Zef Zefi
Është kaq i vockël virusi.(latinisht-helm) Nuk është qelizor, thjesht një mikroorganizëm, me dimensione pak më shumë se 10/miliontat e centimetrit. Virusi të sheh, ti jo atë. As me sy, as me mikroskop optik, vetëm me mikroskop elektronik, mund ta dallosh. Është si me thënë një raketë që fluturon në kozmos dhe ulet mbi një trup qiellor. Ballafaqo pëmasat e planetit me raketën.
Nëse aparati fluturues është një vizitor i planetit, që sheh, vëzhgon dhe merr ndonjë material a dergon ndonjë foto në tokë, virusi jo.
Ky send aero e anareobik kaq i vogël me një ose dy helika, bën eskursione ajrore, por kur i teket ashtu siç është kockë e lëkurë(një brethamë e një kore i gjithi) i drejtohet një organizmi të gjallë dhe aty i merr atij vetëm një qelizë, sa pér tu ushqyer, për të pirë pak citoplazëm thonë mikrobiologët. Nderkohë virusi me të zenë banesë në qelizën qe ka zgjedhur, e tjetërson krej shtëpizën e mobilon atë si do vetë, dhe qeliza pra shpija është tashmë në dispozicion të tij edhe pse i paftuar. Merr në zotërim dhe enzimat e qelizës dhe fillon të jetojë për qefin e vet, duke zaptuar edhe shtepi të tjera…lagje të tëra, duke i adaptuar ato me “ngjyra laradacka” sipas qefit të vet, po duke prishur harmoninë dhe funksionalitetin e meparshëm.
Ndonëse rezistenca ekziston(varet dhe nga virusi) me apo pa kurorë, organizmi fillon të dorëzohet.
Dorëzohet qytetari, dorëzohet mjeku, pastaj spitali pastaj ministri, pastaj kryevirusi, dmth kryeministri, shteti. Pastaj shtetet me radhë si qelizat dhe indet, deri globi mbarë, prej një virusi sa 5/të miliontat e një sentimetri.
Globi thamë? Dmth Topthi i super-parexhinjve që e vertisin në majë të gishtit si xhonglerët? Jooo…
Edhe këta përbindsha që hanë për darkë një sallatë me familje të pabukësuara, ose për mëngjes zgjedhin një popull sirian ose shqiptar? Ose…ose në pushimin e një mbledhje “G-8”, zurbin gjak kontinenti, p.sh gjak afrike në tasin e kafes, edhe këtyre mund t’u futet virusi me koronë(kurorë)?
Virusi helm është siç i thoshin romakët, çikutë. Çikutë që vrau më të dijshmin e e të ndershmin globit para dy milenarësh e gjysëm.
E kush ia dha atij ta pinte?
Të tridhjetë tiranidët (tridhjetë oligarkët) thanë se e mori vetë, sepse këta që ia morën demokracinë shtetit me gjyq, i dhanë të “drejtë” të shkonte një ishull në izolim, si me thënë Napoloeoni në Elba.
Dy mijë e pesqind vjet historia “sherlok-holmëse e Sokratit e pazgjidhur, e pazbardhur dhe romani i vetëm i verdhë glob-al i pambaruar. Sokrati vdiq po oligarkët jo. Ata i vdesin sokratët, shtetet, demokracitë, me drejtësi, ose me virus-kurorë.