Aktualitet

Google do të ndajë 25 milionë euro për të luftuar dezinformimin














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:12 - 31/03/21 |
mapo.al

Kompania Google, që është në pronësi të Alphabet Inc, është zotuar se do të ndajë 25 milionë euro si kontribut për një fond të ri europian që synon luftimin e “lajmeve të rreme” dhe mbështetjen e kontrollit të fakteve.





Kompanitë e teknologjisë janë nën presion të fuqishëm nga ana e shteteve, për të bërë më shumë në luftën kundër dezinformimit në internet.


“Pasiguria dhe sfidat e vitit të kaluar (2020) kanë dëshmuar se është më e rëndësishme se kurrë për njerëzit që të kenë informacion të saktë dhe të jenë në gjendje të klasifikojnë faktet nga trillimet”, tha Matt Brittin, shef i kompanisë Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.




Një rritje e shkallës së dezinfomimit u shënua gjatë pandemisë dhe zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA. Platformat e mediave sociale u kritikuan se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të trajtuar këtë çështje. Rregullatorët kanë paralajmëruar se mund të marrin masa ndaj tyre. Fushatat e dezinformimit kanë shënjestruar edhe zgjedhjet në gjitha anët e botës.


Një raport i publikuar nga Zyra e Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare në SHBA, më 16 mars, tha se presidenti rus, Vladimir Putin “ka autorizuar një varg organizatash qeveritare ruse që të ndikonin në operacione, me qëllim të denigrimit të kandidaturës së presidentit, Joe Biden dhe Partisë Demokratike, duke përkrahur ish-presidentin, Donald Trump, për të minuar besimin publik në procesin zgjedhor dhe për të rritur ndarjet shoqërore dhe politke në Shtetet e Bashkuara”. Biden fitoi në zgjedhje dhe u inaugurua më 20 Janar.


Kremlini ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së duke i quajtur ato si “absolutisht të pabazuara”.

Google është platforma më e popullarizuar në botë e kërkimit në internet, me 92 për qind të tregut global. Kompania amerikane ka në pronësi edhe platformën më të popullarizuar në botë për publikimin e videove: YouTube.

Brittin tha se Google do të ndihmojë në nisjen e Fondit Evropian të Medias dhe Informacionit, i cili është inicuar nga Fondacioni “Calouste Gulbenkian” me bazë në Portugali dhe Instituti i Universitetit Evropian në Itali.

Qëllimi i këtij fondi evropian është mbështetja e bashkëpunimit në përpjekjet për të luftuar dezinformimin, pastaj të ndihmojë në kontrollimin e fakteve dhe të zbulojë mundësi kreative për të forcuar qëndrueshmërinë e përballjes me dezinformimin.

Projektet që do të financohen nga ky fond do të zgjidhen nga Vëzhguesi Evropian për Median Sociale, një mekanizëm i Komisionit Evropian që u themelua vitin e kaluar në përbërje të studiuesve, akademikëve dhe ekspertëve të teknologjisë dhe kontrollimit të fakteve./REL/

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas