm të ish-efektivit të policisë rrugore Fadil Mema si dhe akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Çapja ishte marrë i pandehur për një krim të kryer në vitin 2006 në Elbasan, shumë pranë banesës së ish oficerit të policisë Fadil Mema, krim për të cilin është arrestuar dy herë dhe dy herët është liruar, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve, pasi dëshmitari kryesor Ardian Ibrahimi në atentatin kundër Fadil Memës, është vrarë me 5 plumba në 26 maj 2006 në Elbasan.
Ky ishte procesi i tretë që zhvillohej kundër Çapjas, për këtë ngjarje kriminale në Elbasan. Ngjarje e cila u pasua me një seri vrasjes të tjera në këtë qytet, ku pjesa më e madhe e tyre nuk është zbardhur nga policia dhe prokuroria e Elbasanit.
Historia e përplasjeve mes dy familjeve në Elbasan:
Mes dy fiseve Mema dhe Çapja në Elbasan ka një histori të gjatë përplasjeje të përgjakshme. Ajo nisi në dhjetor të vitit 2005 kur biznesmeni Sokol Çapja u vra nga 3 persona të maskuar në një lokal pranë Universitetit të Elbasanit.
Për vrasjen e Sokol Çapjas u akuzuan Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Ardian Meta. Ky I fundit që njihej edhe me emrin Gentian Beqiri u eliminua në banesën e tij në gusht 2012 ndërsa mbahej në arrest shtëpie pasi ishte i paralizuar.
Pas vrasjes së Çapjas oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë nga një atentat të ngritur nga dy persona në afërsi të shtëpisë së tij. Kjo për shkak se Mema shihej si organizator i vrasjes së vitit 2005. Pak kohë më pas u vra Ardian Ibrahimi kunati I Fadil Memës ndërsa policia nuk mundi të zbulojë autorët.
Ish-polici Fadil Mema u largua nga detyra edhe Shqipëria. Por në mars të vitit 2015, ai u qëllua për vdekje ndërsa po kthehej nga puna, në Torino të Italisë, ku punonte si shpërndarës gazetash.