Godina e studentëve, ku u ndez flaka e protestës së dhjetorit 1990 dhe ku u firmos themelimi i Partisë Demokratike u shemb fiks 29 vite më vonë në vigjilie të përvjetorit të lëvizjes studentore që i parapriu shembjes së regjimit komunist në vendin tonë.
Në foton bardh e zi të protestës së 8 dhjetorit 1990 në krahun e djathtë dallohet godina 15, godina e studentëve dhe pedagogëve në Qytetin Studenti, ku është mbledhur grupi nismëtar i lëvizjes së Dhjetorit dhe ku u firmos themelimi i PD-së.
29 vite më pas, pikërisht me 8 dhjetor, kjo godinë e humbi përfundimisht simbolikën e atyre ditëve dhe iu nënshtrua shembjes për shkak të dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit. Shembja nga ana e Bashkisë Tiranë hapi një debat, ku banorët e saj protestuan me forcë, ndërsa opozita e cilësoi një veprim për interesa korruptive.
Përfaqësues të lëvizjes Azem Hajdari, Shenasi Rama, Sali Berisha, Arben Imami, Besnik Mustafaj, Gramoz Pashko, Robert Budina e të tjerë u takuan pikërisht në katin e dytë të kësaj godine në 9 dhjetor 1990 për të diskutuar për themelimin e PD-së.
Më pas grupi nismëtar u mblodh në shtëpinë e Gramoz Pashkos për të hartuar programin dhe statutin e partisë.
Por në atë godinë vijoi aktiviteti politike dhe deri më datë 12 dhjetor vinin studentët dhe qytetarët për të firmosur themelimin e partisë së parë pluraliste.
Regjisori Robert Budina në një prononcim për Abcneës thotë se shembja e saj është goditje e një simboli të demokracisë. “Eshtë një goditje ndaj sistemit. Shembja e godinës në këtë ditë është përgjigje e pushtetit komunist, me rrënjët e padukshme që godet demokracinë. Ajo godinë duhet të qendronte aty si simbol i fjalës së lirë”, thotë Budina.
Ja si e kujton Arben Imami, një prej nismëtarëve të kësaj lëvizjeje momentin kur ai bashkë me të tjerët u mblodhën aty për të vendosur krijimin e PD-së, pas një premtimi që kishin marrë nga ish-presidenti komunist Ramiz Alia për krijimin e pluralizmit politik në vend.
“Vendosëm që ta shpallim partinë, si Parti Demokratike. Një pjesë e madhe ishin të lëkundur ose nuk ishin dakord për arsye nga më të ndryshmet. Ndoshta edhe për arsyen, se disa prej tyre, që kishin projektuar Partinë e Intelektualëve të Rinj, menduan se iu iku monopoli mbi themelimin e partisë së re. Së dyti, ramë dakord që të nesërmen në mëngjes të shkonim te shtëpia e Pashkos, sepse kishte një kompjuter në shtëpi dhe ta shkruanim aty programin e partisë. Atë natë fjeta te godina 15 dhe të nesërmen në mëngjes, me Azemin zbritëm poshtë për te Gramozi”- shprehet Imami në n jë rrëfim për librin “Pardesytë e Bardha” të Luljeta Prognit.
Në një reagim nga foltorja e PD-së, ish-student i dhjetorit, Jamarbër Malltezi tha se “prishja e ndërtesës 15 tek Qyteti Studenti bash me 8 Dhjetor është simbol i urrejtes së komunistëve ndaj demokracisë dhe nuk ka lidhje me sigurinë e ndërtesës”. Sipas tij ky veprim “bie erë vjedhje dhe hapje sheshesh për gradacela se aty bën milionat dhe asnje lidhje me merakun për banorët. Nëse do kishe merak për banoret do e filloje duke çuar në burg deputetet e PS qysh nga Sadriu”.
Kjo godinë prej shumë vitesh shërbente si një banesë sociale për dhjetra familje që i paguan shtetit një qera simbolike. Si godina 15 edhe dy godina të tjera po shemben në Qytetin Studenti me këtë arsyetim dhe janë afro 100 familje që kanë mbetur pa strehë që prej ditës së dielë.