Poezi nga Sofia Doko Arapaj
E KUSH JE TI?
Të pashpirtët
Kur më thonë,
E kush je ti?
Që bëhesh copë për Shqipëri
As do t’ia dijë njeri për ty
Oh, oh, si bëhem, thikë në brez
Shpatë që ther edhe të grij
Si vuaj zemërpërpëlitur
Nën një pikë ujë të akullt, ngrij…
GRATË E VOGLA
Gratë e vogla, ia bëjnë një kafe të shoqit
I bëjnë gjellë e izmet të ndihet i gjallë
Ia japin këmishën e hekurosur të dalë
Si zotëria mes shokësh të ndihet krenar
Çfarëdolloj feje, sepse është shqiptar.
Gratë e vogla, i bëjnë grimcat e vogla
Nuk dinë mburrka, e mashtrime të mëdha
Thjesht e dhanë besën në epokën e varfër
Dhe e mbajnë besën, aty ku nuk ka.
KUKULLAT
Bëjmë kukulla, prej lecke
Dhëndrin ti dhe nusen unë
Ajt, t’u bëjmë dyshek prej kashte
Dhe jastëkë t’i vemë në gjumë.
Nusja ngjan tamam si mua
Buzë të bukura si qershi
Dhëndri i urtë, po… çapkën
Ngjan te them tamam si ti…
Ajt, t’u bëjmë dyshek prej kashte
Hajde… të lozim, si atëherë
Dhëndri ti dhe nusja unë
Ajt, te lozim edhe njehere…
XIXËLLONJËS
Më fal xixëllonjë
Pse në grusht të shtrëngoja
S’mund të të thoja ik…
Isha e vogël
Për vete të doja
Mbi fustan të më bëje dritë…
BËHEM ZOG…
Nëpër ferra, manaferra, bëhem zog ciu-ciu, ciu-ciu
Atje ranë e më humbën mua, rruazat lloj-lloje
Ferrë e kuqe, ferrë e zezë, anës lumit lumturia
Nëm të pi sisët e tua, të hamë rruazat e mia…
Një e zezë një e kuqe, rruazat moj mana-ferrë
Buzë e vogël, buzë e kuqe, pres të ngjallem dhe një herë…
SI MJEGULLA TË TRETEMI
Mblidhëm i dashur, si pikëzat e shpëtimit
Me ato klithmat tona në ato rrugët me shi
Si vajtim i hyjnive prej tragjedisë së kujtimit
Si mjegulla epohore, të tretemi të dy…
Mbidhëm i dashur, si kamomile të butë
Me atë prekje e të puthur të pacipë e hyjnore
Si vajtimin e një burri, me vullkane njerëzore
Si një zog, që nuk gjeti dot një shtëpi…
DASHURISË SË PARË
Më shtrëngove ti
Dashuria ime e parë
Dhe duart që më përkëdhele
M’i morën afendikonjtë…
Më puthe ti
Dashuria ime e parë
Dhe shpirtin që ngeli
Foli vetëm gjuhën tënde…
Më tradhëtove ti
Dashuria ime e parë
Dhe tradhëtinë që le
Më hëngri kokën!
Rrotulloj ishullin
Të këputen zinxhirat
Të dashuroj Herkulin
Të ngjis ishullin me tokën…
…
Ike ti dashuria ime e parë
Dhe më braktise në livadhe prej ngrice
Po shkoj të luaj, dashuria ime e parë
Derisa xixëllonjat të fiken…
TEK STACIONI
Ai më përqafoi sa u ngopa
E ndjeva kur më mbështolli plot
Po nuk e kuptova dot
Si iku, iku menjëherë.
Dritaret, karriget si frymorë
Ngjyrën e fytyrës së tij morën
Të dua, a ja thashë që ta dijë
Si iku, iku menjëherë.
Def i lehtë i binte gjoksit tim
Isha aq e ngrohtë, aq e butë, aq e ëmbël
Po të më prekje, do t’përgjigjesha si zog
si zog, si zog, si zog dhe…si ëndërr.
Përzgjodhi dhe përgatiti Eli Kanina