Ylber Ramadani shënoi golin e dytë në ndeshjen e së martës ndaj Moldavisë, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020. Përpost golit, një tjetër detaj bëri shumë përshtypje. Mesfushori gjatë festës për golin e shënuar hoqi fanellën dhe e goditi atë me këmbë, duke marrë edhe disa komente negative nga tifozët.
Diçka e tillë ka sjellë edhe reagimin e futbollistit, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar se ai gjest ishte spontan dhe nuk kishte asnjë qëllim të keq.
“Përshëndetje miq, ju falenderoj të gjithëve për komentet pozitive dhe ato negative sa i përket çështjes së bluzës. Ju kërkoj shumë ndjesë për hedhjen e bluzës, me të vërtetë një gjest i papranueshëm, por më besoni që ndodhi si pasojë e mos kontrollimit të emocioneve dhe nuk kisha ndonjë qëllim të keq. Ju kërkoj shumë ndjesë. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, ka thënë Ramadani.