Ish kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, ka reagur këtë të hënë në lidhje me gjyqtaren Fatmira Hajdari, e cila u përball sot në procesin e vettingut në seancën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Bruçaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook e akuzon gjyqtaren Hajdari se në vitin 2015, me një vendim gjyqësor absolutisht të padrejtë, haptazi dhe në kundërshtim me ligjin dhe provat, ka kontribuuar që ti grabitet një nga pronat shekullore Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Ish kreu i KMSH në reagimin e tij thekson se gjyqtarja Hajdari edhe mund ta kaloje këtë Vettingun e drejtësisë në këtë botë, por nuk mund ti shpëtojë drejtësisë në botën e përtejme.
Gjithashtu, ai ka edhe një këshillë për të gjithë anëtarët e sistemit gjyqësor, ku thekson se kur zgjedh të bësh padrejtësi me qëllim të keq, duhet të dish se është një ndër veprimet më të urryera nga Zoti.
Postimi i plotë,
Gjatë detyrës time si kryetar i KMSH jam përballuar me një nga vendimet më të padrejta nga gjyqësori shqiptar.
Fatmira Hajdari në vitin 2015, me një vendim gjyqësor absolutisht të pa drejtë, haptazi dhe në kundërshtim me ligjin dhe provat, ka kontribuar që ti grabitet një nga pronat shekullore vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Çështja tani është në gjykatë të lartë dhe jam i bindur që dikur drejtësia do vendoset.
Zonja Hajdari edhe mund ta kaloje këtë Vettingun e drejtësisë në këtë botë, por jam i bindur se në botën e përtejme do të përballët me drejtësinë absolute të Zotit.
Një këshillë për të gjithë anëtarët e sistemit gjyqësor; Të kontribuosh që të vendoset drejtësia në vend konsiderohet si adhurim si një punë shumë fisnike para Zotit, por në të njëjten kohë, kur zgjedh të bësh padrejtësi me qëllim të keq, ta dini se keni bërë një nga veprimet më të urryera nga Zoti.Dënimi në botën tjetër është i pashmangshëm.
O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë pë hir te Allahut edhe nëse është kundër (interesit) vetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, pse Allahu di më mirë për ta.Mos ndiqni pra emocionin e ti shmangeni drejtësisë! “Nëse shtrembëroni ose tërhiqeni, Zoti është i njohur hollësisht për çka punoni”. (Kur`ani, Nisa: 135).