TIRANË Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë shpreh shqetësimin për përfshirjen e PDIU-së në qeveri. Zëdhënësi i ministrisë, Grigoris Delavekouras deklaroi dje se Athina po ndjek me kujdes të veçantë zhvillimet politike në vendin tonë. “Në të vërtetë, ne kemi qenë të informuar në lidhje me pjesëmarrjen e dy zyrtarëve të PDIU-së në qeverinë e Shqipërisë. Siç mund ta shikoni, ne ndjekim me kujdes zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm mbi ekuilibrat politikë në këtë vend. Çështja e përbërjes së qeverisë shqiptare është një çështje e brendshme e Shqipërisë. Qeveria shqiptare nëpërmjet Kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë kanë deklaruar që dëshirojnë të forcojnë marrëdhëniet me Greqinë dhe përparimin e procesit të pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo dëshirë është reciproke, dhe Greqia ka dëshmuar në praktikë gjatë viteve mbështetjen e saj për Shqipërinë”, – tha dje Delavekouras. Megjithatë, zëdhënësi shtoi se “është e njohur gjithashtu se PDIU ka mbajtur pozicione që minojnë mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”. “Për këtë arsye, ne presim që qeveria shqiptare të konfirmojë në terma konkretë angazhimin e saj në përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Ne duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por një parakusht për këtë është dëshira e ndërsjellë dhe zbatimi praktik i veprimeve që do të tregojnë respektin midis dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Mbrojtja e të drejtave të pakicës kombëtare greke si detyrim i përcaktuar si pjesë e procesit të pranimit të Shqipërisë në BE dhe zgjidhja e çështjeve të mbetura pezull në marrëdhëniet dypalëshe janë prioritete të larta për Greqinë”, – tha ai.