Kryeministri Edi Rama takohet në Athinë me homologun grek Kyriakos Mitsotakis ku merr premtimin se do të njihen patentat shqiptare në Greqi dhe jep “premtime” se do plotësojë të tjera kërkesa nga minoriteti grek si çështja e pronave dhe censusi. Mbesin pezull dhe nuk përmenden çështjet e mëdha si ajo çame dhe ligji i luftës.
Nga Sebi Alla
Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis patën dje një takim për çështjet që mbesin pezull mes dy vendeve. Përveç “komplimenteve” për kollaren me topa të bardhë brenda sfondit kafe që mbante Rama, u mënjanuan temat e nxehta që herë afrojnë e herë largojnë palët. Çështja e ndarjes së detit, ligji i luftës, patentat, çështjet e minoritetit dhe varrezat greke në vendin tonë, ishin objekt i diskutimeve. Por si “trofe”, kryeministri Edi Rama duket se do të kthehet vetëm me premtimin se së shpejti në Parlamentitin grek do të votojë njohjen e patentave shqiptare edhe në shtetin fqinj. Nga ana tjetër, pala greke ka marrë premtimin se qeveria jonë do të zgjidhë çështjen e pronave dhe të censusit të cilat janë ngritur si shqetësim për minoritetin grek në vendin tonë. Kjo është konfirmuar ndër rreshta edhe nga një njoftim zyrtar i kryeministrisë. Duke iu referuar takimit me Mistotakis thuhet se: “Më tej, ai mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri”. Në asnjë rresht nuk është përmendur çështja çame, apo të merrej premtimi edhe nga Athina zyrtare për heqjen e ligjit të luftës. Takimi mes dy kryeministrave ndodhi gjatë samitit të euroazisë që po mbahet në Athinë, ku Ramës iu “rezervua” edhe një takim dypalësh. Mediat greke i kanë dhënë rëndësi këtij takimi, ku kryeministri Edi Rama pati edhe intervistë me gazetarë. Ndërsa në fund u theksua se Mitsotakis shumë shpejt do të shohë mundësinë e një vizite në Shqipëri, e cila përkon me ngritjen e një tjetër varreze të ushtarave grek të rënë në territorin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rama lëshon për të mos marrë
Që pala greke është sërish një hap para asaj shqiptare, u duk në mënyrën si u trajtua edhe çështja e hapjes së negociatave. Jo rastësisht kryeministri grek Mitsotakis u shpreh në fillim të tetorit se nëse Shqipëria nuk respekton të drejtat e minoritetit grek atëherë Greqia mund të vendoste veton që vendi ynë të mos hapte negiociatat. Një takim mes Mitsotakis dhe Ramës ndërsa ndodheshin në New York, në takimin e OKB-së, ndryshoi qëndrimin e vendit fqinj, e cila votoi pro hapjes së negociatave, por vota e tyre nuk vlejti për asgjë, pasi vendi ynë përfundimisht me veton e Francës dhe Danimarkës nuk i mori negociatat. Tashmë kryeministri Rama i është rikthyer tentativës për të qenë si “lider rajonal”, duke u vetëkënaqur me viztat në Ballkan, kryesisht në Serbi dhe Greqi. Më konkretisht me palën greke janë hapur disa çështje që presin zgjidhje, por deri më tani Shqipëria në tre vite “negociata” ka marrë zgjidhje për “vulat apostile” dhe një premtim për çështje patentash… Nga ana tjetër, Greqia ka vijuar me “përfitime politike”, ku ka ngritur varrezën e tretë në territorin tonë të ushtarve të saj në rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe ti sigurojë të tjera benefite minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Tema të tilla që trazojnë ujërat në greqi si çështja çame, apo e ligjit të luftës, në këtë takim as nuk është përmendur. Edhe pse një nga “premtimet” e kryeministrit ka qenë se të gjitha problemet do të diskutoheshin me palën greke, zyrtarisht ka tërheqje, duke mos e diskutuar në asnjë rang përgjatë bisedimeve mes palëve.
Çështja e detit, Rama: Shpresojmë zgjidhje
Në intervistë për Euronews në gjuhën greke, Rama shpreson në një zgjidhje konsensuale me qeverinë greke për çështjen e kufirit detar. “Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, deklaroi kryeministri Edi Rama. Palët mund të ishin drejt një marrëveshjeje, por për shkak të ndryshimeve politike në Greqi dhe mungesës së Gjykatës Kushtetuese në vendin tone, tema e nxehtë e ndarjes së detit mbeti pezull. Megjithatë në deklaratat e dhëna nga politikanë grek, që kanë qenë pjesë e diskutimeve është theksuar se ata kënë arritur të sigurojnë deri në 12 milje detare, nga 6 që ishte më parë. Gjithashtu kanë shprehur entuziazëm se Greqia do të përfitonte edhe zonat e lakmueshme nëndetare, që etiketohen si të pasura me naftë dhe gaz. Nga pala shqiptare ka pasur një hermetizëm në lidhje me çështjen e detit, por së fundmi kemi deklaratën e kryeministrit Rama se mund të shpresohet drejt një zgjidhje me konsensus. Në intervistën e djeshme Rama nuk i ka shpëtuar as pyetjes së ligjit të shpronësimit, i cili ka provokuar reagim nga pakica greke nga frika e shpërdorimit të pasurisë së tyre, Rama i ka konsideruar si “marrëzi”, pasi minoriteti grek respektohet dhe gëzon shumë të drejta. “Shqipëria është një shembull i ndritshëm i respektit për të gjitha pakicat dhe për Grekët, të cilët kanë jetuar atje për shumë vite, në të njëjtat kushte si shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë të njëjta për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën. Pra, këto janë marrëzi”, tha Rama. Sipas tij, është punuar për të zgjidhur çështjet e pronave, shumë të komplikuara pas rënies së komunizmit. “Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë disa nga ligjet ekzistues për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë një sistem korrupsioni që derdh – mund të themi – gjakun e njerëzve për pronat e tyre. Por nuk ka të bëjë vetëm me pakicën Greke, por me të gjithë”, u shpreh Rama. Në lidhje me vdekjen e Kostandin Kacifas, Rama përjashtoi mundësinë e një konflikti të vazhdueshëm mes grekëve dhe shqiptarëve. “Nëse politika nuk fut hundën në interesat e brendshme dhe përpiqet të fitojë mbështetje duke ushqyer urrejtje, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë”, tha kryeministri ynë.