Kryesore

Gjykoje librin…edhe nga kopertina







               Publikuar në : 08:50 - 10/01/15 |
mapo.al

booksMe gjithë romantizmin pashmangshmërisht të lidhur me procesin e të shkruarit, librat janë bërë për t’u shitur dhe ajo çka shet është ajo çka mbërthen vështrimin. Sa vend zë krijimi i një kopertine? Sa e rëndësishme është ajo? Sa shumë flet? Janë pyetje që gjejnë përgjigje nga disa botues shqiptarë, të cilët në këtë treg ku marketingu zë një vend të rëndësishëm, tregohen të kujdesshëm kur vjen puna te kapaku i një libri


Nga Suadela Balliu

 

Le ta pranojmë! Të gjithë e bëjmë. Nuk i rezistojmë dot tundimit për t’i qëndruar besnikë asaj shprehjes së famshme për të mos e gjykuar një libër nga kopertina. Jo për faktin se jemi një shoqëri sipërfaqësore, ndërsa konsumizmi na bën gjithnjë e më shumë të ndalemi te dukja, por sepse edhe syri kërkon të tijën. Jemi krijesa vizuale –thuhet se zona pamore në trurin tonë përfshin 30 për qind të kores. Kjo qëndron edhe për librat, kapakët e të cilëve na tërheqin vëmendjen, krijojnë një pritshmëri që na nxit, na emocionon dhe sugjeron një lloj cilësie të të shkruarit. Në botën e letrave, ndoshta nuk na lejojnë të tregohemi kaq të sipërfaqshëm, sigurisht që një libër me titull e kopertinë të thjeshtë mund të jetë më i rëndësishëm, më argëtues, apo edhe më i dobishëm sesa një libër i mbështjellë në një formë më soditëse, por kush do të ishte ai autor apo botues që nuk do të donte që libri i tyre të mund të joshte syrin e lexuesit e do të bindte dorën e tij ta tërhiqte në një rast mes dhjetërash…Me gjithë romantizmin pashmangshmërisht të lidhur me procesin e të shkruarit, librat janë bërë për t’u shitur dhe ajo çka shet është ajo çka mbërthen vështrimin.

Ndaj gjithmonë e më shumë sot, shtëpitë botuese i kushtojnë rëndësi të veçantë kopertinës, duke ndërtuar edhe politika të mirëfillta në përzgjedhjen e ambalazhit që do të shesë librin.

Shkrimtari italian, Umberto Eco mendon se dizajni i kopertinës së librit është akti i përkthimit të përmbajtjes tekstuale të librit, duke sintetizuar në mënyrën e duhur interpretime të caktuara me imazhe të caktuara…Këtu kujdesi ka vend të jetë edhe i tepruar për botuesit që duan të rrëfejnë librin me një kopertinë, por edhe duan të evidentohen gjatë me botimet e tyre, duke krijuar një lloj marke të qëndrueshme jo vetëm nëpërmjet literaturës që sjellin për lexuesin, por edhe imazhit. Sa vend zë krijimi i një kopertinë? Sa e rëndësishme është ajo? Sa shumë flet? Janë pyetje që gjejnë përgjigje nga disa botues shqiptarë, të cilët në këtë treg ku marketingu zë një vend të rëndësishëm, tregohen të kujdesshëm kur vjen puna te kapaku i një libri, përmbyllja e një procesi të gjatë përmbajtësor dhe fillimi i një kapitulli për lexuesin…

Ta skicosh përmbajtjen

Nëse do të shohësh disa libra me skica disi të zymta, të zhveshura nga ngjyrat, por të ngjyrosura me nuanca emocionesh që duket se të përkundin me një dozë dyshimi e trishtimi, pavarësisht nëse emrat e autorëve mbi kapakë nuk kanë lidhje kombësie, e kupton se bëhet fjalë për botimet e shtëpisë “Pika pa sipërfaqe”. “Kemi zgjedhur skicat pasi edhe vetë natyra e atyre librave ishte e tillë; dekadente, pak e rrënuar…Menduam se kjo i shkonte për shtat përmbajtjes”, – thotë një prej botuesve të kësaj shtëpie. Në libra si “Histori (e)skatologjike” e Arben Dedjas, apo “Ferdy Durke” e autorit polak Witold Gombrowicz, “Pështjellimet e Tërlesit” të Robert Musil apo “Stina e hijeve” të Virion Graçit, botuesit kanë vendosur të përdorin skicat e piktorit austriak Egon Schiele, i cili edhe pse krijimtarinë e tij e ka zhvilluar në fillim të shekullit XX, tematika e tyre, gjuha e përdorur dhe mesazhi që u komunikon botuesve u ka ardhur aktuale, ose të paktën me të njëjtën fuqi goditëse që të bën të ndalesh përpara një kopertine të tillë, që edhe pse pa ia njohur brendinë të ngjall një dëshirë për ta pasur në raftin e librave, qoftë edhe si vepër arti figurativ. “Jam i mendimit se kopertina flet. Është faktor që ndikon”, shprehen nga kjo shtëpi botuese, duke mos e fshehur qëllimin për të krijuar një format origjinar, ndërsa botimet e tyre do të dallohen që nga kopertina. Kjo është çka në fund duan të gjithë botuesit, gjithnjë në garë me veten për ide të reja, por edhe me trendin rretheqark. “Sigurisht që në fillim kur e nisëm sipërmarrjen nuk dinim shumë rreth rëndësisë së kopertinës. Shpesh përdornim versionin origjinal të autorëve që përkthenim, pastaj me eksperiencë nisëm të krijonim një format, një fytyrë tonën”. Në tre kolanat që botojnë, filozofi, Shkenca shoqërore apo kritikë janë përpjekur të krijojnë për secilin një identitet, të cilin përpiqen ta mbajnë të pandryshuar.

Të dy themeluesit e “Pika pa sipërfaqe” thonë se merren vetë edhe me konceptimin e kopertinës, edhe me dizajnimin e saj në bashkëpunim me një grafik dizajner, sigurisht pa shmangur konsultat edhe me autorët, që sipas tyre shpesh duken të painteresuar për pjesën e jashtme, duke u lënë dorë të lirë botuesve.

Autori apo botuesi, e kujt është zgjedhja?

Por ka nga ato raste ku autori kërkon me ngulm të bëhet pjesë e përzgjedhjes së kopertinës, siç tregon Drejtoresha e Botimeve “Dudaj”. “Gjithmonë i diskutoj kopertinat me autorët. Jo vetëm ata shqiptarë, por edhe të huaj. Shkrimtarët kanë dëshirë të marrin pjesë në këtë proces. Unë zakonisht u dërgoj disa versione dhe ata zgjedhin pastaj atë që mendojnë se përfaqëson më së miri librin e tyre”, – tregon Arlinda Dudaj, duke veçuar një prej autorëve të botuar prej saj, i cili tregohet mjaft i kujdesshëm kur vjen puna te mbështjellja që do marrë krijimtaria e tyre, siç është Salman Rushdie me librin “Vargjet Satanike”, që kjo shtëpi botuese e ka sjellë në shqip.

“Ne kemi një person të caktuar me dizajnin, jo vetëm për kopertinat, por për të gjithë fytyrën e botimeve, i cili kujdeset. Shpesh punojmë me kopertina të caktuara edhe për të ndryshuar pak ajrin, për të mos rënë në rutinë, për të sjellë ide më të freskëta”, –thotë Dudaj, ndërsa rrëfen për një bashkëpunim të frytshëm që ka gjetur me fotografen Edvina Meta, e cila ka realizuar disa prej kopertinave të librave të botuar nga “Dudaj”. Disa prej kopertinave të realizuara me foto koncept të kësaj fotografeje janë “Lolita” e Vladimir Nabokov-it, “Ankimi i Portnout” i Philip Roth, apo “Udhëtimi i elefantit” të Jose Saramago etj. “Botuesja më jep një listë titujsh për librat që do botohen, prej tyre unë përzgjedh ato që mund të realizohen në fotografi, pasi një përqindje duan një kopertinë dizajn. Në momentin që kam fotografinë, i ofroj disa versione botueses dhe ajo vendos atë që i përshtatet me imazhin që ka për librin. Ka raste që duhet dhe konfirmimi i autorit të librit”, – rrëfen Edvina Meta, ndërsa në këtë fushë të fotografisë ajo është e mendimit se rregulli kryesor është të nxisësh kureshtjen e lexuesve, por pa zbuluar shumë, gjithmonë duke u mbështetur tek elemente të librit. Dudaj rrëfen se përpos fotove konceptuale, shpesh ndiqet edhe versioni origjinal, ku blerja e të drejtave të autorit e kërkon shpesh ruajtjen e origjinalitetit. Ndërsa në rastin e librave të ekranizuar, në botimin shqip përdoren posterat e filmave, të cilët blihen nga kompanitë që kanë prodhuar filmat. “Qëllimi ka qenë që të dallohemi si brand edhe nga kopertinat. Nuk jemi tipikë si disa shtëpi botuese të huaja që ruajnë me fanatizëm një format, megjithatë kopertinat tona kuptohen. Kopertina është e rëndësishme në tregun e sotëm të botimeve, megjithatë nuk shpenzojmë kurrë aq sa për brendinë. Për mua nuk ka rëndësi letra luksoze, por përkthimi dhe redaktimi i mirë. Megjithatë kam një bindje se një kopertinë e gabuar e bën një libër të mos shesë ashtu siç duhet”.

Identiteti në ballinë

Të gjitha shtëpitë botuese përpiqen të krijojnë identitetin edhe nëpërmjet kopertinave. Nuk bëhet fjalë vetëm për logon, ose për kopertinën në tërësi, por për detaje, shpesh edhe të padukshme, por që gjithsesi mund të kapen nga syri i një lexuesi të vëmendshëm. E këtij mendimi është drejtoresha e Shtëpisë Botuese “UET-Press”, Valbona Nathanaili.

“Në njëfarë mënyre, kopertina është ura që lidh tekstin me lexuesin. Për këto arsye, duhet të plotësojë dy kushte: të jetë estetike dhe të komunikojë mesazhin e duhur me sa më pak elemente.

Matet çdo hapësirë, peshohet çdo shenjë, vlerësohet çdo marrëdhënie që krijohet”, – shprehet ajo, duke veçuar me rëndësi edhe pjesën e prapme të kopertinës. “Një botues i kujdesshëm përpiqet që, veçanërisht kur autori është emër i ri, të bëjë pjesë të saj vlerësime që i kanë bërë librit ose autorit emra të njohur e të besueshëm për publikun, pak përmbajtje ose ndonjë paragraf domethënës nga parathënia”.  Sipas saj, fotoja është një mënyrë shumë e mirë për të komunikuar. “Por, në ndryshim nga marrëdhënia që ekziston ndërmjet fotos dhe diçiturës në kopertinën e librit varësia është e reflektuar, fotoja është vetë “diçitura” e titullit”.

Kopertinat e botimeve “UET Press” kanë disa tipare dalluese; një shirit karakteristik, ngjyra e të cilit ndryshon në varësi të kolanës dhe, shumë prej tyre, shoqërohen me foton e autorit, të realizuara nga fotografi Armand Sallabanda. Janë një sërë syresh që bën të dallosh librat e kësaj shtëpie botuese, qëkur sheh portretet e autorëve në ballinë, si në rastin e librit “Hëna e Shqipërisë” të Ben Blushit, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” të Spartak Ngjelës apo “Fillimet” nga Preç Zogaj. “Realizuesi i këtyre formateve është ‘Vatra’. Politika në këtë drejtim është shumë rigoroze: të gjitha njëlloj. Formati i ballinës së kopertinës, sipas modelit të ‘Vatrës’, përcakton vendin ku do vendosen: emri i autorit, titulli i librit (nëntitulli kur ka), logoja, kujt kolane i përket, numrin që ka në kolanë”, tregon ajo, duke specifikuar se shpesh autorët diskutojnë mbi zgjedhjen e kopertinës për të rënë në kompromis me botuesin. “Në bazë të standardeve që ne kemi për kopertinat, konkludojmë në një të mesme të përbashkët që i kënaq të dyja palët”. Fituesi i çmimit “Nobel” në Letërsi, 1975, Eugenio Montale, i shkruan një miku të ngushtë: “Së shpejti del botimi i tretë i librit tim me poezi “Ossi di seppia”. Kopertina është bërë nga Scipione (pseudonimi i Gino Bonichi, poet, ilustrues dhe piktor), por më vjen për të qeshur kur e shoh. Më duket si libri i dikujt tjetër. Sipas Nathanailit, kopertina zë vend të rëndësishëm sepse duhet t’i bëjë përshtypje e të tërheqë blerësin e mundshëm, ta bëjë të hapë faqen e parë, ta shfletojë të gjithë librin e në fund të vendosë ta blejë atë.

Politika estetike

Kopertina është një element i rëndësishëm, i cili mbyll procesin e një libri. Imazhi që shfaqet në ballinën e trupit të një libri, është fytyra e brendisë së tij. “Në Shtëpinë Botuese ‘Saras’, ajo çfarë është e panegociueshme është cilësia e brendësisë që një kopertinë shfaq. Imazhet që ne u bashkëngjitim botimeve tona, janë të menduara mirë. Në to ndërthuren mendimet e autorit, ose përkthyesit të librit, të editorit të grafikës, apo redaktorëve, drejtorit të shtëpisë botuese, për të mbërritur tek një mendim unifikues që shndërrohet më pas në një imazh estetik”, – shprehet redaktorja e botimeve “Saras”, Alda Bardhyli, e cila e quan kompozimin e kopertinës një punë frymëzuese për çdo botues. Edhe në këtë shtëpi botuese, në rastin e librave të përkthyer mundohet të ruhen kërkesat e të drejtave të autorit, me versionin origjinal të kopertinave. Ndërsa autorët, sipas saj mbeten deri në fund dashnorët më të mëdhenj të veprës së tyre. “Është një raport i thellë emocional deri në momentin që libri del në librari. Pjesa më e madhe e tyre, kjo ndodh edhe me përkthyesit, shpesh duan të dinë çdo detaj deri sa libri del në treg. Sigurisht që ne respektojmë dëshirat e tyre, por në përputhje me politikat dhe qëndrimet tona estetike”. Duke ruajtur, sipas Bardhylit, kriteret e botimit dhe duke mos iu larguar subjektit të librit. “Ne përpiqemi që përveç zgjedhjes së autorëve, përkthyesve apo gjinive që do sjellim për lexuesin, të kemi dhe një formë estetikisht të përkryer të botimeve. Përveç logos së botimeve tona, kopertina të jetë e kuruar me kujdes, po ashtu siç janë elementët e tjerë që përbëjnë një libër, siç është përkthimi apo stili i një autori. Edhe pse nuk kemi ende një rregull unifikues për të gjitha botimet, teksa i shoh botimet që kemi botuar këto vite, shoh se ato identifikohen lehtë si të Saras-it”.

Kur kopertina dallon nga sigla

Për kulturën e botimeve franceze, kopertina nuk duhet të ndikojë në përzgjedhjen e një libri nga rafti i librarisë. Madje sa më e thjeshtë të jetë ajo, aq më i pastër do të shkojë vetë mesazhi i librit te lexuesi. Në ShBA, ku marketingu luan një rol shumë të veçantë për të tërhequr vëmendjen e blerësit, edhe në fushën e botimeve i kushtohet mjaft rëndësi ilustrimit të kopertinës. “Në tregun tonë, kopertina luan një rol të rëndësishëm për të tërhequr vëmendjen e disa kategorish lexuesish. Për këtë arsye në punën tonë i kushtojmë mjaft kujdes përgatitjes së kopertinave. Kolanat kanë kopertina krejt të personalizuara dhe qartësisht të dukshme nga të tjerat. Diskutojmë mjaftueshëm deri sa arrijmë në kopertinën përfundimtare. Pjesë e diskutimit bëhen herë pas here edhe autorët apo redaktorët e librave përkatës”, – shprehet Drejtorja e Përgjithshme e botimeve “Toena”, Irena Toçi.

Sipas Toçit, autori që zgjedh të botojë me “Toena” është i lirë të propozojë idenë e vet për zgjidhjen grafike të kopertinës. “Por, për sa kohë kopertina ndikon drejtpërdrejt në shitjen e librit, mendimi ynë peshon më shumë në diskutimin dhe vendimmarrjen. Sigurisht, që çdo diskutim bëhet në mirëkuptim të plotë sa herë që është e nevojshme pa rriskuar rezultatin”.

Në rastin e botimeve të huaja, edhe këtu partnerët e huaj kërkojnë ta shohin dhe miratojnë kopertinën e librit përpara se ajo të shkojë për shtyp. “Ka ndodhur edhe që na janë imponuar në zgjedhjen e saj, si p.sh në rastet kur një libër ka qarkulluar me të njëjtën kopertinë në të gjithë vendet ku është botuar”, – shprehet Toçi, duke përfunduar se kopertinat e kësaj shtëpie botuese dallojnë që prej zgjedhjes së siglës.

Suksesi i një libri duket së jashtmi

Edhe për shtëpinë botuese “Pegi” kopertina mbetet element shumë i rëndësishëm. “Megjithëse libri nuk duhet gjykuar nga ajo, shumë, shumë lexues e bëjnë këtë. Ka pasur raste kur një libër ka pasur sukses edhe falë kopertinës, dhe ka pasur raste kur një libër shumë interesant, por me kopertinën e gabuar, nuk ka tërhequr vëmendjen që do të kishte merituar” –shprehet drejtorja e kësaj shtëpie botuese, Loreta Berhami.Edhe pse në këtë shtëpi botuese nuk ka një filozofi të artikuluar mbi vendosjen e kopertinave, zgjedhja qëndron kah kopertinat elegante dhe te thjeshta. “Një botues i përgjithshëm si ne, pra një botues që nuk është i specializuar në një lloj të caktuar veprash, e ka të pamundur të ndjeke një politikë universale për kopertinat”. Ndaj nuk kanë një procedurë të fiksuar. “Nëse libri është i përkthyer, kjo etape është disi më e lehtë pasi ekziston gjithmonë mundësia e përdorimit të kopertinës origjinale të librit, ose të ndonjë versioni tjetër të përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. E megjithatë, jo gjithmonë kjo procedurë funksionon, pasi jo gjithmonë na pëlqejnë idetë e huaja. Ndodh (edhe në rastet e një libri shqiptar) që kopertina duhet të krijohet nga fillimi”, –vijon Berhami. Megjithatë citon se ka raste ku të drejtat e kopertinës vijnë bashkë me botimin e huaj. Shembulli tipik, thotë Berhami, ka qenë botimi i biografisë Steve Jobs. Dikush nga redaksia, që është i njohur me veprën në fjalë, propozon disa koncepte dhe bashkëpunon me dizajnerin për të parë se cili koncept arrin në një realizim estetik me të përshtatshëm. Pasi krijohen disa alternativa mjaftueshëm të këndshme, merret një vendim kolegjial mbi kopertinën më të përshtatshme. Në këto vendime, sigurisht vend ka edhe autori. “Ka autorë që janë shumë të interesuar pas detajeve dhe këtu ata përfshijnë edhe kopertinën dhe ka autorë që janë më tolerante. Natyrisht që botuesi është shumë i angazhuar në përzgjedhjen e kopertinës, pasi është element qendror në promovimin e librit”, – pohon ajo.

Nëse imazhi thuhet që vlen sa njëmijë fjalë, aq vlen dhe mbi kopertinën e një libri. Dhe nuk ka sesi botimi mos të peshojë më shumë. Ca kopertina mund të harrohen sa i shikon, por ka dhe të tjera që të ngelen në mendje gati njëlloj si historia që mbajnë brenda…



CLOSE
CLOSE
Pas