Greqi do të vijojë të mbajë mbyllur kufirin me Shqipërinë deri më 30 shtator. Ndërkohë, 300 persona në 24 orë do të lejohen të kalojnë nga Kapshtica, gjithmonë duke respektuar rregullat sipas procedurave përkatëse.
Bëhet fjalë për shtetasit grekë, shqiptarët me leje qëndrimi në Greqi, rezidentët dhe punonjësit sezonalë. Në kuadër të situatës pandemike, ata duhet të jenë të pajisur me testin që dëshmon se nuk janë të prekur nga koronavirusi; nuk duhet të kenë kaluar më shumë se 72 orë nga momenti i testimit, dhe nga formulari i aplikimit online nuk duhet të kenë kaluar më shumë se 24 orë.
Aktualisht, situata në kufirin e Kapshticës është normale. Përpara katër ditëve, u krijuan sërish radhë në pikën e kalimit kufitar. Qindra persona, në pritje për të kaluar në territorin grek, krijuan fluks që në orët e para të mëngjesit, ndërsa një pjesë e tyre u detyruan të kalojnë natën jashtë, pasi pala greke pezulloi kalimin, pas plotësimit të numrit prej 300 personash.