Mjafton kjo grevë për të kuptuar sesa pak ose aspak punohet në vendin tonë nga ana e ligjvënësit për të rregulluar me akte të shumta ligjore pikërisht thelbin e funksionimit të një shoqërie njerëzore të quajtur “dialogu social dhe vazhdimësia e shërbimeve publike”. Aktualisht nga njëra anë kemi të drejtën universale të punonjësve që të organizojnë grevë për të drejtat e tyre. Dhe që kjo grevë të jetë e dukshme punonjësit e Albcontrol kanë ndërprerë tërësisht shërbimin.
Nga ana tjetër dihet që puna e kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas është delikate dhe objekti ka rëndësi strategjike. Pa folur në këtë rast për majmjen si derrat të anëtarëve të bordeve të panumërt të ndërmarrjeve shtetërore, në rastin konkret zgjidhja duhej të ishte gjetur kohë më parë sepse kemi të bëjmë me një sektor strategjik.
Zgjidhja duhej të ishte ligjore duke “ndihmuar dialogun social ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësve, duke garantuar njëkohësisht vazhdimësinë minimale të shërbimit”. Ky konflikt nuk zgjidhet me lume akuzash televizive, fyerje apo skenarë për grusht shteti e dokrra të tilla të poshtra. Nëse me ndërhyrjen e ngjashme që u krye në Teatrin Kombëtar, qeveria do të ishte e interesuar për të rregulluar konfliktet sociale jo nëpërmjet forcës apo gazit lotsjellës, por nëpërmjet pasurimit të ligjit, sot gjithçka do të ishte e zgjidhur.
Ligji mbi tubimet duhej ndryshuar urgjentisht. Ai duhej të përmbante rregulla dhe detyrime të qartë për punonjësit në sektorë me rëndësi publike dhe strategjike, ku e “drejta e grevës të jetë më e kufizuar” dhe të shoqërohet me një seri detyrimesh ligjore që duhet të plotësojnë grevistët për të garantuar “vazhdimësinë minimale të shërbimit”, detyrimin për të njoftuar 5 ose 6 ditë para punëdhënësin para se të zhvillohet greva dhe detyrime të tjera të mundshme. Po realisht kjo qeverisje nuk e ka pasur kurrë në vëmendje “zhvillimin social, dialogun ndërmjet grupeve sociale, paqen sociale të vendit” por dhunën, forcën, gazin lotsjellës, diskriminimin.