Ragip Hajdini, një prej autorëve të grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit të Rinasit, ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës.
Ai njihet edhe si “Daja” nga Kosova, ndërsa prej 4 ditësh ishte i shtruar në spital, ku ishte dërguar nga qelia e bugut për shkak të problemeve shëndetësore.
Hajdini ishte pjesë e grupit të Admir Muratajt, që grabiti në 9 prill të vitit të kaluar në pistën e aeroportit të Rinasit rreth 5 mln euro, para të një banke të nivelit të dytë.
Arrestimi i tij u bë më 26 prill te “Shkëmbi i Kavajës” në një pronë të tijën. Gjatë grabitjes së bujshme mbeti i vrarë Murataj gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Emri i Ragip Hajdinit si një prej grabitësve u përmend nga i penduari Alkond Bengas, i cili tha përpara hetuesve se ishte i përfshirë edhe një person nga Kosova me pseudonimin “Daja”. Por ky i fundit nuk e pranoi asnjëherë lidhjen e tij me ngjarjen.
Në kërkim si të përfshirë për grabitjen e parave nga avioni në pistën e Rinasit janë ende Talo Çela dhe Aleks Pepa, ndërsa në 19 mars të këtij viti u arrestuan vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, gjithashtu pjesë e grupit të grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit.
Grabitja spektakolare e Rinasit
Grabitja ndodhi në orën 15:00 më 9 prill të 2019-ës brenda në pistën e aeroportit të Rinasit. Pas grabitjes policia u vu në ndjekje të fugonit me mbishkrimin “Hetim Tatimor” që u përdor për grabitjen nga autorët, ku nga shkëmbimi me armë zjarri mbeti i vrarë koka e organizmit të vjedhjes, Admir Murataj, 2 kilometra larg aeroportit, në rrugën e Hurmave.
Grabitësit hynë duke thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse. Autorët kanë pasur informacion për vlerat monetare të bankave të nivelit të dytë që do të niseshin nga Shqipëria me avion për në Vjenë, ku kanë shkuar deri në barkun e avionit për grabitjen e rreth 10 milionë eurove.