fbpx

Aktualitet

Gratë e ‘Besës’ mashtruan 800 vetë: Si funksiononte skema piramidale





               Publikuar në : 12:57 - 22/08/19 |
mapo.al

Merrej kredi 10 mijë lek (të reja) por në letra shënohej si 500 mijë lek (të reja). Kjo është skema piramidale që kishin ngritur 7 persona, punonjës të Fondacionit “Besa” dhe sekserë. Në pranga ka rënë drejtoresha e një prej degëve të Fondacionit “Besa”, Albana Imami, 3 punonjës të fondacionit si dhe dy sekserë. Deri më tani janë më shumë se 800 qytetarë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi. Në krye të skemës qendronte Albana Imami.
Si funksiononte skema?


Dy sekserët Orkida Driza dhe një 32-vjeçar, gjenin personat për të marrë kredi fiktive. Kredia merrej vetëm me një kartë identiteti dhe në letra shënohej sikur ishin marrë shuma të konsiderueshme, duke filluar nga 5 milionë lek të vjetra. Dy sekserët vetëm gjenin kartat e identitetit, ndërkohë që gjithë procedura më pas vihej në zbatim nga 4 punonjës të Fondacionit “Besa” dhe nga Albana Imami.



Qytetarët që kishin përfituar kredi të vogla, as paraqiteshin në degë për të dorëzuar dokumentat, apo për të firmosur, por çdo gjë realizohej nga punonjësit.


Përfituesit e kredive shkonin vetëm për të marrë shumën e parave. Ata merrnin vetëm 20-25% të kredisë, ndërkohë që pjesa tjetër mbahej nga Albana Imami, dy sekserët dhe 4 punonjësit e fondacionit.

Janë rreth 3.7 milionë euro të cilat janë dhënë si kredi përgjatë viteve të fundit, falë kësaj skeme piramidale. Albana Imami për të mbuluar këtë shumë tek njerëzit që drejtonin fondacionin, kishte marrë më shumë se 1.7 milionë euro me interes tek persona të tjerë, gjithmonë në emër të fondacionit.

Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.

Të arrestuar:

Albana Imami, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.
B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
E.V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
Orkida Driza, 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.
A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.

/MAPO.al


Etiketa: , , ,

Pas