Shkatërrohet një grup që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë, duke vënë në pranga gjashtë shqiptarë dhe një grek. Bëhet fjalë për persona që trafikonin kokainë, heroinë dhe marijuanë nga Shqipëria drejt shtetit fqinj.
Operacioni u kurorëzua gjatë orëve të fundit në Selanik. U arrestuan të dyshuarit me moshë nga 19 deri në 49 vjeç, ku kreu i bandës ishte një shqiptar i moshës 41-vjeçare.
Në cilësinë e provës materiale nga policia greke u sekuestruan 9 kilogramë e 145 gramë marijuanë; 6 kilogramë e 306 gramë heroine; 94 gramë kokainë; 2 kilogramë e 180 gramë përzierës; një pistoletë me krehër me 7 fishekë; 5 fishekë të tjerë; një peshore për lëndën narkotike si dhe disa celularë.
Të dyshuarve iu gjetën edhe 4500 euro, të cilat dyshohet se janë fryt i aktivitetit të jashtëligjshëm.