Tre krerët e shtetit shqiptar kanë qenë në Rinas ditën e djeshme para ose pak pasi ka ndodhur grabitja spektakolare. Një ditë më parë u raportua se avioni që ra pre e grabitjes është i njejti me të cilin kishte udhëtuar Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai po kthehej nga Vjena ku gjendej për një vizitë me drejtues të lartë të OSBE.
Më vonë, pak minuta pas ngjarjes nga Rinasi është nisur edhe kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Rama ka udhëtuar në drejtim të Monakos, pasi ka postuar prej andej një video duke shijuar panoramën.
Ndërkohë, në avionin që do nisej drejt Vjenës, sipas gazetares Rudina Xhunga, gjendej edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Pavarësisht këtyre lëvizjeve, duke i shtuar këtu faktin se prej aty do udhëtonte edhe një zyrtar i lartë i DASH, hajdutët nuk janë shqetësuar aspak për masat e sigurisë.
Çështja është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një grabitje, por për cënim të sigurisë.