Sot rreth orës 07:00 të mëngjesit, ka filluar aksioni për shembjen e godinës me xhama para ‘Arenës Kombëtare’. Kjo godinë do prishet dhe në atë vend është planifikuar të ndërtohet parkingu për të gjithë ata që do të frekuentojnë stadiumin. Godina është shembur nga 2 fadroma, jo me eksploziv, pasi rreth saj, në një perimetër të afërt ka ndërtesa të tjera.
Ndërkohë, një nga pronarët e godinës, Ëngjëll Burimi, ka folur për Fax News duke thënë se ata si pronarë janë lajmëruar me shkresë zyrtare para 4 ditësh, por nuk janë lejuar edhe disa ditë që të paktën të hiqnin objektet brenda godinës. Gjithashtu, Burimi tha se kishte parë fadromën që godiste muret e godinës, ndërkohë që brenda saj kishte njerëz.
“Jam njëri nga pronarët, jemi 4 pronarë. Jemi njoftuar me shkrim 5 ditë më parë nga IMT-ja dhe normalisht duke marrë parasysh karasteristikat këtij objekti, nuk mund ta lironim, në këtë afat. Për këtë ne kërkuam një shtesë në kohë. Ju e shihni qetësinë tonë dhe nuk na humb llogjika pavarësisht se dëmi është shumë i madh.
Nuk ka interes askush t’i bëjë dëm një biznesi, deri në ditët e fundit ishte aktiv, ishim 4 pronarë me bisneset e veta përkatëse, minimumi të largonim pajisjet dhe të merrnin dokumentat. Është një kapriço në dëm të biznesit. Çfarë të keqe kishte që të na kishin dhënë një kohë për të hequr mundin dhe djersën tonë.
Unë sot kam parë një tmerr me sy, njerëzit ishin duke hequr diçka nga godina dhe matrapiku filloi punën gjë e cila mund të shkaktonte tragjedi. Kompania që nuk është lajmëruar dhe që ka zyrat në këtë godinë ka bërë ndërhyrje në fasadën e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”. Për t’u çmuntuar biznesi duhet të jepej kohë, nëse do të ishte emergjencë ndryshon puna, por kjo është një kapriço. Asnjë aktivitet që kishte ambiente në këtë godinë nuk i ka larguar paisjet. Nuk kam asnjë lloj pretendimi lidhur me shpronësimin, pavarësisht kësaj është bërë në një vlerë qesharake duke marrë parasysh zonën në të cilën ndodhet. Kjo zonë ka vlerë 4 mijë euro metri katror dhe ata na shpronësuan me 400 euro, është një çmenduri”, tha Burimi.