Grimca humoristike nga karantina jonë tragjike

Nga Erion Kristo

Siç e dini të gjithë, shqiptarët përjetuan luftë në këtë faqe të vitit 2020, të cilin shumë njerëz e quanin si një vit me fat, për shkak të numrave. Po ndoshta është vit me fat, sepse ne nuk e dimë rezultatin e luftës. Mund të ndodhë që kjo luftë të jetë në të mirën tonë. Nuk përjashtohet ideja që kjo luftë mund të ndikojë edhe për keq në jetën tonë, ashtu si çdo luftë tjetër.



Por le të mbetemi tek ideja se çdo e keqe e ka një të mirë. Mjafton të kujtojmë se pas Luftës së Dytë Botërore lindën të drejtat e sanksionuara të njeriut. Bota zbuloi pas tragjedisë dimensionin e madh të njeriut.

Në këtë shkrim do të flasim paksa për luftën. Nëse është luftë apo jo, nuk po i kushtojmë vëmendje tani. Pasojat janë si të luftës. Nëse kjo është lufta apo nëse lufta ende nuk ka filluar vërtet, do ta shohim më vonë. Ndoshta lufta për ekonominë mund të jetë më e egër sesa lufta për shëndetin. Detyrimisht në këtë shkrim, jo me dashjen tonë, do t’i referohemi të parit të vendit.

Ai është strategu i luftës. Ai ka marrë shumë epitete në këtë periudhë që lidhen me aspekte mbretërore. Kjo ka ardhur jo për faj të njerëzve, por sepse ne kemi gjashtë muaj që dëgjojmë vetëm tri fjalë si kryefjalë: Rama, tërmeti, virusi. Andaj do të jetë pjesë e shkrimit, jo për mungesë respekti ndaj Kryeministrit, jo për mospajtim të plotë me të, por për të përmendur disa gjëra që kërcasin, në formë grimcash humoristike ose jo humoristike, që gjithsesi janë ushqim për mendimin.

Lufta më e madhe sot në vendin tonë është lufta për mendimin e lirë. Rreziku më i madh sot është shkatërrimi i mendimit të lirë. Rreziku më i madh sot është dorëzimi i sovranitetit të shpirtit. Epidemia e sulmeve kundër njerëzve që mendojnë ndryshe, është shumë herë më e rrezikshme. Por këtë çështje do ta trajtojmë me nge pas lufte, pa harruar luftën me varfërinë.

Le të fillojmë me ca pyetje që të ngjallim kërshërinë tuaj:

Sipas mendimit tuaj si lexues të kujdesshëm, midis Ramës dhe Harri Fullcit, lidhur me eksperimentet sociale, kush është tani në vend të parë? Edhe sa hapa duhet të hedhë Rama për t’u shpallur mbret? Në këtë periudhë, a mund ta akuzojmë Kryeministrin për mungesë humanizmi? Ai hoqi 9000 gjoba. Ai nxori pensionistët shëtitje. Ai vlerësoi figurën e gruas.

Kush po bën më shumë dëme në këto momente: dhuna e policisë apo virusi?A është e përligjur një dhunë e tillë? A bëhemi dot si rumunët dhe izraelitët? Unë nuk do ta doja një dhunë kundër policisë, por aq më pak pranoj një dhunë kundër qytetarëve. A mund të bëhemi të paktën si beratasit, të cilët duartrokitën të shumtë kundër dhunës policore? I duam policët. Ata janë bij nënash. Po më shumë duam policinë që na do.

A e keni vënë re se sapo dikush thotë një mendim, i vërsulen frikamanët dhe sufllaqexhinjtë duke i përmendur Italinë, Francën dhe Spanjën për t’i mbyllur gojën? Nëse përmendni më të keqen, përmendni dhe më të mirën: Japoninë, Gjermaninë, Suedinë, Austrinë, Zelandën etj.

Kërkohen shpjegime të thelluara metafizike për diferencën mes orës 11 dhe 12 lidhur me liridaljen? A ka studime shkencore për këtë? Apo është çështje mistike? Çfarë bën virusi deri në këtë orë?

Nëse duam të presim thonjtë, te cili portal duhet marrë leje? A është permanente leja? Ç’penalitete ka?

Fëmija 11 vjeç shkon dhe u thotë prindërve: Po ju pse nxituat të më lindnit mua? Nuk prisnit dot edhe pak? Po të isha dhjetë vjeç tani, do kisha dalë të luaja përjashta…

Rama i shan të gjithë ata që e kundërshtojnë. Po interesant është që ai reflektoi mbi ato që shumë nga ne kemi thënë. Ne thamë mos i lër pleqtë brenda se do shkallojnë. Ai edhe pse nuk e kishte në mendje, e liroi dorën. U diskutua për ligjshmërinë e gjobave. Ai i fali. Nëse i fali ngaqë kuptoi se ishin në shkelje të ligjit apo nëse pa se do dëmtohej nga proceset gjyqësore, kjo është një çështje tjetër. Madje dhe çështja nëse ka të drejtë ligjore t’i falë gjobat. Bërtitëm për sëmundjet e tjera, reflektoi më në fund. Pak me vonesë, por reflektoi. Mund të dalësh tani nga shtëpia për sëmundjet e tjera, me 100 penalitete. Ne e thamë fort të vërtetën tonë lidhur me diellin dhe ajrin e pastër. Ku hyn dielli, nuk hyn mjeku. Ne bërtitëm për liqenin e bllokuar. Më në fund u zhbllokua. Pra, Rama këtej shan, këtej bën atë që i thonë ata që shan.

***

Rama e pranoi publikisht se nga veprimet e organeve shtetërore disa njerëz ishin dëmtuar për shkak se kanë marrë gjoba kur nuk duhej të merrnin ose nuk kanë marrë leje në kohën e duhur. Ai u kërkoi ndjesë njerëzve, por e vazhdoi fjalinë me fjalët: Shëndeti mbi të gjitha. Edhe ne kështu duhet të veprojmë: Ndjesë që nuk i paguam taksat, por shëndeti mbi të gjitha. Përse gabimi ynë është i ndëshkueshëm, kurse gabimet e të madhit kalojnë me një ndjesë?

Një pyetje me gjithë përgjigje për Ramën: Përse VIP-at u dyndën në Dhërmi? Ne e kemi një përgjigje që e mendojmë se mund të ketë gjasa: Lejet e qarkullimit janë shitur me para, prandaj u futën në portal. Po sikur kjo të jetë e vërtetë? Po kush i ka penguar ndonjëherë VIP-at që t’i pengojë Rama?

Përdorimi i portalit, a e dëmton shtetin ligjor dhe institucionet përkatëse? A ka internet gjithandej nëpër atdhe? Nëse ka internet, a dinë ta përdorin të gjithë? A ka sjellë dëme kjo metodë? A mund të na thoni një vend të dytë që e ka këtë stil? A mund të na shpjegoni pse shumë vende të rëndësishme nuk e pengojnë fare qarkullimin, por theksojnë vetëm vetë-karantinimin dhe distancimin fizik?

Duke parë humbjet e shtetit shqiptar në këta muaj, a do të ishte më e arsyeshme të ndërtoheshin dhjetë spitale të reja me pajisje dhe personel, se sa të humbte gjithë populli shqiptar? Vetëm me 100 milionë eurot e para që u humbën në mars dhe 170 milionë euro në prill, mund të ishte bërë nami në shëndetësi. Por keni llogaritur vetëm humbjet e shtetit. Pyetja është shumë e thjeshtë: Po humbjet në ekonomi, a i keni llogaritur?

Po mburreni se keni marrë masa si askush tjetër. Masa kryesore ishte që na mbylle brenda si delet në vathë. Jeni mburrur për vite me radhë lidhur me reformat në shëndetësi, por mungesa e tamponëve, e ventilatorëve apo e medikamenteve, treguan se paratë ishin hedhur në drejtime të gabuara. Për të mos vënë në krizë sistemin shëndetësor, na bëtë të gjithëve për spital psikiatrik. Për të mos folur për maskat e skaduara dhe tenderët e dështuar apo të trukuar. Nëse ne e pranojmë hapur dhe shprehimisht, nëse duartrokasim dhe ulemi në gjunjë para sakrificës tënde, nëse e njohim meritën tënde të padiskutueshme që na shpëtove jetën, dhe ke mirënjohjen tonë për shekuj me radhë, a do na lësh të dalim nga burgu?

Një gjë shumë e bukur gjatë kësaj periudhe është rikthimi te lufta e klasave. Ka shumë humor te kjo pjesë. Qiraxhinjtë të spiunojnë qiramarrësit. Punëdhënësit të spiunojnë punëmarrësit. Humori qëndron te fakti i përzierjes së shtetit në marrëdhënie private, por dhe te patetizmi i ofrimit të mbrojtjes shtetërore. Kryeministri premtoi se do t’i mbronte të gjithë ata që do denonconin për punë të zezë. Pyetja më e thjeshtë dhe më me humor që të vjen në mendje është: Po ku ishte shteti më përpara? Përse nuk i mbrojti?

Parlamenti shqiptar është i paligjshëm. Ka më pak deputetë se sa cakton Kushtetuta. Dhe ligjvënia e tij rrjedhimisht është e paligjshme. Më shumë të çudit Presidenti që kërcënoi me shpërndarje të parlamentit dhe më pas u zbut. Kjo pyetje është për Presidentin: A ka përfunduar grushti i shtetit?

****

Pyetje për të gjithë nënshtetasit e mbretërisë: A e merrni me vete atë metrin 500 metra të gjatë? Apo i matni hapat me celular? Kujdes: një hap nuk është një metër fiks. Varet nga hapi.

A i keni parasysh ato përrallat e 1001 netëve, ku Sheherazadja tregon çdo natë nga një përrallë, me idenë që kur zbardh agimi ta lërë përrallën pa mbaruar, në mënyrë që të vijojë të nesërmen, duke shpëtuar jetën e vet. A nuk ju duket se dhe ne po dëgjojmë përnatë nga një përrallë të piperosur? Populli ynë ka probleme serioze me depozitimin e besimit. Probleme serioze me gjithë depozitat në përgjithësi. Kujtoni këtu depozitat e parave te Sudja apo depozitat e ujit mbi pallate. Është problem i thellë ky.

A duhet ta kontrollojë policia fejsbukun, për të pikasur gjithë njerëzit që janë qethur? Kush qethet në këtë periudhë është tradhtar dhe i papërgjegjshëm. Ai rrezikon rëndë gjithë të tjerët. Të arrestohen dhe berberët klandestinë.

Deputetët po votojnë ligje antikushtetuese dhe po abuzojnë me mandatin. Abuzimi që po bëni me burgun, do ju kthehet bumerang. Abuzimi që po bëni me faturat e energjisë, do ju kthehet bumerang. Tallja që po bëni me ndihmat dhe paketat, do ju kthehet mbrapsht, si ai që pështyn lart dhe i bie në fytyrë. Arrestimet, dronët, autoblindat, lejet do ju kthehen në formën e shkelmit.

Tërmeti dhe virusi shpërfaqën mjerimin e anashkaluar nga propaganda.

Kohët e trazuara nxorën në pah mençurinë tonë të lashtë. Tani kuptohen më mirë disa shprehje popullore.

  1. Je në metro mo? (po, jam 500 metro)
  2. Një dru i shtrembër prish gjithë stivën (të papërgjegjshmit)
  3. Nënë portokalle moj… lulet e limonit të binin në sy (vlera e vitaminës C e zbuluar shumë herët nga vlonjatët)
  4. Prit gomar të mbijë bar (paketat e ndihmës ekonomike).
  5. Ujku ujku, po çakalli po bën kërdinë (mendojeni vetë këtë).

A i keni vënë re disa gjëra të çuditshme?

Çfarë vaksine ka bërë Trumpi që del çdo natë para gazetarëve? Pse nuk u bllokua asnjëherë Pekini? Ç’kanë italianët që duan të na marrin Kryeministrin? Pse foli ashtu Pandeli Majko për shqiptarët e bllokuar në kufi? Po ky Lazim Destani ça ka që tregohet humanist? Ç’magji përdor lali Eri që nuk sëmuret megjithëse vjen gjithë ditën vërdallë?

Gjëra të tjera që duhen parë: Këto duartrokitjet nëpër ballkone, a mund t’i mbyllim fare, se nuk jemi në festë? Çfarë i ndodh një plaku apo fëmije që rri i mbyllur dy muaj brenda? A përputhet adoleshenca si moshë me karantinimin? A mund të quhen të papërgjegjshëm ata kryetarë bashkish që nuk kanë çuar askënd të kujdeset për një pjesë të pensionistëve? Kovidsat si kriminelë, a duhen vrarë fare, si dikur në kufij? Sa shkolla mund të ishin ndërtuar me karburantin që harxhojnë mjetet ushtarake? Sa ushqim për të varfrit mund të blihej? Pse nuk vdesin mijëra punëtorë fasoni, call-center-ash apo supermarketi megjithëse janë në kontakt me të tjerët gjithë ditën? A e keni vënë re se ka mijëra njerëz rrugëve dhe duhej të ishte bërë hataja, po nuk është bërë?

A e shihni cunamin ekonomik? A ju pëlqeu ajo ideja gjeniale që biznesi të marrë kredi, se del garant shteti, dhe po nuk e shleve, shteti bëhet pronar i biznesit tënd? Nëse janë ndihmuar qindra mijëra familje, a tregon kjo se kemi qindra mijëra të varfër? Paketa e parë dhe paketa e dytë të kujtojnë atë humorin e vjetër: me bishtin e cigares së fundit të paketës së parë, ndezi majën e cigares së parë të paketës së dytë. Plot njerëz po ankohen se nuk i ka kap paketa e parë, edhe pse u takonte.

Me këto dënimet me burg, të kujtohet ai kapedani që donte të binin topat kur të shkulte ai mustaqet. U hap vend në burgje duke nxjerrë para kohe vrasësit, për të futur njerëzit e thjeshtë. A duhej filluar me ata që ishin dhe janë në qeverisje. A ka të papërgjegjshëm aty? A jeni dakord o njerëz, që burgjet të zbrazen nga vrasësit dhe të mbushen me njerëz që dalin për vrap? Pse shkopi i gomës bie gjithmonë mbi kurrizin tonë, por asnjëherë mbi kurrizin e atyre që janë sipër nesh?

Sot jemi në dorën e mjekëve, siç ishim në hyqmin e inxhinierëve pas tërmetit. A ndjeni një lloj diktature të mjekëve? Është dhe për të qeshur, sepse për këtë virus pakkush di diçka. Por edhe pse nuk dinë asgjë të saktë, prapë ne jemi nën “diktaturën e mjekëve”. Të gjithë njerëzit që flasin për heroizmin e mjekëve, duhet të kujtojnë dy gjëra: së pari, kush ishte ai që kërkoi t’i testonte mjekët se sa dinin nga punët e mjekësisë? Sot i leverdis t’i quajë heronj, madje t’i tregtojë me vende të tjera, për të përfituar kapital politik. Së dyti, shumë nga shqiptarët që sot ulërijnë për sakrificën e mjekëve, janë nga ata shqiptarë që rrahin mjekët. T’i duam dhe t’i nderojmë mjekët. Sakrifica e tyre është sublime. Por kjo nuk do të thotë aspak se çështja është vetëm shëndetësore. Kjo është një çështje dhe sociale, dhe psikologjike, dhe ekonomike, dhe arsimore etj. Të jemi të drejtë dhe mirënjohës ndaj mjekëve, por njëkohësisht të shprehim mirënjohje dhe për mësuesit që po punojnë në kushte të vështira, për policët dhe ushtarakët që janë duke ruajtur rendin dhe duke rrezikuar jetën në mënyrë të panevojshme. Por dhe për punonjësit e transportit, të supermarketeve, të pastrimit, gazetarët që po punojnë me rrezik të madh. E plot kategori njerëzish për të cilët nuk flitet fare. Le ta shpërndajmë mirënjohjen dhe mos ta grumbullojmë vetëm në një vend. Një duartrokitje në shpirt për të gjithë. Por dhe një dolli duhet ngritur për ata që na kanë ushqyer me humor në këtë kohë të mbrapshtë. Mirënjohje për angazhimin e tyre. E meritojnë këta shpirtra të lirë! Mirënjohje për qëndrestarët!

Disa pyetje metafizike: Jam kureshtar, çfarë bën virusi pas orës 18:00? A kemi kaq shumë mjekë psikiatër sa ta përballojmë pandeminë? A mund të edukohet dhe trembet një plak në moshën që ka? A ka Shtab Lufte Rama meqë jemi në luftë? A ka psikologë aty? A ka ekonomistë? Pse nuk i bën publikë?

Poshtë pallatit tim është një stol, madje dy. Aty ulen shpesh njerëz. Çdo ditë të karantinës, edhe ditën edhe natën. Ulen njerëz dhe qen. Njerëz që pinë kafe dhe duhan. Çdo ditë, përditë. Nëse virusi do kishte qenë kaq ngjitës dhe i rrezikshëm, do ishte bërë nami. Por ka muaj kështu dhe nuk kemi dëgjuar asgjë të tillë. Atëherë ka diçka që nuk shkon.

Thërrime mendimi:

  • Urim në kohë korone: Mos të mbaroftë letra higjienike!
  • Në këtë periudhë kur sytë nuk duhet t’i prekësh, të kruhen më shumë.
  • Prill-Maj shtëpisë mos ju ndaj.
  • Të gjithë flasin për larjen e duarve, po askush nuk flet për larjen e gojës.
  • Në këto kohë karantine zbuluam se në lagjen tonë ka shumë zogj.
  • Një shishe alkool kushton sa një shishe uiski.
  • Fjala shëndet mori në këtë kohë kuptimin më të plotë.
  • Mos u ktheni në ushqim për viruse.
  • Duhet të heqim dorë nga puthjet me pllaqe e plluqe nëpër faqe dhe përqafimet mbytëse.
  • Të vazhdojë rregulli i larjes së duarve, nëse nuk doni që t’iu lajë dikush tjetër.
  • As me këmbë mos u përshëndetni, por ndoshta si komunistët me grusht, nga larg.
  • Paskëshim qenë të lumtur, po nuk e paskëshim ditur!
  • A e keni vënë re se e kemi bërë natën ditë, e ditën natë?
  • Nëse unë kursej lekët sot, a e dëmtoj jetën e të tjerëve nesër?
  • E keni kuptuar gabim: Pluralizmi nuk është monizëm me dy koka.

Rrudhja e trurit dhe rrudhja e shpirtit janë të ndryshme. E para është e mirëpritur, sepse shton aftësitë intelektuale. E dyta duhet urryer, sepse e ndrydh jetën njerëzore.

A e kuptuat tani sesi janë bërë luftërat dhe më parë? Njerëzit që kanë qenë sipër ua kanë imponuar mendimin atyre që kanë qenë poshtë. Këtë e kanë bërë me ndihmën e një pjese të atyre që janë poshtë, të cilët nga frikërat imagjinare, shkaktuan dëme reale.

Një nga defektet e shqiptarit është që do t’i mendojë të gjitha gjërat me mendjen e vet. Kjo e bën atë të mos dëgjojë askënd tjetër që ka mend. Ose të dëgjojë vetëm atë që e tremb.

Seç kam një përshtypje që shqiptarët me atë pragmatizmin e tyre dhe sjelljen e tyre mosbesuese ia hodhën dhe kësaj radhe. Ne ia hodhëm dhe për një fakt tjetër: kush ka interes të na dëmtojë ne? Ne të dëmtuar jemi. Kush ka interes të harxhojë një armë biologjike kaq të shtrenjtë me ne? Leku i madh nuk hidhet kot.

Unë ju ftoj të gjithëve të jemi të vëmendshëm. Të tregojmë solidaritet, për aq sa është e mundur. E keqja do largohet. Ta godasim të keqen përpara se të na godasë. Ne do fitojmë. Nëse bërtasim të gjithë në kor, zëri ynë do dëgjohet.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252