Pjesë nga libri ‘HAGA E RAMUSH HARADINAJ’
Nga Michael O’Reilly
Në mungesë të provave të krimeve specifike, akuzat kundër Haradinajt për luftën në perëndim të Kosovës në 1998, ishin tërësisht të gabuara ashtu si dhe pretendimi se ai ishte anëtar i një grupi kriminal për të persekutuar civilët. Në fakt Haradinaj shfaqet në transkriptet e gjyqit vetëm në tri raste që lidhen me akuza për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë penale.
Shfaqja e parë e Haradinajt në prova, ishte një akuzë për sulm ndaj tre serbëve etnikë. Incidenti, padyshim i ndodhur— u paraqit si provë e fushatës persekutuese të Haradinajt kundër civilëve të pafajshëm të etnicitetit serb. Në këtë rast prokuroria tha se ai ishte njëri aq i brejtur nga urrejtja etnike saqë qëllonte dhe terrorizonte fqinjët me të cilët ishte njohur dhe kishte jetuar përgjatë gjithë jetës së tij, vetëm sepse ishin serb. Kjo ishte një akuzë e rëndë keqtrajtimi, por e vështirë për t’u konsideruar material për padi në krime lufte. Mbrojtja nuk ishte e lehtë. Nëse ai do të ishte i tillë, nuk do të ishte hera e parë që ICTY-ja jep dënime simbolike kur prova të shkeljeve të rënda rezultojnë të pamjaftueshme. Haradinaj në vetvete ishte i shqetësuar se mund të klasifikohej si kriminel, edhe pse në konsiderata minimale. Një përfundim i tillë do ta dëmtonte atë politikisht; ai do të mbetej gjithmonë një ‘kriminel i dënuar në luftë’.
Sulmi u zhvillua të shtunën më datë 18 Prill 1998 ndaj Mijatit, Dragoslav Stojanoviçit dhe kushëririt të tyre Veselin Stijoviç, etnik serb. Sipas dëshmisë së tyre, sulmi filloi në shtëpinë e Stojanoviçit, më pak se 200 metra nga shtëpia e familjes Haradinaj, dhe vazhdoi në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së në fshatin Gllogjan.
Vizioni i Titos për vëllazëri universale, çoi në lëvizje të popullsisë të përcaktuar për të ndryshuar ekuilibrin etnik në pjesët e federatës së re socialiste. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, familja Stojanoviç u kthye nga Mali i Zi dhe u pajis me tokë, që ishte një parcelë e vogël e punuar për breza të tërë nga familja fqinje shqiptare—Haradinaj. Marrëdhëniet midis dy familjeve ishin të rezervuara. Familjet mund të ndihmonin njëra-tjetrën në punë bujqësie, por nuk ka patur kurrë ngrohtësi midis tyre. Familja Stojanoviç për vite me radhë, ka spiunuar për fqinjët shqiptarë dhe mbante vesh veçanërisht për çdo lëvizje të vëllezërve Haradinaj.
Shtëpia e Stojanoviçëve ka qenë e boshatisur që prej 24 marsit kur ka qenë përdorur nga MUP-ja si bazë për një sulm raketë gjatë mësymjes ndaj Haradinajve. Pedrag Stojanoviç, vëlla i Mijatit dhe Dragoslavit, ishte anëtar me kohë të plotë i MUP-së dhe ishte personalisht i përfshirë në atë operacion. Shtëpia e familjes Stojanoviç në fakt ka qenë një station nënpolicor, një post i MUP-së i armatosur rëndë dhe i lidhur drejtpërdrejtë në radio me selinë e MUP-së në qytetin e afërt të Gjakovës. Kur sulmi dështoi, familja Stojanoviç u largua nga zona. Ata nuk do të jetonin më kurrë në atë shtëpi. Në fakt, ajo u shndërrua në rrënoja brenda disa muajve. Megjithatë, në 18 prill, vëllezërit Stojanoviç dhe kushërinjtë e tyre morën përsipër riskun dhe u kthyen herët në mëngjes për të marrë disa objekte të familjes dhe për të parë se çfarë kishte ndodhur me bagëtitë e tyre. Kur u hap fjala se vëllezërit Stojanoviç ishin kthyer, një grup fshatarësh të armatosur nxituan drejt shtëpisë dhe i morën rob ata dhe kushëririn e tyre.
Atë mëngjes Daut Haradinaj ishte zgjuar që në 7:30 të mëngjesit nga zhurma e një arme zjarri që vinte nga shtëpia e Stojanoviçëve. Në moshën 19-vjeçare ai ishte një luftëtar i vërtetë gueril në qendër të veprimtarisë së UÇK-së në rajonin e Dukagjinit. Brenda disa minutave Dauti u shfaq në shtëpinë e Stojanoviçëve. Shumë shpejt ai pandehu se situata ishte nën kontroll dhe u kthye në shtëpi. Vetëm më vonë në një bisedë private ai pranoi se duhet të kishte qëndruar; ishte një situatë shumë e rrezikshme e cila mund të dilte nga kontrolli shumë shpejt, me pasoja të mundshme serioze për tre burrat e kapur, që sipas Dautit, ishin sulmuar tashmë.
Është ende e paqartë se çfarë ndodhi pasi Dauti u kthye në shtëpi. Dukej se dikush kishte marrë vendimin për t’i çuar tre të burgosurit në një shtëpi në qendër të Gllogjanit, që ka qenë përdorur si seli e rojeve të fshatit. Gjatë kësaj kohe, rojet e fshati nuk kanë qenë të zakonshëm për zonat rurale të Kosovës. Mbrojta e fshatit ishte krijuar nga reagime lokale spontane për rritjen e agresionit serb në drejtim të ekstremistëve, separatistëve dhe terroristëve shqiptar në fshatra. Rrjeti i i mbrojtjes së fshatrave, filloi ta konsideronte veten si “UÇK”.
Duke dëshmuar për prokurorinë, Mijat Stojanoviçi tha se ‘i gjithë fshati është kthyer mbi ne’ dhe se njerëzit lanë shtëpitë dhe fushat dhe iu drejtuan në mënyrë aspak miqësore. Në betim e sipër ai tha se ishte shastisur nga motivet e tyre, të cilat i konsideronte si ‘urrejtje etnike’. Kushëriri i Mijat Stadoviçit, Veselin Stijoviç, dëshmoi se ndërkohë që ata marshonin drejt Gjilanit, fshatarët krejt papritur dolën nga shtëpitë e tyre dhe i sulmuan, krejt pa arsye. Të dy vëllezërit Stojanoviç u betuan se Daut Haradinaj dhe vëllai i tij i madh Ramush kanë qenë të pranishëm atë ditë. Dragosllavi dëshmoi se Ramushi e kishte goditur në shpinë kur ai kishte qenë duke u zvarritur përtokë më dhe pa ndërgjegje.
E gjitha kjo u shfaq në intervistën që Mijat Stadoviç kishte dhënë për revistën serbe të quajtur Illustovana Politika më 25 Prill 1998, një javë pas eventit, në të cilin ai kishte përmendur disa persona që kanë qenë pjesëmarrës ose të pranishëm në sulm. Ai nuk përmendi Ramush Haradinajn, apo Dautin.
Marijana Andjelkoviç, nga Qendra Humanitare e Drejtësisë në Beograd, po ashtu intervistoi Mijat Stojanoviçin më 25 Prill 1998. Intervista e saj përmban një përshkrim të hollësishëm të eventit të 18 prillit dhe cilëson dy individë protagonist: Nasim Haradinajn, kushëri i Dautit dhe i Ramushit, të cilët bënë përpjekje të pasuksesshme për të parandaluar sulmin, dhe një tjetër person që s’kishte të bënte me Haradinajn. Këto janë dy personat e përmendur nga Veselin Stijoviç, emrat e të cilëve ju dhanë nga kushërinjtë e Stojanoviçit që i njihnin ata personalisht. Intervista me Marijana Andjelkoviçin nuk e përmend Ramushin apo Daut Haradinajn. Vëllezërit Stojanoviç po ashtu dhanë një intervistë për BBC-në në ditët pas incidentit në të cilën ata treguan plagët e tyre dhe rrëfyen sesi fshatarët shqiptar i sulmuan për shkak të etnisë, u shprehen ata. Në intervistë ata nuk përmendën asnjë të quajtur Haradinaj.
Në gjyq, Dragosllav Stojanoviçi mohoi të ishte në dijeni të përfshirjes së vëllait të tij Pedrag në sulmin që ju bë Haradinajt— por gjykata kishte prova se Pedragu në fakt ishte drejtpërdrejt i përfshirë në këtë sulm. Veselin Stijoviçi, kushëriri, u pyet në gjyq nëse kishte punuar ndonjëherë për ushtrinë jugosllave dhe ai i betuar u përgjigj jo. Kur u mor në pyetje, në momentin që iu paraqitën dokumentet e ushtrisë, ai u detyrua të pranonte se kishte gënjyer. Ai ka qenë vazhdimisht mbështetës në ushtri që prej prillit të vitit 2000 dhe ishte tashmë me leje të pagueshme në mungesë, për të dhënë prova në gjyqin e Ramush Haradinajt.
Incidentit të 18 prillit të vitit 1998 i erdhi fundi kur Hilmi Haradinaj, i ati i Ramushit dhe Dautit, bëri të mundur lirimin e tre burrave. Në vend që t’i çonte ata në rrugën e tyre, të gjakosur dhe të rrahur, Hilmiu i kërkoi Nasim Haradinajt t’i dërgonte në periferi të fshatit të afërt Baballoq, i cili mbahej nga forcat serbe. Në rrezik të konsiderueshëm për veten, Nasimi i dërgoi tre burrat disa qindra metra nga Baballoqi, nga ku ata vazhduan në këmbë. Në aktakuzë dhe në njoftimet e hershme për shtyp, prokuroria e përshkroi këtë akt si ‘dëbim apo zhvendosje e dhunshme e popullsisë’.
Nga fundi i vitit 2007, pasi u bë e qartë se prokuroria kishte dështuar në vërtetimin e pretendimeve të saj, në mbrojtjen e Haradinajt u mor vendimi për të mos thirrur asnjë dëshmitar. Pritej që vetë Haradinaj të dëshmonte ashtu si disa dëshmitarë nga komuniteti ndërkombëtar. Por tashmë ishte e panevojshme dhe do shërbente vetëm për të zgjatur më tej procedurat absurde. Ky vendim la të pazgjidhur pyetjen nëse Ramush Haradinaj, si i dyshuar, ishte në Gllogjan më 18 prill. Dauti ishte këmbëngulës se Ramushi nuk ishte. Ai shprehet se vëllai i tij ishte ende në Shqipëri, duke blerë armë dhe se ai u kthye natën e së dielës më 19 prill, domethënë të nesërmen. Burime të tjera të UÇK-së mbështesin pretendimin e përgjithshëm por dallojnë për datën kur Ramushi u kthye në Kosovë, disa e përcaktojnë disa ditë më vonë. Vetë Ramushi bie në kundërshtim me pretendime të tilla. Ai thotë se ishte në zonë në 18 prill, ndoshta në një fshat të afërt duke ndihmuar për ndërtimin e fortesave dhe mbrojtëseve, dhe se ishte informuar rreth incidentit kur u kthye në Gllogjan në mbrëmje. Ai tha se ishte i sigurt për këtë sepse ishte gjithçka shumë ‘e freskët’.
Dauti bie në kundërshtim me arsyetimin e tij. Ai tha se u ra dakord me të gjithë personat e përfshirë që Ramushit të mos i thuhej asgjë rreth situatës kaotike të asaj dite. Sipas Dautit, vetëm disa muaj më vonë kur dikujt padashur i shpëton një detaj, Ramushi kërkoi t’i rrëfehej saktësisht çfarë kishte ndodhur. Dauti tha se Ramushi ishte i zemëruar dhe u bërtiti ushtarëve dhe përkrahësve të UÇK-së, ‘çfarë është ë gjithë kjo… ne po luftojmë këtu’. Versioni i Dautit tingëllon i vërtetë. Problemet e Ramushit me kujtesën ishin në të vërtetë, një nga arsyet pse ai nuk u thirr si dëshmitar. Edhe pse mjeshtëror në përshkrimet e tij strategjike dhe rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve përgjatë luftës, ai ishte i paqartë në lidhje me detajet e përditshme dhe i pasigurt për datat dhe kohët. Ai ia justifikoi ekipit të mbrojtjes problemin e kujtesës duke thënë se:
Unë kam qenë në frontin e parë çdo ditë. Çdo ditë kishte incidente. Për shumë të tjerë kishte katër, pesë, gjashtë incidente gjatë gjithë luftës, dhe ata mund t’i kujtonin. Për mua ishte ndryshe.
Në këndvështrimin se si forcat serbe, të ndihmuara dhe të mbështetura nga familja Stojanoviç, kishin vepruar tre javë më parë ishte thuajse një mrekulli që këta burra u arratisën dhe jetuan për të përgënjeshtruar historinë që kishte ngjarë. Ky ishte një tregues i dobësisë së rastit kundër Haradinajt, për të cilin prokuroria konsideronte raste të meta nga persona jo qytetarë në kuptimin e plotë të fjalës, një prej të cilëve ishte në listën e Beogradit kur ai u kthye në Hagë, dhe u përdor për të mbështetur padinë. Po përse duhet të ngrihet një incident i tillë në një krim lufte? Sipas standardeve të luftës kjo ishte një ngjarje e parëndësishme. Çdo lloj analize serioze do të kishte zbuluar të vërtetën se përse këta njerëz u pritën armiqësisht kur u kthyen në fshat të zemëruar duke mbajtur zi për tre djemtë e vdekur.
***
Padia listoi një numër vrasjesh, dëshmitë e të cilave ishin të pakta dhe akuzoi Haradinajn si përgjegjës për vrasjen e tyre mbi bazën e një sipërmarrje të përbashkët kriminale. E përfshirë në listën e prokurorisë ishte edhe një grua e quajtur Sanije Balaj, trupi i së cilës u identifikua gjatë procedurave, por më parë kishte qenë një prej trupave të paidentifikuar në liqenin e Radoniqit. Identifikimi i mëvonshëm i ADN-së së Sanije Balajt u mbajt nga prokuroria. Ja tek ishte një viktimë e re, e keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe e vrarë, trupi i së cilës u gjend pranë kanalit. Gjykata konkludoi se çdo vrasje ishte një pasojë e parashikueshme e ‘sipërmarrjes së përbashkët kriminale’ me Haradinajn në krye. Kjo ishte një shtesë e mëvonshme dhe e dëshpëruar e padisë, perfekte për shtypin.
Në vitin 1998 Sanije Balaj ishte 35 vjeç. Përpara se të shpërthente lufta ajo ka qenë një agjente udhëtimesh në qytetin e Pejës. Në mëngjesin e 12 gushtit të atij viti, në kulmin e luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe, ajo ishte në një makinë që drejtohej nga një i afërm i saj dhe e shoqëruar me dy fqinj. Sanija ishte rrugës për në Pejë për të blerë një telefon celular dhe kishte me vete rreth 2,800 DM të holla. Ndërsa të katërt udhëtonin përmes fshatit Baran, një burrë i quajtur Mete Krasniqi i ndaloi. Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte edhe vëllai i Metes, Avniu. Të dy, Meta dhe Avniu u prezantuan si ‘Komandant’ edhe pse askush nuk ishte në gjendje të thoshte si e kishin arritur ata një gradë të tillë.
Emri i Sanije Balajt ishte ne listën e ‘personave të kërkuar’ që mbahej nga Mete Krasniqi. Presupozohej se ajo ishte një bashkëpunëtore serbe, edhe pse nuk doli asnjëherë asnjë fakt se çfarë pritej të bënte ajo për serbët. Ndërsa gjyqi vazhdonte, lista e Mete Krasniqit mori një nam të keq, por ishte pa interes për prokurorinë sepse dukej se i referohej dikujt tjetër e jo Ramush Haradinajt—kryesuesit të krimeve, siç ata dëshironin ta quanin.
Dëshmia se çfarë ndodhi kur makina ndaloi është e kundërshtueshme. Duket sikur Sanije Balaj u mor në pyetje në zyrën e Mete Krasniqit nga dy apo tre persona, njëri prej të cilëve ishte vëllai i tij Avniu. E gjitha kjo ndodhi me miratimin e komandantit kryesor të FARK-ut, i cili më vonë u njoh si Dëshmitari 17. Ai sugjeroi se veprimet e ushtarëve tradhtarë në zonën e tij ishin përgjegjësi e Haradinajt, të ushtruar nëpërmjet një strukture komanduese ‘paralele’. Ai tha se Haradinaj kishte emëruar Din Krasniqin, një kushëri i Metes dhe Avniut, si komandant lokal në një zonë të quajtur Baran. Përveç këtij sugjerimi, nuk kishte asnjë provë tjetër në lidhje me ‘strukturën paralele’. Dukej se Haradinaj kishte firmosur një urdhër për transferimin e Din Krasniqit në Baran, me kërkesën e tij. Urdhri e përshkruan Dinin si ‘Luftëtar’. Ai nuk ishte komandant dhe pas kësaj nuk i raportoi kurrë Haradinajt. Baran ishte në një nënzonë në të cilën Haradinaj nuk ka ushtruar asnjë komandë nga dita në ditë.
Shoqëruesit e Sanije Balajt u larguan ndërkohë që ajo merrej në pyetje në zyrën e Mete Krasniqit. Avni Krasniqi dhe një burrë i quajtur Idriz Gashi e çuan Sanijen në një makinë të kuqe dhe sipas dëshmitarëve udhëtuan në drejtim të fshatit Strellc. Më vonë, Avi Krasniqi do të thoshte se po e çonin atë drejt Gllogjanit, qendra e komandës së Haradinajt. Nga provat duket qartë se nuk kishte patur asnjë mundësi që ta çonin atje; duhet të kishte qenë e pamundur të ndodhte kështu si pasojë e luftimeve të vazhdueshme përreth Gllogjanit atë ditë. Avni Krasniqi dëshmoi se pasi kishin udhëtuar për rreth 20 minuta, Idriz Gashi e urdhëroi të ndalonte makinën. Gashi, tha ai, e urdhëroi Sanijen Balajn të dilte nga makina dhe urdhëroi Avni Krasniqin të qëndronte aty ku ishte. Avni Krasniqi rrëfeu në gjyq se nuk e kishte idenë pse Gashi e urdhëroi Sanijen të dilte nga makina, më pas ta çonte në pyll dhe aty e qëlloi. Po ashtu, Avni Krasniqi nuk ishte në gjendje t’i jepte gjyqit ndonjë shpjegim për sa u përket dy djemve vendas që panë ‘dy burra’ që shoqëronin një grua me një makinë e kuqe dhe e çuan në pyll.
Idriz Gashi u dënua për vrasjen e Sanije Balajt nga një gjyq ndërkombëtar në Kosovë në vitin 2006— një vit përpara se të fillonte gjyqi i Haradinajt. Dëshmitari kyç i padisë kundër Gashit ishte Avni Krasniqi, i cili ka qenë fillimisht një i dyshuar. E gjithë kjo iu bë e ditur prokurorisë. Tashmë, një vit më vonë, Krasniqi ishte në Hagë si dëshmitar i padisë kundër Haradinajt, për të njëjtin krim. Pikërisht atëherë kur Krasniqi do të jepte dëshminë, prokuroria zbuloi dy dokumente që i posedonin prej pothuajse një viti, për të cilat ka pasur një detyrim ligjor për të lejuar hetimin e mbrojtjes ose për të bërë kërkesë. Ky ishte thjesht shembulli i një modeli të pajustifikueshëm. Të dyja dokumentet zbuluan se në shtator të vitit 1995, rreth 3 vjet përpara këtyre ngjarjeve, Avni Krasniqi u dënua në mungesë në Zvicër për një seri plaçkitjesh të armatosura me 7 vjet burg. Ai u akuzua si anëtar i një bande të quajtur ‘grabitësit e dhomave të gjumit’ të cilët kryenin grabitje çnjerëzore nëpër shtëpi private. Autoritetet zvicerane kishin lëshuar një urdhër arresti për të.
Provat e prokurorisë treguan se kur rrëmbimi dhe vrasja e Sanije Balajt iu raportuan Haradinajt, ai menjëherë filloi hetimet dhe shkoi të vizitonte familjen e saj. Prokuroria kishte marrë një deklaratë nga një figurë e lartë e forcave të UÇK-së në atë zonë, Gani Gjukaj, ku përshkruheshin në detaje hapat që Haradinaj kishte ndjekur, dhe raportonte me saktësi çfarë ndodhi më familjen e gruas së vdekur. Por prokuroria vendosi për të mos e thirrur Gjukajn, duke mbështetur në vend të tij dëshminë e një krimineli të dënuar e të dhunshëm. Prokuroria në mënyrë të pasuksesshme kundërshtoi kur në mbrojtje u kërkua një deklaratë me shkrim nga Gjukaj, si provë.
Vëllai i Sanijes, Shaban Balaj, rrëfeu në gjyq se kishte shtangur kur kishte parë emrin e Haradinajt si të akuzuar për vrasjen e motrës së tij. Familja nuk kishte asnjë dyshim në lidhje me vrasësin e saj dhe u betuan se do të merrnin hak në përputhje me zakonet shqiptare.
Shpjegimi më i besueshëm për vrasjen e Sanije Balajt ishte grabitja. Ishte një krim që s’kishte të bënte me konfliktet në serbi. Një individ tashmë ishte dënuar për vrasjen e saj. Nuk kishte asnjë sugjerim se personi i dënuar ishte i njohur i Haradinajt. E gjithë kjo ndodhi në një zonë ku Haradinaj nuk kishte kontroll dhe madje e vizitonte shumë rrallë. Provat dëshmuan se ai ka qenë në Baran në vetëm dy raste gjatë gjashtë muajve të fundit të aktakuzës, një herë për një betim formal në ceremoninë e rekrutimeve të UÇK-së dhe sërish kur shkoi për të vizituar familjen e Sanije Balajt për të filluar hetimet mbi zhdukjen e saj. Ai nuk e njihte familjen Balaj më parë dhe madje kishte kontakte të rastësishme me të gjithë personat e tjerë të përfshirë. Pra, si mund të besonte prokuroria se ai ishte përgjegjës për vdekjen e saj? Përgjigjja, sigurisht, është që ata nuk e besonin.