Aktualitet

“Gomari hyri në vresht”/ Sherr mes vëllezërve në Tiranë, dhunohen me dru e leva





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:41 - 04/05/20 |
mapo.al

Një sherr që të kujton Nastradinin e famshëm. Por nëse Nastradini ishte personazh i sa e sa përrallave satirike që përfundonin gjithnjë gëzueshëm kjo që ka ndodhur pak kilometra nga Tirana është reale dhe e dokumentuar dhe ka përfunduar në dyert e drejtësisë.


Dy vëllezër janë zënë për gomarin që prishi vreshtin duke përfunduar me dhunë, dëmtime serioze dhe arrestim. Ngjarja ka ndodhur më 1 maj në fshatin Shpatë në Baldushk mes vëllezërve Muharrem dhe Enver Lloçi.


NGJARJA
Në raportin e ngjarjes së OPGJ thuhet se rreth orës 18:30 në oborrin e banesës së Enver Lloçit i arrestuar për “Dhunë në familje” kishte shkuar për të biseduar vëllai i tij i quajtur Muharrem Lloçi. Ai ishte ankuar për gomarin që kishte hyrë në vresht dhe i kishte dëmtuar rrushin. Në momentet e diskutimit mes dy vëllezërve, Enveri është nevrikosur dhe menjëherë ka filluar ta shajë dhe ofendojë me fjalë shumë fyese e ofenduese vëllain e tij Muharremin.


Më pas Enveri është afruar pranë vëllait të tij dhe me një copë druri që e kishte në dorë e ka goditur Muharremin në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime serioze, çarje e dëmtime në anën e djathtë të fytyrës së tij dhe më pas e ka goditur dhe me grusht në pjesën poshtë syrit të majtë duke i shkaktuar sërish dëmtim serioz. Më pas Muharremi është rrëzuar pa ndjenja në tokë.


Policia ka marrë njoftim për ngjarjen rreth orës 19:00 se në fshatin Shpatë në Baldushk, kishte ndodhur një konflikt i ashpër për motive të dobëta ku si pasojë e konfrontimit fizik mes dy vëllezërve Muharrem dhe Enver Lloçi, pjesë e konfrontimit ishte bërë edhe Bujar Lloçi, djali i Muharremit, i cili kishte goditur me një shufër metalike në kokë xhaxhain e tij Enverin.

Policia ka shoqëruar në ambientet e Postës së Policisë dy vëllezërit, ndërsa është shpallur në kërkim, djali i Muharremit Bujarit.

DËSHMIA E MUHARREMIT
Më 2 maj rreth orës 03:30 Muharremi ka bërë kallëzimin penal ku tregonte çfarë kishte ndodhur. “Ndodhesha pranë vreshtit të rrushit kur pashë gomarin e Enverit që kishte hyrë dhe po dëmtonte rrushin. E nxora gomarin nga vreshti dhe e ndoqa deri tek shtëpia e Enverit dhe i tregova ca kisht ndodhur. Por Enveri nisi të shante dhe të ofendonte me fjalë shumë fyese e banale në drejtimin tim, të gruas sime dhe të vajzave. U afruan pranë meje me gjithë gruan dhe më tërhoqën nga rrobat. më pas Enveri më goditi me një copë druri të shkurtër.

Ndërkohë u afruan dhe dy fëmijët e vëllait të cilët po më shtynin për të më rrëzuar në tokë. Ngrita duart para duke u munduar të mbroja kokën por kur më goditi me dru më çau në fytyrë. Më pas më qëlloi me grusht në anën e majtë të hundës pranë syrit. Kam rënë në tokë dhe nuk mbaj mend më asgjë”, ka deklaruar në kallëzimin e tij Muharremi. Ai ka shtuar se është përmendur më pas në shtëpinë e tij dhe mbi kokë kishte djalin, Bujarin. Ky i fundit sapo ka parë që i ati është përmendur është larguar. Muharremi ka deklaruar se nuk e ka goditur asnjëherë vëllain e tij Enverin.

DËSHMIA E ENVERIT
Nga ana tjetër Enver Lloçi, i arrestuar për dhunë në familje ka deklaruar se ai është dhunuar fizikisht nga djali i vëllait të tij, nga nipi i quajtur Bujar Lloçi. “Më ka goditur me shufër hekur në kokë dhe më ka shkaktuar dëmtime në kokë dhe fytyrë. Unë nuk kam dhunuar askënd, nuk e kam dhunuar vëllain tim Muharremin dhe nuk e di kush mund ta ketë dëmtuar”, ka deklaruar Enveri.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas