Gjykata e Apelit ka vendosur që të nisin hetimet për deputetin e PS, Ervin Bushati. Kjo pas kërkesës së Partisë Demokratike e cila ka paditur deputetin socialist për fshehje pasurie.
Historia e ka zanafillën në Tetor 2018, kur Partia Demokratike denoncoi deputetin e Partisë Socialiste për fshehje të pasurisë dhe mosjustifikimit ligjërisht të pasurisë.
PD depozitoi në prokurori Kallëzim Penal, por vetëm disa ditë më pas Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi “mosfillimin e procedimit penal”.
Duke mos qenë dakord me vendimin e prokurorisë, Partia Demokratike e ankimoi vendimin në Gjykatë. Më datë 20 Janar 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranoi ankimin e PD, duke rrëzuar Prokuorinë e Tiranës.
Prokuroria e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke këmbëngul që të mos e hetojë Ervin Bushatin.
Gjykata e Apelit, më 13 Mars 2019, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke vulosur kështu përfundimisht rrëzimin e prokurorisë dhe detyrimin e saj që të procedojë penalisht deputetin e PS Ervin Bushati.
Pas këtij vendimi të formës së prerë, organi i prokurorisë është ligjërisht i detyruar që të procedoi penal deputetin Ervin Bushati, për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Bushati dyshohet se ka fshehur, pasurinë si më poshtë:
Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall në Tiranë.
Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall në Tiranë.
Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall po në Tiranë.
Një ndërtesë me sipërfaqe 76 m2 në Qerret Kavajë.
Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall në Qerret, Kavajë.
Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall në Sarandë.
Një garazh me sipërfaqe secila 42 m2 në Sarandë.