Aktualitet

Gota u derdh mbi shtratin tonë me shije vodke (Cikël poetik)





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:45 - 18/07/20 |
Mirjana Stojanovska

Mirjana Stojanovska është profesoreshë e gjuhës maqedonase, poeteshë, kritike letrare dhe eseiste. Është e lindur në vitin 1971. Ka diplomuar në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski”, në grupin gjuhë maqedonase dhe letërsi.


Magjistroi në Fakultetin Pedagogjik në Manastir. Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë nga viti 2007. Ka qenë kryetare e parë e Klubit të shkrimtarëve në R. e Maqedonisë “Danica Ruçigaj” në kuadër të SHSHM në periudhën prej 2014 deri 2018.


Tri mandate ka qenë anëtare e kryesisë së SHSHM. Është autore e 9 librave poetikë. Hartuese e 5 librave të ndryshëm. Është e përfshirë me poezi e kritikë letrare  në revista të vendit dhe ndërkombëtare. Merr pjesë në manifestime poetike dhe panaire të librit në vend dhe jashtë vendit.


Është fituese e çmimeve letrare: “Aco Karamanov”, Radovish, vendi i parë, çmimin “Mediala”, Manastir, çmimin “Poetski bran”, Strugë. Është kryetare e Shoqatës për shkencë dhe kulturë “Nova” në Manastir, ku 11 vite radhazi organizon festivalin poetik ndërkombëtar “Poetski sintezi”, kontribuon për afirmimin e poezisë dhe gjuhës maqedonase. Gjithashtu,  organizon simpoziume letrare, promovime dhe aktivitete të tjera letrare.


 

BUKOVSKI

 

Atë ditë lexuam Bukovskin

në gjith versionet e tij

të qiell – vështrimit pervers

me formë të organit femëror

(një nga titujt e poezisë së tij)

që Bukovski nga Hollivudi

katapultoi në prehrin e dhjetëra grave

me ngjyrë alkooli e gjaku…

 

Gota u derdh mbi shtratin tonë

me shije vodke, rumi e lëngu

dhe shije buzësh të njoma

që shkrihen në gjuhën e varkës

më të gjatë në gjirin e Ohrit,

tek ura e drurit nën shkëmbinj,

nën Hënën më të madhe

në këndin e se cilës, afër Diellit,

ishim ulur ne në restorantin e vogël

në ujë

dhe mite

që depërtuan në çdo frymë të shkëmbinjve

nën Kaneo…

 

E tashmja merrte frymë me gjith forcën

dhe ishte arsye që ajo ditë

të jetë e shënuar me numër tjetër

nëpër 31 rrugë

në muajin më të gjatë

që më prekte

nga ana tjetër e tryezës

me verë, sallatë dhe peshq…

Jo, askush nuk u frikësua.

Natën kishte vetëm turistë të qetë të huaj.

 

ERRËSIRA E NDRIÇUAR

Prodhim serik

bluzash e pantallonash,

avokatësh e ushtarësh.

 

Prodhim serik

këngësh e stilolapsash,

hajvar e kastravec turshie.

 

Prodhim serik

mendjesh e bishash,

njerëzish e kodesh,

barërash e mjekësh.

 

Prodhim serik

sergjish të zbrazura,

pa drejtësi

dhe pa arsye

futur  në fund.

 

Asnjë nga gjithë letrat

nuk dëshiron të zbresë

në atë pafundësi

e të jetë dëshmitar

i errësirën së ndriçuar.

 

SHPALOSJE FSHEHTËSIE

Sot, gjith shkronjat heshtin.

Sot, sikur fshehin

diçka nga unë.

Është qetë.

Kutia televizive

më ritregon emocione të huaja,

e mua edhe ndjenjat e mia më rëndojnë.

 

Sot çuditshëm më tingëllon trupi im

si marramendje në krevat,

po pres çka do të ndodh

nga kjo marrëdhënie çuditshme e forcave

të fjalëve rreth meje.

 

Sot ndryshe historia më tingëllon,

më ndryshe interpretojnë fshehtësitë e mia,

kurse unë si bredh tërqethem…

Vallë kam fshehur diçka nga vetja?!!

 

DERA E MBYLLUR

Qëndroj para derës së mbyllur

si figurë dylli

dhe nuk di nga të filloj.

 

Më dhemb koha e humbur,

më rëndon dera e mbyllur,

e pranë meje dhe një derë e mbyllur

e shokut tim.

 

Më vjen keq për peshën e tij,

por, unë dashuri për të nuk kam.

Por, kam diçka të njëjtë,

pyetje të njëjta:

 

Kush na e murosi derën e madhe?

Si të depërtojmë?

Çka qëndron në anën tjetër

të derës së murosur?

 

SEKUENCA

 

Koha më tradhëton,

minutat injorojnë ditën,

nuk mund të blej biletë

për në katin e katërt.

 

Zëra me plehëra perverse,

fytyra të zymta shikojnë nga televizori

shikojnë drejt në mua.

Pse unë të dëshmoj

ekzistencën e tyre?

 

Dua ta dëgjoj

të dashurin tim,

rrëfimi i tij më qetëson

dhe kur të qetësohem mirë

në shtratin tim të ngushtë

më zgjon goditja në dysheme

e duarve të mia të pandjeshme

në të dyja anët e krevatit.

 

Natën askush nuk më prek.

Ditën e gëlltiti si një kifle,

pres sekuenca kohësh të huaja.

Dhe pastaj

vesh uniformën ditore

si uniforma e bashkëkohësve të mi,

dhe përzihem me formulat

e zgjidhjes pafund.

 

Rikëndoi nga origjinali:

Adem Abdullahu


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas