Mri Tinaj, e dhunuar nga grabitësit në banesën e saj në Vermosh, ka treguar momentet e sulmit. Ajo tha se grabitësit e kanë goditur disa herë me levë në kokë dhe në vende të tjera.
Më tej, ajo sqaroi se grabitësit i morën shuma të mëdha parash dhe sende ari me vlerë, si dhe makinën që e kishin në oborr.
“Rreth orës 1, hajdutët ishin pas xhamit. Krisi diçka dhe u ngrita. Ata hynë me një automatik në dorë e me leva. Ishin dy vetë. Na thanë mos lëvizni, unë u mundova të ngrihesha e të dilja jashtë e të mos dorëzohem. Burrin e lidhën direkt, ndërsa unë u mundova të qëndroj. Ishin me maska me doreza. Na thanë na jepni paratë. I dha burri disa lekë që kishim shitur një mëzat. Morën çdo gjë arin që kishim. Na lidhën, na masakruan. Mua më goditën me levë në kokë. Na lanë lidhur e na morën çelësat e makinës që na kanë sjellë fëmijët nga Amerika. Ishin në dialektin tonë, por nuk i njoha fare, nuk mendoj që janë të zonës. Nuk kam arritur të kuptoj asgjë. Sa tentova ti heq maskën më goditën me levë kokës”, tha ajo.
Lidhur me shumën e madhe që mbanin në shtëpi, gruaja tha se kishin shitur dy makina, një lopë dhe paratë e tre viteve të pensionit të burrit të saj.
“Kemi pasur lekë, se kemi shitur dy makinat e fëmijëve. Kishim paratë e pensionit. Kishim tre vite që i ruanim të bënim punime. Na morën të gjithë paratë, gjërat e arit, telefonat. Bashkëshorti është i lënduar, po jo aq sa unë. Kamerat i kemi vënë por nuk funksionojnë. Kam dalë vetë e lidhur këmbësh e duarsh, kam shkuar duke u zvarritur deri në kuzhinë. I kam zgjidhur këmbët burrit se vetes nuk arrita. Më pas burri shkoi tek komshija. Qëndruam të lidhur rreth një orë e gjysmë a dy. Na lanë të lidhur e a mbyllën brenda, morën çdo gjë që kishim dhe kur iku njëri tha për mua që nuk e kam të gjatë. Jam 58-vjeçe dhe kam katër djem. Policia është nisur direkt. Ka hasur në makinën e aksidentuar tonën, sepse ata i kanë grabitur dikujt tjetër një makinë. Kanë ardhur deri në një farë vendi ku kanë parë policinë e kanë ikur”, shtoi ajo më tej.