Gjykata e Shkodrës ka njohur vendimin e drejtësisë belge për Safet Bajrin, ku rezulton i dënuar me 9 vite burg për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Vendimi për dënimin e tij vjen pasi Gjykata e Shkodrës njohu vendimin e gjykatës belge e cila ishte shprehur se, “Krimineli shqiptar Safet Rustemi (Bajri) do të kryejë të paktën 9 vite burg në Shqipëri”. Të paktën kështu është shprehur, Ministri i Drejtësisë në Belgjikë Koen Geens.
Kujtojmë se Safet Bajri u arrestua nga ana e policisë në shtator të 2018-tës në zonën e Xhamllikut në kryeqytet në kuadër të operacionit “Oaz” që shkatërroi grupin kriminal Bajri. Ai dyshohet të jetë kreu i një grupi kriminal që kryente trafik droge, vrasje dhe trukim ndeshjesh. Rezulton se Bajri është dënuar edhe nga drejtësia belge për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit, dënim të cilin po e vuan në Shqipëri. Ai ishte i dënuar me 22 vjet burg në Belgjikë për trafikim të qënieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Bajri është dënuar dy herë, fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg.
Debati mes Shqipërisë dhe Belgjikës sa i përket çështjes së Safet Bajrit dhe bandës së tij ka qenë mjaft i nxehtë. Mazhoranca në Shqipëri akuzonte Belgjikën se ka vonuar sjelljen e dosjes së Bajrit, ndërkohë që ai ka kryer katër vrasje në vend. Duket paradoksale, pasi Shqipëria mund të kishte zbardhur dhe arrrestuar Bajrin për këto vrasje. Këtë paradoks e vë në dukje edhe një shkrim i gazetës belge LeVif.
Gazetarja Muriel Lefevre shkruante se banda e Safet Bajrit njihet edhe si ‘klani i 40 vrasjeve’ në Shqipëri . Ata akuzohen për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, organizim lotarish ilegale, pastrim parash, gjobëvënie, zhvatje, trafik dhe prodhim lëndësh narkotike.